Si Deep State e ndaloi një President amerikan t’i tërhiqte trupat nga Koreja

103

Presidenti Carter donte që t’i tërhiqte trupat tokësore amerikane nga gadishulli. Deep State nuk qe dakord.

Me Presidentin amerikan Donald Trump që shpreh edhe një herë akoma dëshirën e tij për t’i tërhequr 28500 trupat amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut, ndoshta ia vlen barra qiranë që të shqyrtojmë shkurtimisht herën e fundit që një President amerikan u përpoq që të tërheqë forcat amerikane nga Gadishulli Korean. Në fundin e viteve ’70 Presidenti amerikan Jimmy Carter, midis të tjerash, u ndal nga obstruksioni kongresual, Pentagoni dhe komuniteti i inteligjencës nga implementimi i një politike tërheqjeje që e pati premtuar në mënyrë të psrëritur gjatë fushatës së tij presidenciale në 1976. E thënë ndryshe dhe për të përdorur një shprehje trumpiane të shekullit të XXI-të: i ashtuquajturi Deep State e ndaloi Carter nga realizimi i planeve të tij.

Gjatë fushatës presidenciale të 1976 – të njëjtin vit që 2 ushtarë amerikanë u qëlluan për vdekje nga ushtarët koreanoveriorë në zonën e çmilitarizuar – në mënrë të përsëritur Carter shpalosi dëshirën e tij për t’i tërhequr 40000 ushtarët amerikane (prej të cilëve vetëm 15000 qenë trupa luftarake) nga Koreja e Jugut, ku shërbenin si barrierë de facto për të frenuar ndonjë pushtim koreanoverior. Për shembull, në një drekë të Foreign Policy Association atë vit, Carter deklaroi: “Unë besoj se do të jetë e mundur të tërhiqen forcat tona tokësore nga Koreja e Jugut mbi bazën e një afati kohor për t’u përcaktuar pas konsultimesh me Korenë e Jugut dhe Japoninë”.

Në fjalimin e tij ai përmendi gjithashtu një prej motiveve kryesore personale për tërhqejen e dëshiruar të trupave: “I duhet bërë e qartë qeverisë koreanojugore se dhuna e brendshme që ushtron është e papranueshme për popullin tonë dhe se një gjë e tillë minon mbështetjen ndaj angazhimit tonë atje”. Udhëheqësi koreanojugor Park Chung-hee ishte në të vërtetë një shkelës i njohur i të drejtave të njeriut, që i burgoste dhe torturonte kundërshtarët e tij politikë. Megjithatë, Park nuk ishte arësyeja e vetme që Koreja e Jugut ishte jopopullore në Uashington në atë kohë. Në vitin 1976, Seuli ishte implikuar drejtpërsëdrejti ne atë që do të bëhej i njohur si “Koreagate”, një skandal politik që përfshinte lobistë koreanojugorë që orvateshin të korruptonin kongresmenë amerikanë me qëllim që fitonin trajtim favorizues për interesat e Koresë së Jugut.

Motivet më të gjera të Carter për tërheqjen e dëshiruar të trupave përfshinin si vënien nën fre të shpenzimeve ushtarake – “heqjen e dhjamit”, siç e quante ai – ashtu edhe trashëgimin e humbjes së kohëve të fundit të luftës së Vietnamit, që e bëri publikun amerikan dyshues ndaj çdo angazhimi ushtarak jashtë vendit.

Sapo erdhi në pushtet në janarin e 1977, Carter urdhëroi menjëherë hartimin e planeve për largimin e të gjitha trupave tokësore amerikane (elementë ajrorë dhe logjistikë do të mbeteshin më pas) nga Koreja e Jugut bashkë me rreth 700 armë bërthamore të dislokuara në vend nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi presidencial që bënte thirrje për një “reduktim të forcës konvencionale amerikane në gadishull”, dhe një vlerësim të “problemit të të drejtave të njeriut në Kore”. Ai e nënshkroi memorandumin pa u konsultuar me koreanojugorët, megjithëse dërgoi Zëvendëspresidentin Walter Mondale në Japoni në janarin e 1977 për t’u konsultuar me qeverinë japoneze lidhur me problemin. Kryeministri japonez Takeo Fukuda ishte natyrshëm skeptik ndaj planit të Carter dhe mendonte se do ta rrezikonte sigurinë e Japonisë.

