Afërsi dhe divergjenca midis sovranëve të Gjirit Persik

90

Princat trashëgimtarë të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndajnë objektivin e rimodelimit të rajonit. Ama strategjitë e tyre janë shumë të ndryshme.

Nofka e Mohammed bin Salman, Princit Trashëgimtar të Mbretërisë saudite, është e njohur: “Mizori”. Një kualifikim që e ka fituar prej kohës, shumë përpara vrasjes së Jamal Khashoggi dhe sekuestrimit të fisnikëve dhe funksionarëve sauditë në Hotelin Ritz-Carlton të Riadit. Kurse Mohammed bin Zayed, Princi Trashëgimtar i Abu Dhabi, nuk ka nofka. Një sinjal, veç të tjerash, i faktit që njeriu i fortë i Emirateve të Bashkuara Arabe është një personalitet i mësuar për të vepruar në hije, influenca e të cilit është proporcionalisht inverse me shikueshmërinë. Nëse do të duhej të kishte një nofkë ajo mund të ishte “Buratini”, duke qenë se ekspertët e Gadishullit Arabik e konsiderojnë mentorin apo trajinerin e lideri saudit. Të dy janë të impenjuar në konfliktin jemenas, në luftën ekonomike kundër Katarit dhe në shtypjen e çdo opozite në vendet e tyre. megjithatë të dy burrat, që nuk janë të së njëjtës gjeneratë (Bin Zayed është 57 vjeç, kurse Bin Salman thuajse 34), kanë personalitete shumë të ndryshme.

Mohammed bin Salman (i njohur me siglën MBS) është aq gjaknxehtë, i pakontrollueshëm dhe në kërkim të pareshtur shikueshmërië, sa Mohammed bin Zayed (MBZ) i shmanget publicitetit. Pak imazhe, pak diskutime, shumë pak shfaqje publike. Një hulumtues e ka përshkruar si “ana e fshehtë e Hënës”. “MBS sauditi” është i njohur tashmë në botë për menaxhimin kaotik e vendit të tij dhe prej një serie mossuksesesh të bujshme: lufta e Jemenit, ku Riadi ka ngecur aty; dështimi i embargos së bërë për të mbytur Katarin; humbja e çdo influence reale në konfliktet në vazhdim në portat e vendit të tij, në Siri dhe në Irak. Këtyre u shtohen paqartësitë që peshojnë mbi programin ambicioz të reformave ekonomike “Saudi Vision 2030”, i shpallur nga Bin Salman me fanfarë të madhe më 2016. Veç të tjerash, plani i ngjan “Abu Dhabi Vision 2030”, të cilin Bin Zayed e ka njoftuar më 2007 dhe që, në ndryshim nga ai saudit, nuk është i zhytyr në rërë.

Hapësirë të rinjve

Në kundërshtim nga dishepulli i tij, “MBZ emiratasi” është një llogaritës dhe një strateg i madh. Ngjitja e tij në pushtet në Abu Dhabi, shtetin më të pasur e më të fuqishëm të federatës së Emirateve të Bashkuara Arabe, ka ndodhur në surdinë. Pak e nga pak ka future në dorë pjesën më të madhe e aktiviteteve të Emiratit dhe mban tashmë levat e pushtetit pa qenë formalisht mbret, sidomos pasi që vëllai i tij për babë Khalifa, Presidenti zyrtar i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sovran i Abu Dhabi, ka pësuar një iktus më 2014 dhe qysh atëhere nuk e ka më një rol politik. Është të qenit e tij një njeri aksioni që duket se e tërheq Princin saudit. Zëvendëskomandat i Përgjithshëm i ushtrisë më efikase të Gjirit, Bin Zayed është diplomuar në Royal Military Academy të Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka qenë në Afganistan si pilot dhe parashutist. Kurse Bin Salman, megjithëse është Ministër Mbrojtjeje, nuk ka përvojë ushtarake. Megjithatë, MBZ ka dashur që ta ngjisë sa më shpejt të jetë e mundur në majën e mbretërisë: Mbreti Salman bin Abdulaziz, i moshuar, i lodhur dhe i sëmurë, në fakt nuk e ka më drejtimin e vendit. Princi Trashëgimtar i Abu Dhabi është midis atyre që e konsiderojnë të nevojshme ngjitjen në pushtet të një gjenerate të re princash sauditë. Një kabllogram diplomatik i firmosur në tetorin e 2009 nga Richard Olson, ambassador amerikan në Emirate, i zbuluar më pas nga WikiLeaks, tregon mosbesimin e tij ndaj gardës së vjetër saudite: “Lidershipi në Abu Dhabi nuk humbet rast për t’u bërë me dije funksionarëve amerikanë në kali maty opinionin e tij se mbretëria qeveriset nga plakaruqë të mbaruar të rrethuar nga këshilltarë të bindur se Toka është e sheshtë”.

