Konferenca ndërkombëtare: Quo Vadis Shqipëri? Nga njëra anë emigracion, nga ana tjetër popullsi në rënie

137

Në Konferencën e Pranverës të Institutit Vjenez për Studimet e Ekonomisë Botërore që fillon sot (04.04) do të diskutohen ndryshimet demografike në vendet e Europës Lindore e Juglindore dhe pasojat e emigrimit masiv për tregun e punës.

Fenomeni i largimit të fuqisë punëtore prek edhe Shqipërinë, Kosovën e rajonin. Ekspertja e këtij instituti, Isilda Mara flet për pasojat e emigrimit për Shqipërinë.

Deutsche Ëelle: Raporti i Institutit të Vjenës për Studimet e Ekonomisë Botërore (WIIW) hedh dritë mbi një problem të rëndësishëm -mungesën e fuqisë punëtore në vendet e rajonit europianolindor. Sa akut është ky problem për Shqipërinë?

Isilda Mara. Po, edhe për Shqipërinë është problem. Gjatë dekadës së fundit, 2011-2017, Shqipëria ka pasur mesatarisht një rritje natyrore të popullsisë me një plus rreth 4.2% dhe një normë mesatare të emigracionit neto (differenca midis atyre që emigrojnë ose largohen nga vendi dhe atyre që imigrojnë në Shqipëri) me një minus 6%, pra duke rezultuar në një reduktim të popullsisë me 1.8%.

Gjatë 4 viteve të fundit shtesa natyrore e popullsisë është përgjysmuar. Sigurisht rënia e fertilitetit në nivelin 1.7 ( nr i lindjeve për grua) është një faktor që shpjegon rënien. Megjithatë tashmë jo vetëm faktori emigracion, por edhe shtesa natyrore e popullsisë po ndikojnë njëkohësisht në rënien dhe plakjen e popullsisë.

Eksperti i Institutit Vjenez që punoi për studimin, zoti Richard Grieveson tha, se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në kohë paqeje në rajonin europianojuglindor e lindor – kaq dramatike është gjendja?

Isilda Mara: Gjendja eshte dramatike në sensin se jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Europës Lindore tashmë kanë humbur një pjesë të mirë të forcës punëtore dhe aktive dhe nuk e kanë më atë bonus apo divident demografik që kanë pasur të paktën tre dekada më parë.

Këto vende, përfshi edhe Shqipërinë, për më tepër kanë humbur jo vetëm të rinj, por edhe më të kualifikuarit. Me një normë fertiliteti që ka konverguar në nivelin e 1.57 – krahasuar ajo e vendeve të Europës Perendimore – EU-1.5 – është e vështirë të imagjinosh sesi këto vende mund të rikuperojnë apo gjejnë një zgjidhje afatshkurtër, por edhe afatgjatë për të përmbysur trendin negativ të rritjes së popullsisë.

A ka të dhëna, se në cilët sektorë shfaqet më shumë mungesa e fuqisë punëtore?

Isilda Mara: Po nga burime të ndryshme informacioni ka të dhena se jo vetëm sektorët që kërkojnë punëtorë të kualifikuar po përballen me vëhtirësi në gjetjen e stafit dhe plotësimin e vakancave, por edhe sektorë të tjerë janë duke u përballur me sfida të ngjashme.

Në Shqipëri sektori më i prekur është ai i mjekëve dhe infermierëve. Edhe Sllovakia ka vështirësi në gjetjen e infermierëve, mjekëve, por edhe profesionistëve si inxhinierë, përpunues të database, punonjës të montimit të pajisjeve dhe makinerive, por edhe punonjës të shitjeve dhe shërbimeve.

Cilat janë pasojat e këtij fenomeni për vendet e rajonit?

Isilda Mara: Pasojat janë sigurisht së pari demografike: plakje dhe tkurrje e popullsisë; pra mungesa e kapitalit human për shkak se të rinjtë dhe ata që janë të kualifikuar kanë emigruar dhe vazhdojnë të emigrojnë.

Pasoja tjetër është në zhvillim, për shkak se rritja ekonomike mund të ndikohet negativisht, nëse sektorët në zhvillim dhe ekspansion përballen me sfidën e gjetjes së krahut të punës dhe me kualifikimet dhe aftësitë e nevojshme.

Çfarë duhet të bëjë politika e këtyre vendeve konkretisht për ta zbutur këtë problem?

Isilda Mara: Sigurisht duhen ndjekur politikat, të cilat mund të zbusin rritjen negative të popullsisë, rritja e fertilitetit po ashtu, këto janë faktorë që e tregojnë efektin në terma afatgjatë.

Në ato afatshkurtër termi imigracion nga vendet e tjera mund të jetë një opcion i shpejtë, megjithatë duke pasur parasysh sfidat e migracionit, me të cilat po përballet BE, duhet theksuar, se migracioni mbetet një alternativë shumë e diskutueshme.

Po konkretisht Shqipëria?

Isilda Mara: Nëse do të merrja parasysh Shqipërinë shumë e rëndësishme që të zbutet emigracioni, kjo duke afruar perspektiva më të mira për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri. Faktor tjetër që duhet të merret në konsideratë është edhe diaspora – përfshirja e saj më aktive për thithjen e investimeve dhe knoë-hoë, kjo duhet parë me përparësi dhe në këtë drejtim duhen ndërmarrë hapa. Gjithashtu remitancat – aspekti positiv i emigracionit të lartë – nuk duhet thjesht të shkojnë për konsum por të kanalizohen në investime dhe gjenerim vendesh pune.

Studimi i Institutit Vjenez përmend digjitalizimin dhe automatizimin e punës, si një mundësi për t’u përballur me mungesën e fuqisë punëtore Sa mund të ndihmojë ai, kur këto vende janë ende shumë pas niveleve europiane?

Isilda Mara: Dixhitalizimi sigurisht është një mundësi e mirë, megjithatë digjitalizimi është një element komplementar, ai është për ato profesione që kërkojnë “hard skills” dhe mund të ndihmojë pak për ato profesione, të cilat kërkojnë soft skills. Vendeve të Europes lindore u mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim.

Isilda Mara është eksperte e Institutit Vjenez për Studimet e Ekonomisë Botërore, ËIIË me fokus Shqipërinë dhe Kosovën. Ajo mban titullin doktore e shkencave ekonomike nga Universiteti i Torinos, Itali.