Basha: Fundi i Ramës, i afërt

76

Edhe pse një komunist, pjesë e krimeve të regjimit kundër popullit, Ramiz Alia kuptoi fundin e tij dhe e pranoi atë pa i sjellë fatkeqësi dhe kosto të tjera vendit. Kurse Edi Rama ka zgjedhur një rrugë më fatale. Ai ka javë të tëra që bredh nëpër Shqipëri, duke provokuar dhe nxitur përplasje shoqërore.

Në të gjitha protestat e opozitës, ka futur provokatorë për të nxitur dhunë.

Në të gjitha vizitat nëpër Shqipëri ka folur për të motivuar dhunë.

Kulmin e arriti mëngjesin para se të nisej për në Shkodër, pak ditë më parë, kur vendosi ta provokojë Shkodrën, duke e kërcënuar se policia e tij do të bënte një tjetër 2 prill.

Edhe arrestimet dhe dhuna ndaj përfaqësuesve të opozitës, kanë për qëllim nxitjen e dhunës. Dhunën ka për qëllim e gjithë propaganda që bën me të huajt duke akuzuar opozitën për dhunë.

Edi Rama është i mësuar me dhunën.

Tani që ka dështuar me çdo gjë, tani që as nuk shtiret dot se mund të qeverisë, ai po kërkon ta mbajë pushtetin me të njëjtën mënyrë: me dhunë dhe në aleancë me krimin.

Sepse ai e di se, vetëm, nëse ka dhunë, vetëm nëse ka përplasje civile, ai do t’i shpëtojë gjykimit për vjedhjet dhe keqqeverisjen, për drogën dhe mbrojtjen ndaj krimit.

Por plani i tij për dhunë ka dështuar. Shqiptarët e kanë kuptuar se dhuna i shërben Edi Ramës. Shqiptarët e dinë se përçarja është e keqja e të gjithëve.

Opozita nuk vjen në pushtet me dhunë.

Opozita do të vijë në pushtet, duke rrëzuar regjimin kriminal të Edi Ramës me forcën e mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve të bashkuar kundër së keqes.