Shaqiri mund t’i shkaktojë probleme Liverpoolit…

104

Në një shkrim të grupit të tifozëve të Liverpoolit, Rousing the Kop, parashikohet se Xherdan Shaqiri do t’i shkaktojë probleme Liverpoolit gjatë afatit kalimtar të verës, pasi klubi anglez do ta ketë të vështirë t’i bindë lojtarët e tjerë t’i bashkohet skuadrës së tyre duke marrë parasysh mundësitë e pakta që i janë dhënë këtë sezon Shaqirit.

Minutat që iu ofruan Xherdan Shaqirit këtë sezon mund ta bëjnë transferimin e lojtarëve të rinj një detyrë të vështirë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, shkruan Rousing the Kop, transmeton Gazeta Express.

Është e qartë që Liverpooli është i lumtur me ekipin e parë. Formacioni i parë është i mbushur me lojtarë të cilët e kanë besimin e plotë të trajnerit Jurgen Klopp, i cili këtë verë nuk po kërkon lojtarë të tjerë të ekipit të parë.

Liverpooli dëshiron ta përforcojë bankën rezerve për t’u bërë rival i denjë i Manchester Cityt, që për shembull i ka katër sulmuesit anësorë më të shtrenjtë në historinë e Premierligës në skuadër.

Në anën tjetër, Liverpooli e transferoi Xherdan Shaqirin për 13.5 milionë funta gjatë verës së kaluar. Edhe pse golat e Shaqirit, veçanërisht gjatë pjesës së Krishtlindjeve rezultuan të jenë vendimtare, ai nuk ka luajtur për shumë minuta.

Përfaqësuesi zviceran me prejardhje nga Kosova ishte titullar në vetëm dy ndeshje të Premierligës gjatë vitit 2019, apo katër në përgjithësi. Ai u inkuadrua nga stoli në shtatë ndeshje të tjera, por vetëm për pak minuta para fundit të ndeshjeve.

Duke marrë parasysh se Liverpooli dëshiron të transferojë lojtarë për ta përforcuar bankën rezervë, aktivizimi i Shaqirit gjatë këtij sezoni mund jetë shqetësues.

Lojtarët e tjerë mund të mos e duan transferimin për shkak se Kloppi preferon të luajë me të njëjtin formacion të parë në ndeshjet e tij dhe lojtarët e rinj duhet të garojnë kundër Shaqirit dhe të tjerëve që tashmë janë në skuadrën e Liverpoolit.