Mbi 10 mijë kërkesa për azil nga Shqipëria drejt vendeve të BE nga Janari në mars

113

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku ka vënë alarmin sot për dramën e rëndë që po përjetojnë shqiptarët sërish pas viteve  ’90, largimin masiv nga vendi dhe për këtë ikje akuzon vetëm qeverisjen në pushtet që ka kapur të gjitha rekordet në këtë drejtim.

“Kjo mazhorancë po e bjerr Shqipërinë nga shqiptarët. Shqipëria e para në rajon dhe e treta në botë për numrin e azilkërkuesve! – shkruan Tabaku në Fb, duke analizuar gjithmonë shifart zyrtare të institucioneve.

“Sa më e zhurmshme bëhet propaganda e qeverisë aq më shumë shqiptarët largohen nga gjoja parajsa e rilindjes që shfaqet në ekranet e televizive apo median personale tëkryeministrit. Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare raportojnë se Shqipëria është vendi i parë në rajon sa i takon azilkërkuesve.

Nga janari i këtij viti deri në mars janë 6267 shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE ndërkohë që rastet e mbajtura në shqyrtim i kalojnë 10 mijë kërkesave për azil. Sipas statistikave shqiptarët përbëjnë 4% të totalit prej 55 mijë azilkërkues për marsin 2019.

Kjo plagë e thellë dhe e dëmshme për shoqërinë tonë dhe për të ardhmen e vendit vazhdon të dëmtojë popullatën e vendit duke e bjerrur atë përditë e më shumë. Janë 43 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil nga viti 2017 deri në 2018 ndërsa numrat në rritje për vitin 2019 na rendisin si vendi me më shumë azilkërkues pas Irakut, Iranit dhe vendeve të tjera që janë në konflikt.

Janë këto shifra që nuk blihen dhe as nuk paguhen nga opozita që ofrojnë panoramën më dramatike të Shqipërisë sonë. Një vend që lëngon dhe tkurret përditë e më shumë nga largimi i shqiptarëve sepse nuk shohin shpresë. Gjendja e rënduar ekonomike, gjendja e rënduar e qeverisë së korruptuar, përqëndrimi i çdo pushteti ekonomik në duart e oligarkëve si dhe atij politik në duart e një mazhorance të korruptuar, ka zhbërë në themel mobilitetin shoqëror dhe mundësinë për të jetuar në Shqipëri.

Beteja e Partisë Demokratike është kthimi i besimit tek secili prej nesh. Çlirimi i ekonomisë nga kthetrat e oligarkëve që kanë mbytur ekonominë e tregut duke e centralizuar. Çlrimin e politikës nga inkriminimi dhe betejë e pakompromistë ndaj korrupsionit dhe krimit. Unë e di që duhet të merren vendime të rëndësishme, e di që nuk do të jetë e lehtë për te rikthyer shpresën, por zgjidhje tjetër nuk ka! Ose ta ndërtojmë këtu Europën tonë, ose ta lëmë Shqipërinë të degradojë në një rrugë pa kthim! Shqiptarët do të zgjedhin të parën!’ përfundon shënimin e saj Jorida Tabaku.