Qeveria koreanojugore u informua në mes të shkurtit 1977 rreth dëshirës së Carter për t’i tërhequr trupat tokësore nga gadishulli – që sipas një vlerësimi të Congressional Budget Committee do të kursente 2 miliard dollarë dhe nuk do ta ndryshonte balancën ushtarake në gadishull. Plani hasi kundërshtimin e fortë të administratës Park, pavarësisht premtimit se Koreja e Jugut do të përfitonte ndihma ushtarake dhe kredi në rritje. Park ishte sidomos i zemëruar rreth braktisjes së perceptuar amerikane të aleatit të tij pasi Koreja e Jugut kishte dërguar mijëra ushtaranë në Vietnam gjatë viteve ’60 e ’70 në mbështetje të përpjekjeve amerikane për të përmbysur balancën në luftën kundër rebelëve komunistë. Mbi 16000 koreanojugorë u vranë në atë vend.

Megjithatë, nuk qenë vetëm koreanojugorët që i kundërshtonin planet e Presidentit. Më e rëndësishmja, shumica e establishmentit të politikës së jashtme amerikane, sidomos komuniteti i mbrojtjes dhe ai i inteligjencës – çka sot do të njihet me emrin Deep State – si dhe anëtarë të Senate Foreign Relations Committee dhe Senate Armed Forces Committee, i kundërshtonin fuqimisht planet e Presidentit. Së fundmi, preokupimet e shumicës së kundërshtarëve brenda establishmentit përmblidheshin në dy pika kryesore: gjendja e shkurajimi konvencional amerikan në Azinë Lindore dhe humbja e besueshmërisë amerikane si aleat dhe partner i besueshëm. (Gjithashtu ekzistonte rreziku që Koreja e Jugut do të rifllonte kërkimin për armë bërthamore).

Në mënyrë të veçantë ushtarakët i kundërshtonin planet e Presidentit. Në majin e 1977, Gjeneral Majori John K. Singlaub, Shefi i Shtabit i U.S. Forces Korea (USFK), dha për The Washington Post një intervistë tejet kritike ndaj politikës koreanojugore të Carter. Ai parashikonte një kolaps të shkurajimit konvencional duke nëncizuar se” nëqoftëse trupat tokësore tërhiqen sipas afatit të sugjeruar, një gjë e tillë do të çonte në luftë”. Si rezultat i saj, Carter e shkarkoi menjëherë. Megjithatë, gjenerali nuk ishte vetëm. I preokupuar rreth shkurajimit konvencional dhe në përpjekje për ta shtyrë një vendim presidencial, Shefat e Bashkuara të Shtabit mëshuan për një tërheqje me faza 4 – 5 vjeçare. Siç e theksoi Gjenerali John Vessey Jr., komandanti i përgjithshëm i UFSK, në vitin 1977: “Vendimi i Presidentit Carter bazohet mbi një vision të së ardhmes, një Koreje 4 apo 5 vitesh nga tani në të cilën trupat tokësore nuk do të jenë të nevojshëm. Nuk është kjo situate tani”.

Por ajo çka në fund bëri që plani i Carter të humbiste ishte puna e John Armstrong, një analist inteligjence, një officer ushtrie që punonte për U.S. Army’s Special Research Detachment në National Security Agency që e detyroi komunitetin amerikan të inteligjencës që të rishikonte vlerësimet e tij rreth fuqisë ushtarake konvencionale të Koresë së Veriut si rezultat i punës së tij. Midis gjërave të tjera, ai llogariste se forcat tankiste e Koresë së veriut qenë 80% më të mëdha sesa vlerësohej më parë. Si rezultat i kësaj, për shkak të përpjekjeve të Armstrong u shfaq një konsensus i ngadaltë se koreanoveriorët qenë ushtarakisht superiorë ndaj koreanojugorëve, gjë që u siguroi trupave tokësore mbështetës të një argumenti të fortë për t’ia kundërvënë politikës së tërheqjes të Presidentit.

Siç është përmbledhur dikur nga Diplomat: “Puna e Armstrong influencoi gjeneralë, anëtarë të vetë burokracisë së Carter dhe Kongresin, që më pas ushtruan presion ndaj Carter për ta rikonsideruar tërheqjen”. Kjo është konfirmuar nga Morton Abramowitz, në atë kohë Zëvendësasistent për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare në Departamentin e Mbrojtjes, që në një intervistë të vitit 2011 tha: “Analiza qe shumë e dobishme për forcat antitërheqje në Uashington. Ajo minoi një prej premisave mbi të cilat Carter bazonte vendimin e tij”.