Por ardhja në pushtet e MBS nuk ka qenë e sigurtë. Princi ishte i dyti në radhën e suksesionit në fron pas kushëririt të tij, Princit Trashëgimtar Mohammed bin Nayef, i quajtur MBN. Në garën për fron ky i fundit dukej favoriti: kishte preferencën e vendeve perëndimore, sidomos të Shteteve të bashkuara, që ia çmonin aftësinë e tij në luftimin e terrorizmit dhe shpartallimin e al Qaedas në Gadishullin Arabik (AQPA). Dukej kështi partneri më i besuar krahasuar me MBS, që ishte totalisht i privuar nga përvoja. Vetëm se MBN nuk kishte mbështetjen e Bin Zayed. Sipas një kabllogrami tjetër amerikan, përballë mënyrave të tij qesharake, Bin Zayed nënvizonte se “Darwin kishte të drejtë”. Tek ai shikonte vazhdimësinë e rendit të vjetër saudit, që e konsideronte të papërshtatshëm ndaj sferës së sfidave rajonale dhe, me hir apo me pahir, një afërsi të presupozuar me Sheikun Hamad bin Khalifa al Thani, Emiri i Katarit (deri në abdikimin më 2013 në favor të të birit), një prej armiqve të tij për shkak të afërsisë me lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane.

Kështu, MBZ i është bashkuar frontit të atyre që në mbretërinë saudite shtynin për daljen nga skena të Bin Nayef. Dhe në fund e kanë arritur: dekreti mbretëror i 21 qershorit 2017 ka përmbysur rendin e suksesionit dhe e ka shkarkuar Bin Nayef nga të gjitha funksionet e tij. sipas burimeve të afërta me familjen, Princi është në arrest shtëpie në pallatin e tij të madh në Xhedah. Në këtë pikë mbetej për t’ju imponuar princi i ri trashëgimtar Shteteve të Bashkuara. “MBZ është impenjuar shumë për ta promovuar MBS në Uashington, ku ka mbështetje të mira”, nënvizon David Rigoulet-Roze, Docent francez ekspert i Gjirit dhe Drejtor i revistës “Orients Stratégiques”. Në këmbim, e ka shtyrë që të plotësojë dy kushte të domosdoshme në planin e brendshëm. I pari ishte t’u demonstrohej Shteteve të Bashkuara se ishte njeriu i duhur, duke promovuar një politikë reformash strukturore, ekonomike e sociale, por edhe të zakoneve. I dyti, i lidhur me të parin, ishte të frenohej pesha e wahabizmit, që mund të përbënte një hipotekë në suksesin e reformave, duke qenë se axhustimet politike të brendshme të mbretërisë nuk do të ishin të lehta të realizoheshin. Rigoulet-Roze shpjegon se të dy liderët kishin edhe qëllimin që të “realizonin në planin ndërkombëtar një afrim me Izraelin, gjë që do të shpjegonte raportet që Bin Salman ka vendosur me Jared Kushner, dhëndërr i Presidentit amerikan, 30 vjeçar si ai”.

Programe dhe aleanca

Sulmi i përbashkët ndaj Jemenit në marsin e 2015 ka konsakruar aleancën midis Bin Zayed dhe Bin Salman. Por ujdia e tyre nuk është pa probleme. “Çështja jemenase ka bërë të dalin në sipërfaqe divergjenca jo të kalueshme”, vëren David Rigoulet-Roze. “Parasëgjithash pse armiqtë e tyre kryesorë nuk janë të njëjtit. Në Jemen, si edhe tjetërkund, për MBZ është vëllazëria Myslimane, të akuzuar për krimet më të shëmtuara, akoma më shumë se Irani, i perceptuar si një kërcënim për të gjithë rajonin. Kurse për MBS janë rebelët houthi, për mbështetjen e supozuar që marrin nga armiku i tij i betuar: Irani”. Sipas studiuesit francez, në Jemen të dy nuk kanë të njëjtat objektiva: “Princi Trashëgimtar i Abu Dhabi do të donte të siguronte kontrollin e jugut të vendit të tij (në të kaluarën Jemeni i Jugut) dhe mbi Ngushticën e Bab al Mandeb, me objektivin e vendosjes së një pranie direkte mbi rrugët detare e Gjirit deri në Detin e Kuq nëpërmjet bregut jemenas”.

