30 qershori, goditja finale për ta çuar këtë tranzicion në një pikë të vdekur…

81

Ergys MERTIRI

Natyrisht, institucionet shqiptare kanë qenë gjithmonë të korruptuara dhe jofunksionale, por politika, ndonëse tepër e ndotur, ka qenë deri diku e arsyeshme dhe ka toleruar rrjedhje të pushtetit edhe te kundërshtari. Për tri dekada, kjo ka mundësuar funksionimin e rotacionit, qoftë edhe si një mënyrë për shfryrje të tensioneve.

Ardhja e Edi Ramës e ka thyer këtë rregull. Ai ka arritur të shtjerë në dorë gjithçka, duke e çimentuar pushtetin e tij edhe nëpërmjet kontrollit absolut mbi zgjedhjet. Falë vetë Edi Ramës, sot jemi në një situatë ku sistemi ka ngecur në cektinë, gjë që mund të shërbejë si një moment reflektimi për t’ia nisur nga e para.

Për të dalë nga kjo krizë, ka nevojë doemos për një marrëveshje të madhe. Jo për një dakordësim, si një litar që na nxjerr nga pusi, por për një kontratë të re që rithemelon rregullat e lojës. Thelbi është ta shpëtojmë sistemin nga kapja dhe ta çlirojmë vendin nga rrëshqitja në autokraci. Zgjidhja nuk duhet të kërkojë vetëm një rrugë që opozita të rihyjë në sistem, por një rrugë që sistemi të ribëhet për të garantuar opozitën.

Natyrisht, e gjithë kjo kërkon një garanci të fortë ndërkombëtare, por fillimisht ndërkombëtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se deri më sot ata kanë kontribuar në formimin e këtij sistemi. Me bekimin dhe këmbënguljen e tyre janë bërë të gjitha ligjet, reformat, marrëveshjet, institucionet, e gjithçka tjetër që ka funksionuar keq në këta 30 vjet.

Mbi këtë reflektim mund të ndërtohet një qasje e re, e cila nuk sakrifikon më demokracinë për hir të stabilitetit, – gjë që na ka sjellë një realitet ku nuk ka as demokraci as stabilitet, – por një qasje që krijon kushtet për rritjen e nivelit të përfaqësimit të qytetarit në politikë.

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin goditja finale për ta çuar këtë tranzicion në një pikë të vdekur. Prej këndej, demokracia shqiptare ose do të varroset plotësisht, ose do të gjejë rrugë drejt një ringritjeje të re. Kjo do të thotë se, nëse gjërat do të ndryshojnë dhe situata do të shkojë drejt një zgjidhjeje të tillë, këto zgjedhje do të jenë funerali i tranzicionit shqiptar dhe një premisë e mirë për një fillim të ri. Përndryshe, ato mund të bëhen funerali i demokracisë dhe një ogur i keq për të ardhmen e vendit.