Natyrisht, Presidenti qe më pak i ekzaltuar dhe akoma më pak i bindur për konkluzionet e komunitetit të inteligjencës. “Ky konkluzion është absurd”, shpërtheu Presidenti pasi lexoi një vlerësim të vitit 1978 të CIA-s që theksonte: “Balanca ushtarake statike midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut tani favorizon veriorët me një diferencë të konsiderueshme”. Megjithatë, superioriteti i Veriut ndaj Jugut dalngadalë u bë pakashumë mendimi i ri i pranuar për pjesën më të madhe e establishmentit të politikës së jashtme, që u frikësohej reperkusioneve politike të një tërheqjeje dhe orvatej që ta ngadalësonte implmentimin e politikës me çdo mënyrë të mundur.

Për shembull, një numër anëtarësh të establishmentit – Abramowitz, Richard Holbrooke, Ndihmëssekretar Shteti për Çështjet e Azisë Lindore e të Paqësorit, dhe Michael Armacost, Drejtor për Çështjet e Azisë Lindore dhe Kineze në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, midis të tjerëve – takoheshin rregullisht si anëtarë të “East Asia Informal,” një grup jozyrtar diskutimi, për të diskutuar politikën amerikane në Azi ku planifikonin politikën amerikane në Korenë e Jugut. Sipas Abramowitz: “Ekzistonte një rrjet informal në Uashington midis njerëzve që merreshin me Azinë. Ai konsistonte në një numër zyrash në Departamentin e Shtetit, NSC-së dhe ISA-së. Holbrooke, Armacost dhe unë qemë në kontakt të vazhdueshëm”. Në vijim të diskutimeve, shumica e anëtarëve të grupit konkluduan se tërheqja e trupave “ishte e zhveshur nga qëllimi strategjik”.

Ndërsa shumica e anëtarëve të “East Asia Informal” nuk mendonin se kërcënimi ushtarak koreanoverior ishte rritur substancialisht gjatë 8 viteve të fundit siç pretendohej nga analiza e Armstrong (në të vërtetë disa bile favorizuan një largim të pjesshëm të trupave amerikane), raportet lidhur me kapaitetet në rritje ushtarake konvencionale të Kores ësë veriut nga ana e komunitetit të inteligjencës prapseprap u përdorën si instrumente për të parandaluar apo të paktën ta vononin Presidentin nga ekzekutimi i politikës së dëshiruar prej tej. Holbrooke nënvizonte se edhe sikur “vlerësimi i komunitetit të inteligjencës të ishte ndryshe, ne sërish do ta kishim gjetur një arësye për ta pezulluar tërheqjen”. Gjithësesi, gjetjet e Armstrong qenë arma më e fuqishme e tyre në influencimin e burokracisë.

Gjithashtu, gjetjet e komunitetit të inteligjencës u futën në procesin legjislativ. Për shembull, Senati refuzoi që ta mbëstesë politikën e tërheqjes dhe i biëri me dije Presidentit që të kërkonte miratim kongresuar për politikën e tij ndaj Koresë së Jugut. Veç kësaj, dy senatorë – Hubert H. Humphrey dhe John Glenn – shkruan një raport kritik në 1977 lidhur me balancën ushtarake në Gadishullin Korean, duke mbështetur gjetjet e Armstrong dhe duke deklaruar se “kur matet vetëm nga fuqia e zjarrit, balanca ka lëvizur nga thuajse barazia në 1970 drejt një avantazhi të spikatur për Veriun në 1977”. Për pasojë, raporti argumentonte për një rivlerësim të politikës së tërheqjes. House Armed Forces Committee i përsëriti gjetjet e Senatit në një raport tjetër po atë vit, duke deklaruar se “koreanoveriorët posedojnë aftësinë për ta sulmuar Jugun me një minimum paralajmërim dhe se Divizioni i II-të i Këmbësorisë nevojitet për një mbrojtje të përshtatshme”.

Kjo opozitë legjislative e detyroi Carter që me gjysmë zemre të bëjë ligj Foreign Relations Authorization Act (Viti Fiskal 1978) në gusht të 1977, që përfshinte sa vijon: “(1) Politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Koresë duhet të vazhdojë që të arrihet nga një vendim i përbashkët i Presidentit dhe i Kongresit; (2) çdo implementim i politikës së Presidentit për një tërheqje me faza të trupave nga Koreja duhet të jetë në përputhje me interesat e sigurisë të Koresë së Jugut dhe interesat e Shteteve të Bashkuara në Azi, veçanërisht Japonisë (…)”. Duke pasur parasysh tensionet në rritje me Bashkimin Sovjetik dhe paqartësinë rreth marrëdhënieve amerikane me Kinën në atë të kohë, të cilat i preknin negativisht interesat e sigurisë e shteteve të sipërpërmendura, plus superioritetin e supozuar ushtarak konvencional e Koresë së Veriut, rasti i tërheqjes së trupave amerikane nga Koreja bëhej gjithnjë e më i dobët me kalimin e kohës.