Një strategji e vërtetë afatgjatë “shumë e ndryshme nga ndërhyrja saudite në Jemen, strategjia e së cilës është padyshim konfuze”. Sipas Marc Lavergne të Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor në Paris dhe specialist i Gjirit dhe i Bririt të Afrikës, “ekspansioni detar i Emirateve është i lidhur me ambiciet kineze”. Kjo strategji aleance “synon që të hapë rrugën në Afrikë dhe ka si objektiva investimet dhe sigurinë ushqimore” e Emirateve, një vend në gjueti për territor dhe lëndë të para. Për Lavergne bëhet fjalë për “një kolonizim të ri, konturet e të cilit nuk janë ende plotësisht të përcaktuara”. Veç kësaj, kjo strategji futet “në kuadrin e ezaurimit të ardhshëm të resurseve petrolifere dhe e tërheqjes së amerikanëve nga rajoni”.

Emirate e Bashkuara Arabe, sidomos Dubai, Sharja dhe Ras al Khaima, paraqiten kështu si avampost i politikës ekspansioniste kineze të të ashtuquajturave “Rrugë të Reja të Mëndafshit”. Gjenden në kufirin e Oqeanit Indian dhe janë përballë portit pakistanez të Gëadar, pika kryesore e daljes në Gji e këtyre “rrugëve të reja” kineze. Në shkelje të çdo rregulli ndërkombëtar, në 2018 Emiratet e kanë çuar ushtrinë e tyre në ishullin jemenas të Socotra dhe kanë zbarkuar në Ngushticën e Bab al Mandeb, portën në Detin e Kuq. Njëkohësisht, pak e nga pak Abu Dhabi po pushton bregdetin afrikan, duke u vendosur në portet e Somaliland (në Berbera), të Eritresë (në Assab dhe Massawa), deri në Sudan. “Emiratet mund të projektohen jashtë, ndërsa Arabia Saudite nuk ka arritur akoma t’i zgjidhë problemet e saj të brenshme, në planin ekonomik, social e kulturor”, vazhdon Lavergne.

“Pushteti saudit e ka marxhinalizuar inteligjencën e saj, domethënë elitën teknokratike, elitën Shiite dhe familjet e mëdha të tregtarëve të Hixhazit, rajonit veriperëndimor të Gadishullit Arabik, hapësira natyrale e të cilit është Deti i Kuq. Këto elita kanë akoma rrjetet e tyre, por nuk kanë asnjë pushtet politik. Është e qartë që MBS nuk ka as vitalitetin dhe as dinamizmin e mentorit të tij për të bërë një strategji”. Sot çështja jemenase përbën një burim tensioni midis Arabisë Saudite dhe Emirateve. Një hulumtues që ka kërkuar të mbesë anonym se “në luftën e tij kundër houthive, Riadi ka marrë kontakte me lëvizjen ISLAH (partinë që përmbledh Vëllazërinë Myslimane dhe salafitët), duke shkelur atë që për Abu Dhabi është një vijë e kuqe”. Nga ana tjetër, gjithmonë për shkak të kësaj urrejtjeje ndaj Vëllazërisë Myslimane, “ushtria e Abu Dhabi ka lidhur në Jemen aleanca me formacione shumë më ekstremiste, me grupe salafite e xhihadiste, një lëvizje e papranueshme për regjimin saudit”, vazhdon hulumtuesi.

