Kaosi institucional dhe rrugëzgjidhjet

124

EDMOND ISAKU
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD

PROCESI I 30 QERSHORIT ISHTE NJË FARSË ZGJEDHORE, BETEJA POLITIKE VAZHDON…

Ky proces kopromentoi rëndë zgjedhjet, duke vërtetuar kauzën e opozitës se me Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira, të drejta dhe të rregullta. Opozita është sot më e bashkuar se kurrë për të reformuar sistemin dhe për të çuar vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Alternativa e saj mbetet ajo e një viti më parë për një qeveri tranzicioni që të realizojë reformën zgjedhore dhe të zgjidhë ngërçin e bllokimit institucional

Konflikti politik midis forcave politike ka arritur në nivele të papara ndonjëherë. Qeveria ka kapur të gjitha institucionet dhe po kërkon  të eliminojë pluralizmin politik jo vetëm në drejtimin ekzekutiv të bashkive me 61 kryetarët, por akoma më keq, duke futur nën kontroll të plotë  61 Këshilla, që në të gjithë rastet nuk do të përfaqësojnë qytetarët, për të patur  parlamente vendore njëpartiake, të së njëjtës parti me kryetarin, duke rrezikuar e cënuar rolin vendimmarrës në interes publik. Përpjekjet e mazhorancës për të krijuar një opozitë fasadë dështuan pasi të gjithë po shikojnë produktin politik të tyre. Protestat madhështore të strukturuara dhe të menaxhuara me qytetari dhe kulturë demokratike kanë rritur kredibilitetin e opozitës, të PD-së dhe të kryetarit, zotit Lulzim Basha.

Presioni dhe dhuna politike mbi median dhe gazetarët tregon edhe një herë se pushteti është në grahmat e tij të fundit dhe shkon drejt rënies së shpejtë. Kriza tashmë ka mjaft llogari të hapura në skenën politike shqiptare. Ato do të mbyllen me rënien e saj dhe hapjen rrugë të zgjedhjeve të reja parlamentare, e cila do të vijë pasi të arrijmë në një qeveri tranzitore si hapje rrugë e daljes nga kriza aktuale. Këto nuk janë të vetmet llogari të hapura të krizës. Por, këto janë rrugët nëpër të cilat do të ecet me doemos. Këto janë pozitat ku sot është opozita, aksioni dhe lidershipi i saj.

Në takimin e procesit të Berlinit, të gjitha vendet e tjera të Ballkanit morën dhjetra e qindra miliona euro falas, kurse Shqipëria nuk përfitoi asgjë. Shqipëria shikohet si vendi më i korruptuar në Evropë. Shqipëria shikohet si vendi me një qeveri të kapur nga krimi. Korrupsioni dhe lidhjet me krimin janë arsyeja pse BE nuk i jep Shqipërisë asnjë qindarkë.

Ekonomia është katastrofa më e madhe e qeverisjes së rilindjes. Koncesionet kanë patur vetëm qëllimin e grabitjes së pasurive dhe pronave publike.  Kontratat publike kanë patur vetëm këtë qëllim. Ligjet ekonomike, që nga ligji i investimeve strategjike, tek ai i Koorporatës së Investimeve, ai për shitjen e pronave publike e deri tek ligjet speciale si ai i teatrit etj, kanë patur qëllim vetëm grabitjen ekonomike të pasurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka rënë në një izolim të thellë ekonomik. Koncensionet nuk u janë dhënë kompanive të huaja duke i mbajtur larg ato. Koncensionet janë favor për klientët e qeverisë.

Qeveria ka nxitur largimin e investitorëve perëndimorë

Qeveria qëllimisht ka nxitur largimin e investitorëve perëndimorë duke i zëvendësuar ata me lindorë ose vendas. Nga Deutsche Telecom dhe T-mobile tek Sheratoni, tek bankat më të rëndësishme franceze dhe kompanitë farmaceutike më të mëdhaja në botë, janë larguar. Të gjithë janë zëvendësuar me investitorë lindorë ose shqiptarë. Nga bregdeti tek nafta, kromi dhe pasuritë nëntokësore, aeroportet, portet dhe rrugët kombëtare, shëndetësia dhe arsimi. Çdo gjë është vënë nën kontroll nga një grusht klientësh të qeverisë. Ky nuk është një model ekonomik i suksesshëm. Të ardhurat nga droga po shkatërrojnë  strukturën ekonomike të vendit. Rezultati i kësaj katastrofe ekonomike është mos krijimi i vendeve të reja të punës, papunësi dhe varfëri.  Shqiptarët po largohen nga vendi, po ikën veçanërisht rinia, profesionistët, mjekët, inxhinierët, teknikët, elektricistët, marangozët.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit patën jehonë edhe në arenën ndërkombëtare për vetë faktin se mungoi opozita dhe pati një braktisje të konsiderueshme nga elektorati shqiptar. Duke qenë një rast i rrallë në zgjedhje me përfaqësues të vetëm të një krahu politik ata u bënë jo vetëm objekt diskutimi por edhe reagimi nga ndërkombëtarët. Duke u mbështetur në parregullsitë e konstatuara gjatë procesit të votimit, analisti David Philips, ish zyrtar i Departamentit të Shtetit në periudhën e Presidentit Klinton, propozon përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri si e vetmja mënyrë që vendi të dalë nga situata e pazakontë në të cilën ndodhet. Analisti propozon gjithashtu edhe një rishikim të qasjes së administratës amerikane ndaj Shqipërisë.

