“Viktima” të vërteta…, ja pse Messi i preferon ekipet angleze në Champions

41

Leo Messi shënon gola për të tërë, është një makth për të gjitha ekipet kundërshtare, “rregull” nga i cili nuk shpëtojnë dot as ato angleze. Që nga shfaqja e tij në elitën e futbollit kontinental, gjeniu argjentinas është përballur me kundërshtarë të Premier League në 31 raste. Bilanci është: 22 gola dhe 7 asiste. Me këto 22 gola, Messi është golashënuesi më i mirë kundër skuadrave angleze në historinë e Ligës së Kampionëve.

Këtë sezon, ai realizoi dopietë në “Wembley”, ndaj Tottenham. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mbeti “thatë” në çerekfinalen e parë ndaj Manchester United, por do të synojë të ndryshojë sjellje ndaj po këtij kundërshtari, të martën në mbrëmje. “10” e Barcelonës ka shënuar në dy finale ndaj “Djajve të Kuq”, në atë të vitit 2009 dhe 2011, në Londër dhe në Romë. Ashtu si në çerekfinalen e parë të Champions-it të këtij sezoni, Messi nuk mundi t’i shënonte Manchester United edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (2007-2008).

Me gjithsej 108 gola në Ligën e Kampionëve, kapiteni azulgrana ka një “viktimë” angleze të preferuar, Arsenalin, të cilit i ka shënuar 9 gola në 6 ndeshje, me një “poker” të përfshirë këtu, në çerekfinalen e vitit 2010, në “Camp Nou”. Manchester City ka pësuar 6 gola nga Messi, në po kaq ndeshje; ndërsa Chelsea, deri në sezonin e kaluar i pamposhtur nga argjentinasi, pësoi 3 gola në dy sfidat e 1/8 finale.

Ekziston një ekip tjetër anglez, ndaj të cilit Messi nuk ka qenë në gjendje të shënojë, Liverpool, edhe pse ka pasur vetëm dy shanse ndaj tij, në Ligën e Kampioneve (2006-2007). Asokohe, “Reds” e kaluan raundin me katalanasit. Nëse parashikimet përmbushen, Barça dhe Liverpool mund të përballen në gjysmëfinalet e edicionit aktual të Champions-it.