Lubonja: Vendi drejt humnerës, e ashtuquajtura opozitë e re po krijohet nga Rama

76

Analisti Fatos Lubonja shprehet se lëvizja e re opozitare, është në shërbim të qeverisë dhe jo një lëvizje e mirëfilltë politike. Sipas Lubonjës, opozita e re nuk do të ketë sukses, pasi është zgjedhur momenti i gabuar.

“Lëvizja e re opozitare është një instrument i qeverisë, që i shërben vetëm Edi Ramës. Ka patur lëvizje të re opozitare të suksesshme në Shqipëri, por forca aktuale tani që po krijohet, nuk ka asnjë rëndësi. Dalja kundër në këtë moment i kësaj lëvizje, është i gabuar dhe nuk do të ketë sukses”, – thotë Fatos Lubonja.

Sipas analistit të njohur duhet një projekt i ri, e figura të reja që ngjallin shpresë dhe jo figura të vjetra që janë konsumuar tashmë.
“Duhet një projekt i ri që të ngjallë shpresë dhe figura të cilat mos të vijnë nga partitë aktuale.

Nuk mund të ngrihet një forcë e re politike, duke u mbështetur tek figura e Azem Hajdarit. Figurat që po e krijojnë opozitën e re, janë të konsumuara. Këto emra janë një pe i përdorur, që të qepin këtë fasadë të grisur, por nuk mund të krijojnë një opozitë të besueshme.

Nuk ka dyshim që Rama, nëse futet në zgjedhje me opozitën e re, do të fitojë të gjitha bashkitë. Vendi po shkon gjithnjë e më shumë në humnerë, nga pikëpamje ekonomike, për demokracinë etj. Zonjës Hajdari i thonë e zgjodhën se është e bija e Azem Hajdarit, por për mua problemet e PD fillojnë që me Azem Hajdarin.

Pse u vra Azem Hajdari? Për histori të fortësh. Ai u vra nga disa të fortë që ishin të lidhur me PS. Ai u vra sepse ishte tek ata që quhen të fortët e PD. Kjo analizë fillon që me të fortët. E kam dhe me oligarkinë por edhe me ata të fortët e zonave elektorale. Të thuash që Azem Hajdari ishte një idealist dhe vajza erdhi si e tillë është të mashtrosh, është një problem i madh”– thekson Fatos Lubonja.