Minimum i domosdoshëm

Dy çështje të tjera kanë krijuar një distancë midis Bin Zayed dhe Bin Salman. E para ka të bëjë me Kryeministrin libanez Saad Hariri, që në nëntorin e 2017 është mbajtur në Arabi Saudite dhe i shtrënguar që të dorëhiqet. Në këtë rast, njeriu i fortë i Abu Dhabi ka shtyrë Presidentin francez Emmanuel Macron që të ndërhyjë dhe të shkojë në Riad për ta “liruar” Hariri. E dyta është vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, eliminimi gjakatar i të cilit njollos reputacionin e MBZ si mentor i princit saudit. David Rigoulet-Roze vëren se “kur MBZ ka mbrritur në Riad më 10 nëntor 2018, MBS mungonte në ceremoninë e mirseardhjes, një fakt anormal, pasi në vizitat e mëparshme e Princit Trashëgimtar të Abu Dhabi MBS ishte dukshëm në krye të kortezhit”.

Studiuesi nënvizon se në rastin Khashoggi “MBZ është pëprjekur që të qëndrojë sa më shumë të jetë e mundur larg nga furtuna ndërkombëtare që ka shpërthyer dhe e ka ekspozuar ndjeshëm MBS”. Disa prisnin një pozicionim më të fortë nga ana e tij, por Bin Zayed, i vetëdijshëm për postin në lojë dhe dukshëm kundër menaxhimit katastrofik të rastit, ka bërë minimumin e domosdoshëm, vazhdon Rigoulet-Roze, “duke u kufizuar që ta shprehë solidaritetin ndaj MBS vetëm me fjalë, një gjest i konsideruar shumë i dobët nga i interesuari. Është fakt që ose Princi Trashëgimtar saudit nuk ka denjuar ta presë personalisht MBZ për t’i manifestuar pakënaqësinë e tij apo ka qenë ky i fundit që ka preferuar të mos pritet nga MBS përpara se të takonte kokë më kokë Mbretin Salman”.

Pa mentorin e tij, Princi Trashëgimtar saudit do të mbetej i vetëm, duke parë boshllëkun që ka krijuar rreth vetes. Pastaj, ka edhe një diferencë tjetër midis tij dhe Bin Zayed: Princi i Abu Dhabi nuk ka bërë spastrime. “Është e vërtetë se aim ban frenat në dorë?”, pyet Lavergne. “Në pallatin e tij diskutohet shumë dhe rreth tij ndodhen tekrokratë të rinj, edhe ata princa, të gjithë njerëz me vlerë. Vetë MBZ ka një popullaritet të madh. Liderët e Emirateve janë si guidat, kanë besimin e njerëzve. Është e qartë: kur MBZ shëtit me biçikletë, të nesërmen nuk gjen as edhe një biçikletë të disponueshme nëpër dyqane”.

Por mbetet fakti që pas kësaj fasade të qeshur fshihet një realitet shumë i errët: refuzimi i çdo opozite politike dhe tolerance zero ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me islamin politik. “Nuk kanë kuptuar se për t siguruar stabilitet duhet lejuar një frymëmarrje e caktuar”, komenton Lavergne. Vëllazëria Myslimane pëson procese masive, midis të cilëve ai i verës së 2014, ku 64 persona janë dënuar midis 7 dhe 15 viteve. Kjo rreptësi i pëlqen Parisit. Gjatë inaugurimit të Louvre në Abu Dhabi, më 8 nëntor 2018, Emmanuel Macron ka deklaruar: “Për luftën kundër terrorizimit ekzistojnë prej kohësh shkëmbime me Emiratet që janë thelluar më tej dhe paqyrojnë besimin në këtë partneritet”.

Keto lidhje janë forcuar edhe më nga prania e bazës ushtarake franceze e Al Dhafra, e inauguruar në majin e 2009 nga Presidenti i atëhershëm Nicolas Sarkozy. Rigoulet-Roze shpjegon se marrëdhëniet midis Francës dhe Emirateve janë të shënuara nga besimi në faktin që Abu Dhabi ka prej kohësh një qëndrim intransigjent ndaj gjithë islamizmit. Një intransigjencë deri pak kohë më parë shumë më pak e dukshme nga ana e Doha apo e Riadit. Syudiuesi shton se mund të bëhet fjalë për “një formë “atraksioni emiratas” nga ana e Macron, siç ka pasur në të kaluarën një atraksion saudit të François Hollande dhe një atraksion kataras të Sarkozy”.

(Jean-Pierre Perrin për Mediapart)

Përgatiti

ARMIN TIRANA