Dhjetra mijëra metra katrorë prona publike i jepen nga Rama kompanisë “Arlis”, lidhjet me Xhafën, Veliajn e Tahirin

74

Rama dhe Veliaj i dhanë pa garë dhe pa transparencë kompanisë Arlis-Ndërtim hapësirën publike të zonës së ish-Uzinës Mekanike në Tiranë. Kur siguroi marrëveshje për të ndërtuar mbi hapësirën publike, kompania kishte një vit që kishte nisur të ndërtonte.

Trualli i ish-Uzinës Mekanike
Zona e ish-Uzinës ka një sipërfaqe prej rreth 30,000 metrash katror. Që prej vitit 1996 ajo ka qenë parashikuar të zhvillohej si zonë banimi. Sidoqoftë në vitin 1998 Ministria e Drejtësisë kërkoi të ndërtonte aty Gjykatën e re të Tiranës, por çështja u ndërlikua kur në vitin 2001, pas falimentimit të Uzinës, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njohu të drejtën e pronës familjes së Qazim Nelajt.

Pas kësaj, Ministria e Drejtësisë nisi një seri gjyqesh, që përfunduan në vitin 2015, kur Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i dha të drejtë ish-pronarëve. Familja Nelaj, sipas Agjencisë së Trajtimit të Pronave, mori një sipërfaqe trualli prej 8,000-10,000 metrash katror dhe u kompensua për 11,325 të tjera.

Megjithatë, një pjesë e truallit dhe godinat e zonës mbetën sërish pronë e shtetit. Por kur çështja e pronësisë u zgjidh, zona kishte ndryshuar. Në pjesën ballore të ish-Uzinës qe vendosur administrata e Bashkisë Tiranë me Drejtorinë e Taksave dhe Policinë Bashkiake, ndërsa ana perëndimore, me rreth 12,000 metra katror, ishte kthyer lulishte.

Kompleksi Square 21
Kompania Arlis-Ndërtim, që zotërohet nga Armand Lilo, një ndërtues i afërt me qeverinë, planifikoi në zonën e ish-Uzinës një kompleks pallatesh që shtrihet në rreth 15,500 metra katror.

Projekti zinte jo vetëm lulishten që ishte bërë pas vitit 2015, por edhe godinat e ish-Uzinës dhe Policisë Bashkiake. Për këtë projekt Lilo kishte marrë dakordësinë e familjarëve të Qazim Nelajt.

Në vitin 2016, Arlis shpk paraqiti vlerësimet paraprake të ndikimit në mjedis për fazën e katërt dhe të pestë të punimeve që do të bëheshin duke prishur godinat e ish-Uzinës.

Projekti i kompleksit nga Arlis shpk, publikuar në vitin 2017 ku tregohej qartë se do të ndërtohej mbi hapësirat publike.
Por për këto faza ndërtimi, Arlis Shpk nuk kishte marrëveshje me shtetin, që zotëronte 6,399.78 metra katror truall dhe hapësirat e godinave të ish-Uzinës.

Megjithatë, pas 21 shkurtit 2017, me leje të Erion Veliajt, kompania nisi ndërtimin e një pjese të kompleksit. Anën perëndimore, anën që zuri lulishten. Në lejen e bërë publike, Arlis-Ndërtim detyrohej të paguante 1,5 milionë euro (207,478,160 lekë) taksë infrastrukture.

Por për ta mbyllur projektin nevojiteshin edhe dy leje të tjera ndërtimi, për bllokun qëndror dhe lindor të kompleksit.
Këto dy leje edhe pse, në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, rezulton se janë dhënë, nuk janë bërë publike njëjtë si leja e parë duke e bërë të paqartë se sa ka qenë taksa e infrastrukturës që Arlis-Ndërtim do të duhej të paguante për të gjithë projektin.

Favorizimi dhe dhënia e hapësirave publike pa transparencë
Vetëm një vit pasi kishte dhënë lejen e parë të Square 21, Erion Veliaj do të planifikonte t’i jepte hapësirat publike privatëve për pallate.

Më 26 prill 2018, Bashkia Tiranë përcaktoi procedurat se si do të negociohej me zhvilluesit, që do të shprehnin interesin për të bashkëpunuar me Bashkinë për pronat e saj. Por në rastin e zonës së ish-Uzinës zhvilluesi ishte paracaktuar që në 2017-ën.
Me nisjen e punimeve për kompleksin Square 21, pronat e Bashkisë do t’i merrte vetëm Arlis shpk, që kishte projekt për gjithë zonën.

Më 21 maj 2018 qeveria i kaloi Bashkisë 13 parcela të ish-Uzinës Mekanike. Në vendimin e qeverisë, Armand Lilo i Arlis shpk, rezultonte gjithashtu pronar i një parcele (parcela 1/991, 554.5m2), trualli i së cilës ishte i zënë nga godina e Policisë Bashkiake.

Bashkë me truallin e tij, Lilo kishte rënë dakord me familjarët e Qazim Nelajt për të shfrytëzuar edhe trojet e tyre (1/990; 1/997; 1/998; 1,525m2), që ndodheshin pjesë të godinës së Policisë Bashkiake dhe të ish-Uzinës.

Plani i ndërtimit të Square 21, parcelat e pronave dhe godina e Policisë Bashkiake. Gjashtë muaj më vonë, më 15 nëntor 2018, Bashkia nisi procedurat e negocimit me Arlis shpk për t’i lëshuar asaj 9,394.22 metra katror truall (9 parcela: 1/180; 1/192; 1/990; 1/991; 1/993; 1/994; 1/996; 1/997; 1/998).

Nga kjo sipërfaqe, 68.2% (6399.7m2; kliko këtu për të parë tabelat) ishte pronë e Bashkisë. Negociatat e Erion Veliajt me pronarin e Arlis-Ndërtim, Armand Lilon, nuk janë bërë publike. Ndërkohë, lulishtja është zënë, ish-Uzina është shembur dhe tashmë pritet të shembet edhe godina e Policisë Bashkiake. Po kështu, nuk janë zbardhur as dy lejet e tjera që janë dhënë për kompleksin pas lejes së parë për ndërtimin mbi lulishten.

Lidhjet me qeverinë dhe ngritja e Arlis shpk
Pronari i Arlis-Ndërtim, Armand Lilo, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Leja e ndërtimit për kompleksin Square 21 është firmosur nga dhëndri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili mban postin e Drejtorit të Urbanistikës.

Armand Lilo rezlton i përfshirë edhe me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri. Në makinën e Lilos, Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin po e përdorte Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Tahirit dhe 863 mijë euro. Kjo ndodhi kur ish-Ministri po akuzohej për trafik ndërkombëtar droge.

Për sa i përket të ardhurave nga kompania e tij, sipas të dhënave të Open Data, Lilo pati rreth 76 mijë euro fitime në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 fitimet e iu shumëfishuan në 2 milionë euro.

Në vitin 2013, Armand Lilo u përfshi në një konflikt pronësie në zonën e Yzberishtit. Sipas medias, bashkë me Ervis Nakjen, ai rrahu pronarin e truallit ku po ndërtonte një pallat dhe i plagosi atij të birin.

“Exit.al”