“Messi i ri” kthehet në rezervë luksi, Dybala bën gati valixhet

89

Juventusi është në pikën më delikate të sezonit, sepse ëndrra Champions League është gjithnjë e më e realizueshme, në një sezon ku emra si Real Madrid e Bayern kanë hapur krahun. Megjithatë, drejtuesit e Juves duhet të mendojnë edhe për të ardhmen, sepse ka disa çështje, duke nisur nga Paulo Dybala.

La Joya, i cili para pak vitesh konsiderohej si “Lionel Messi i ri”, duket se ka mbërritur në fundin e rrugëtimit si bardhezi, sepse mbërritja e Ronaldos e ka lënë në hije dhe tashmë ka shpërthyer edhe Moise Kean, i cili ka shënuar më shumë se Dybala, duke luajtur vetëm 300 minuta në Serinë A.

CR7 mori frerët e sulmit dhe Dybala u largua nga porta kundërshtare, duke u bërë gjithnjë e më pak vendimtar në sulm, me golat që kanë shteruar.

Natyrisht, shumë gjëra do të varen nga përfundimi i aventurës në Champions League, sepse Max Allegri me shumë gjasa do të vendosë për të ardhmen edhe në varësi të misionit europian. Është e qartë se trajneri bardhezi nuk e konsideron lojtar kyç Dybala-n, i cili luajti 90 minuta ndaj Spalit, duke marrë sinjalin se për Ajax-in nuk është në planet e trajnerit.

Ndonëse nuk ka bërë fjalë deri tani, Dybala nuk vazhdon më nëse nuk i garantohet hapësirë dhe Juve nuk ka ndërmend të mbajë futbollist pa dëshirë në ekip. Me 80-100 milionë argjentinasi largohet dhe Atletico Madrid, Real Madrid, Bayern e Inter janë gati të bëjnë sakrifica të mëdha financiare, edhe pse pista zikaltër nuk merret fare në konsideratë nga Juve, që nuk dëshiron të përforcojë rivalin direkt.