Akademiku i njohur James Pettifer ka vlerësuar si një akt të lartë nga ana e Presidentit Meta, përballjen që ky i fundit i bëri agjendës së miliarderit amerikan ‘Soros’ që po eksperimenton në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. Në një postim në twiter, James Pettifer shkruan “E kam  njohur z. Meta për shumë arsye si një demokrat të impenjuar. Meriton mbështetjen time kundër Soros dhe mirënjohjen më të thellë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Politika nuk krijoi kushte për të zgjidhur situatën parazgjedhore dhe e futi situatën në kolaps. Duhet të shtyheshin  zgjedhjet sipas rekomandimit të Presidentit Meta. Votuesit shqiptarë kanë nevojë të kenë një alternativë. Ka ndodhur një shpërfytyrim i demokracisë nga qeveria shqiptare.  Mendoj se është për të ardhur keq që SHBA-ja e ka lejuar këtë të ndodhë. Një qëndrim më i prerë dhe pa ekuivoke i SHBA-së do të ndihmonte për të zgjidhur ngërçin politik.

Zgjedhjet duhet të ribëhen më 13 tetor. Nuk mund të pranohen si të rregullta kur votohet vetëm për një kandidat. E gjithë situata zgjedhore dhe procesi duhet kaluar nëpër një proces të besueshëm për t’u përgatitur për zgjedhjet, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të marrin pjesë lirisht dhe të përfaqësohen normalisht me kandidatët e tyre.

Demokracia shqiptare është në rrezik. Po shkojmë drejt diktaturës

Demokracia shqiptare është në rrezik dhe na çon drejt diktaturës ku votohet pa alternativë. Minohet pluralizmi dhe demokracia. Është një kthim mbrapsht edhe nga fitoret e arritura deri më tani.  Populli shqiptar ka sakrifikuar tre dekada përpjekje për konsolidimin e shoqërisë pluraliste dhe nuk do ta lejojë që të rrëshqasim në veprime të tilla politike që cënojnë demokracinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Përsëritja e këtyre zgjedhjeve, bazuar në kushtetutshmërinë e dekretit për datën 13 tetor, është mundësia më pak e kushtueshme për të kthyer opozitën në sistem dhe për të prodhuar institucione politike legjitime. Tensioni politik në rritje dhe varfëria që po pllakos vendin do të mund të menaxhohen vetëm me një qeveri, pa Ramën.

Pas 30 qershorit opozita doli më e fortë se kurrë, më e mbështetur në publik, më realiste në parashikimet e saj. Po të vëmë re faktin se edhe pse votuan vetë, i numëruan vetë, i organizuan vetë, i menaxhuan vetë dhe përsëri manipuluan duke shtuar vota artificialisht në kutitë e votimit e cila doli branda ditës si fakt, ky proces kopromentoi rëndë zgjedhjet, duke vërtetuar kauzën e opozitës se me Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira, të drejta dhe të rregullta. Opozita është sot më e bashkuar se kurrë për të reformuar systemin dhe për të çuar vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Alternativa e saj mbetet ajo e një viti më parë për një qeveri tranzicioni që të realizojë reformën zgjedhore dhe të zgjidhë ngërçin e bllokimit institucional.

Partia Demokratike dhe strukturat e saj bënë për gjashtë muaj radhazi një betejë të pashembullt në denoncimin e krizës së përgjithshme politike, sociale, ekonomike institucionale, konstitucionale, psikologjike dhe morale. Paralajmërimet dhe të gjitha opsionet e PD u vërtetuan në terren përgjatë zgjedhjeve të qershorit që shërbyen si provë për të treguar integritetin e qeverisjes aktuale. Për opozitën nuk ishte beteja për disa bashki por për sistemin e ri të vlerave që synojmë të ndërtojmë. Drejtësia e kauzës dhe vërtetësia e akuzave njohën pranueshmëri në rritje. Tani të gjithë janë të bindur se në Shqipëri ka ndodhur krim i përsëritur elektoral.

Tani janë të bindur të gjithë se maxhoranca thyen çdo ditë rekorde të reja korrupsioni. Aleanca e opozitës u zgjerua dhe tërhoqi mbështetje përtej kufijve të saj politik. Tryezat me qytetarë të angazhuar ose jo, si dhe premtimi për një bashkëbisedim të madh e të hapur u testuan si një instrument efektiv për përfaqësimin e interesave më të gjera se sa të vetë opozizitës politike. Kush mendoi se Basha do të dilte pas 30 qershorit i dobësuar, shqiptarë apo ndërkombëtarë, thjesht gaboi. Basha fitoi besimin e opozitarëve dhe me gjërë pasi nuk e lëshoi kauzën dhe realizoi në ngjitje aksionin opozitar.

Ndaj Partia demokratike i ftoi në protestën kombëtare  të dhjetë të saj dhe protestoi me kulturë demokratike, duke ndarë mesazhin e madh publik që shpëtimi i Shqipërisë janë zgjedhjet e parakohëshme me një qeveri tranzitore. Pas djegies së mandateve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, opozita vijon sërish betejën kundër qeverisë së kryeministrit, Edi Rama.

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se opozita e bashkuar nuk do të bëjë asnjë hap pas, por do të luftojë deri në fund, që shqiptarëve t’u garantohet e drejta për të zgjedhur lirshëm dhe të pandikuar nga pushteti. Krahas selisë blu dhe aleatëve të saj edhe LSI-ja ka deklaruar se do të vijojë përballjen me keqqeverisjen, me synim që qytetarëve t’u garantohet një qeverisje demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Beteja politike vazhdon…