Kush voton diktaturën është…

77

Nga Nebil Çika

Vetëm 29 vite pas zgjedhjeve të fundit një partiake Shqipëria po rikthehet sërish në diktature. Në 30 qershor tentohet të legjitimohet akti i parë politik i rikthimit të diktaturës ku në një proces të jashtëligjshëm do të zhvillohen votime të ngjashme me ato të Këshillave Popullore komuniste.

Qeveria, opinionistë e përfaqësues ndërkombëtarë po mundohen të spekulojnë me të drejtën e qytetareve për të votuar për të legjitimuar një farsë elektorale tipike komuniste sipas parimit leninist: “i gjithë pushteti i sovjetëve”. Shumica e qytetarëve me gjasa nuk do të bëhen pjesë e këtij procesi farsë por me siguri për shumë arsye do të shkojnë në votime duke u bërë me apo pa dashje pjesë e aktit të parë politik të rivendosjes së diktaturës në Shqipëri. Një pjesë është deklaruar publikisht se do të përpiqet të pengojë këtë votim farsë gjë që ka krijuar perceptimin publik të një prag lufte civile në Shqipëri.

Ata që janë pro votimeve thonë se ata kundër nuk kanë të drejtë të pengojnë palën pro për shkak të së drejtës kushtetuese të qytetareve për të votuar. Ky është një spekulim i madh pasi Kushtetuta e Shqipërisë dhe karta e të drejtave themelore të njeriut nuk garanton të drejtën e votimit por të drejtën e zgjedhjes sipas të cilave shqiptarët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen, e drejtë që në kushtet kur nuk ka zgjedhje por votime është e shkelur brutalisht. Pre e këtij mashtrimi e spekulimi duket se ka rënë edhe një pjese e mirë e publikut e cila nuk shkon në votime por është krejt indiferente me pjesën tjetër që do të shkojë në votime dhe ky është problemi më i madh i 30 qershorit.

Vetëm bojkoti i zgjedhjeve nga shumica e shqiptarëve nuk mjafton. Qeverisë dhe mazhorancës ish komuniste i mjaftojnë ata që do dalin për të kryer këto votime një partiake si akt politik diktatorial. Në këtë moment, me atë që po bën ai që shkon të votoje, pavarësisht motiveve e arsyeve po kontribuon në rikthimin e diktaturës e nuk është më i afërti, miku, fqinji, bashkëqytetari, bashkëkombësi etj që na bashkojnë, por armiku jonë.

Unë nuk besoj se mund të gjendet akt më armiqësor ndaj çdo qytetari normal, që do lirinë e demokracinë se sa të bëhesh pjesë e rikthimit të diktaturës. Ata që e bëjnë këtë po ekzekutojnë lirinë tonë politike e shoqërore të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë e Shqiptarëve.

Është e pa imagjinueshme të mundohesh t’iu tregosh shumicës së shqiptarëve sidomos ata që kanë jetuar në komunizëm se çfarë është diktatura. Por konstatoj me kredhje e dëshpërim të madh që një pjesë e jona e ka harruar se ndryshe nuk ka se si të shpjegohet ndryshe reagimi pozitiv apo edhe indiferent i tyre per atë çfarë pritet të ndodhë në 30 qershor.

Kjo vlen edhe për qeverinë mazhorancën, PS-në, e të tjerë që janë bërë pjesë e këtij akti politik diktatorial. Diktatura është e keqe për të gjithë. Kështu ndodhi edhe në 1945. Shumë shqiptarë u bënë pjesë e farsës së parë elektorale të organizuar nga komunistët. Disa madje u zgjodhen, deputetë dhe në Këshillat Popullore por shumë shpejt përfunduan në gijotinën e diktaturës që e ndihmuan vetë të ngrihej e vendosej.

Dua t’iu kujtoja disa detaje të asaj që ndodhi. “Grupi i deputetëve” që u dënua me vdekje në vitin 1946 ishte zgjedhur në votimet farsë të 1945 dhe i shërbeu diktatorit dhe diktaturës për të justifikuar para ndërkombëtarëve dhe opinionit publik se në Shqipëri po bëheshin zgjedhje e jo votime.

Pikërisht si tani ku në disa bashki pushteti politik wshtw munduar të këtë votime me dy persona. Këta duhet ta dine që, p.sh, Riza Dani kur ua arrestua e më pas u dënua me vdekje ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Shkodrës dhe zgjedhjen e tij komunistët e përdoren si mish për top për të legjitimuar pushtetin e tyre pastaj kur nuk u duhej më e ekzekutuan.

Pra diktatura nuk dëmtoi vetëm ata që e kundërshtuan që në fillim por edhe ata që qëndruan indiferentë e për më tepër ata që e ndihmuan të instalohej, madje edhe më të egrit e saj.

I kujtoj sot qeveritarëve se kryeministri i diktaturës Mehmet Shehu përfundoi në gijotinën që ngriti vetë për popullin shqiptar. I kujtoj ministrit të brendshëm më të zellshmit të Edi Ramës sot në realizimin e këtij akti politik diktatorial fatin e paraardhësve të tij në diktaturë, nga Koci Xoxe tek Kadri Hazbiu. Edhe ata si ty në mos më keq ishin më të zellshmit e Enver Hoxhës po ja ku përfunduan.

I kujtoj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, fatin e Bedri Spahiut dhe të dhjetëra prokurorëve të tjerë që përfunduan në varrezat anonime burgjet e internimet që i kishim mbushur vetë me kundërshtarë të diktaturës.

Ju kujtoj të pasurve, milionerëve që mbështesin sot këtë akt diktatorial që ashtu si të ngjashmit e tyre në 1945 do të jenë të parët që do ti shohin gazepin diktaturës që po e ndihmojnë vetë të rikthehet. Të njëjtën u kujtoj intelektualëve, specialistëve, zyrtarëve qytetarëve të thjeshte etj: ktheni kokën mbrapa dhe kujtoni çfarë ishim 29 vjet më parë. Pikërisht atë po riktheni me pjesëmarrjen apo edhe indiferencën tuaj, ndaj asaj që po përgatitet të ndodhë në 30 qershor. Kjo vlen edhe për diplomatët dhe përfaqësuesit perëndimorë. Në 1945 hataja e madhe ndodhi në sytë tuaj, me ndihmën tuja dhe në 1946 ju përzunë për 45 vjet nga ky vend, persekutuan pa mëshirë çdo shqiptar që besonte tek vlerat e lirisë e demokracisë së vendeve që ju përfaqësonit.

Çdo kontribut me apo pa dëshire në rikthimin e diktaturës është pjesëmarrje ne krim !

Ja pra pse ata që ndihmojnë në rikthimin e diktaturës janë armiqtë dhe duhen trajtuar që në fillim si të tillë, para se të kthehen në  persekutorët apo bashkëvujatësit tanë. Rënia në diktaturë mund ti justifikohet çdo populli e kombi por jo shqiptarëve që e dinë më mirë se kushdo lemerinë që vjen prej saj.