Planet e tërheqjes së Presidentit më së fundi morën fund kur u bë e qartë se do të rezultonte e pamundur të ndryshohej opinioni i shumicës së establishmentit, që kishte një impakt jashtëzakonisht të madh ndaj proceseve burokratike dhe, për pasojë, implementimi i çdo direktive politike të ardhur nga Shtëpia e Bardhë, lidhur me tërheqjen e trupave. Në fund, Carter mbeti thuajse i vetëm në dëshirën e tij për t’i kthyer trupat në shtëpi. Një Special National Intelligence Estimate (SNIE) i hartuar nga CIA në pranverën e 1979 konfirmoi gjetjet kryesore të Armstrong dhe do të rezultonte gozhda e fundit në arkivolin e planeve të Carter. Në vitin 2011 Abramowitz nënvizonte se “burokracia u bë bashkë në kundërshtimin e vendimit të tërheqjes së trupave”, me këtë të fundit “të varrosur kur analiza e CIA-s arriti në konkluzionin se kapacitetet ushtarake e Koresë së Veriut qenë shumë më të mëdha nga sa ishte menduar”.

Në vijim të disa muajve lufte burokratike më shumë (të fshehura mjeshtërisht publikut) pas botimit të SNIE-s dhe i influencuar nga konsiderata të tjera gjeopolitike, kryesisht dëshirën e administratës Carter për të normalizuar lidhjet diplomatike me Kinën, pengesa të ndryshme të brendshme – Kongresi fillimisht refuzoi që ta rriste ndihmën ushtarake për Korenë e Jugut (një parakusht për çdo tërheqje ushtarake), përderisa po përjetonte akoma pasefektet e skandalit “Koreagate” – ashtu se rezultat i takimi të nxehtë midis Presidentit amerikan dhe udhëheqësit koreanojugor Park në korrik të 1979 pas një samiti ekonomik të G7-ës në Tokio, Carter vendosi që t’i braktisë planet e tij të tërheqjes po atë muaj.

Më 20 korrik 1979 Zbigniew Brzezinski, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Carter, u lexoi gazetarëve një deklaratë të tij: “Tërheqjet nga Koreja e elementëve luftarakë të Dvizionit të II-të do të mbesin pezull. (…) Koha dhe ritmi i tërheqjeve përtej këtyre do të rishqyrtohen në 1981. Në këtë rishikim Shtetet e Bashkuara do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë rivendosjes së një balance të kënaqshme ushtarake Veri – Jug dhe provës së një procesi të prekshëm drejt një reduktimi të tensioneve në Gadishull”.

Carter u largua nga posti në 1980 dhe rishqyrtimi i një tërheqjeje të trupave amerikane nuk u bë kurrë. Deep State kishte luajtur për të fituar kohë dhe ia kishte dalë me sukses. Në fund, Presidenti arriti që të tërheqë 3000 trupa nga gadishulli – thjesht nuk mos dërguar më zëvendësime për ushtarët në përfundimin e tureve normale të shërbimit të ture – bashkë me 450 prej rreth 700 armëve bërthamore.

Jimmy Carter mbetet akoma edhe sot skeptik lidhur me vlerësimin e komunitetit të inteligjencës: “Ka pasur lidhje mjaft të ngushta midis drejtuesve ushtarakë të dy vendeve tona (Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut), kështu që shumë presion (ndaj procesit politikëbërës) erdhi nga Pentagoni dhe CIA. Isha deridiku skepktik ndaj raporteve të inteligjencës së Koreja e Veriut e kishte dyfishuar madhësinë e forcave të armatosura brenda pak vitesh, por nuk kisha asnjë mundësi që t’i kundërshtoja”. Fjalia e fundit sërish tregon një ndjenjë frustrimi se në fund qe vlerësimi i komunitetit të inteligjencës ai që shkaktoi anullimin e politikës së tij ndaj Koresë së Veriut.

Për pasojë, me një tjetër President amerikan që merr sërish në konsideratë një largim të trupave amerikane nga gadishulli në të ardhmen e afërt dhe kundërshtimin ndaj kësaj orvatjeje të mundshme që tashmë po formohet, Shtëpia e Bardhë do të bënte mirë të rishikonte debatin politik e periudhës 1977 – 1979 dhe fatin e planeve të Carter lidhur me këtë pikë nëqoftëse dëshiron t’ia dalë me sukses aty ku dështoi Presidenti i 39-të amerikan.

(nga The Diplomat Magazine)

Përgatiti

ARMIN TIRANA