KLSH zbulon dëme kolosale: 1.7 miliardë euro dëm ekonomik nga zyrtarët e Ramës!

130

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë auditimeve të zhvilluara vitin e shkuar dëme kolosale në financat e shtetit e lidhur kjo si në kahun e shpenzimeve ashtu edhe të të ardhurave të munguara që duhet të ishin arkëtuar. Në raportin e performancës së institucionit të dorëzuar në Kuvend për vitin e shkuar, KLSH vlerëson se në total janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik në shumën 213.9 miliard lekë ose afërsisht 1,711.1 milionë euro“.

Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 24.1 miliard lekë ose 193 milionë euro. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 189.8 miliard lekë, afërsisht 1,518 milionë euro nga e cila: 116 miliard lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 923 milionë euro dhe 73.8 miliard lekë afërsisht 587 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve” thuhet në raport.

Detyrimet e prapambetura në rritje
KLSH ka nënvizuar se ka një problematikë të theksuar nga ana e institucioneve publike lidhur me detyrimet e prapambetura. Sipas këtij institucioni paratë e buxhetit në një pjesë të mirë të rasteve shkojnë për punë që duhet të ishin paguar me kohë çka bën ul efektin që kanë këto shpenzime në jetën e qytetarëve.

“Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjetor shkon për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të viteve të kaluara duke mos prodhuar rritje reale të buxhetit, por pagesa për shërbime dhe të mira që janë realizuar në vitet e mëparshme buxhetore. Nga KLSH u konstatuan 6,857 pagesa të faturave dhe detyrimeve të prapambetura në shumën 8.7 miliardë lekë.

Ndërkohë u analizuan pagesat e kryera gjatë 7-mujorit 2018 ne zërin shpenzime kapitale ku rezulton se pagesat e lidhura me fatura që mbajnë datë 2017 janë në vlerë 11.5 miliardë lekë, duke treguar që gjatë vitit 2017 detyrimet e prapambetura janë rritur “thuhet në raport.

I njëjti vlerëson se deklarimi i faturave për detyrimet e prapambetura nuk është i saktë dhe i plotë. Si rrjedhim sipas KLSH gjendja e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2017, duhej të ishte raportuar të paktën 19 miliardë lekë. Kjo shifër është më e lartë duke marrë në konsideratë edhe llogaritë e tjera dhe pasaktësitë e konstatuara në datat e faturave.

Po kështu kontratat e lidhura nëpërmjet ndërmarrjes së angazhimeve buxhetore kryhen në disa raste përtej afateve të vendosura në Ligjin e Buxhetit duke shkaktuar krijim të detyrimeve të prapambetura.

“Në vijim janë analizuar dhe grupuar data të kontratave të regjistruara me datën e krijimit në sistem ku rezultojnë gjithsej 16,795 raste ose 72% e gjithë kontratave të regjistruara gjatë vitit 2017 në shkelje të afateve të përcaktuara me vlerë 62.9 miliardë lekë. Numri më i lartë i shkeljeve konstatohet në njësitë e qeverisjes vendore: tipikisht Bashkia Tiranë, Durrës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, pohon KLSH.

Po kështu sistemet e parandalimit të krijimit të detyrimeve të prapambetura dhe marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore sipas KLSH, megjithëse të ndërtuara nuk janë efikase. “Sistemet e detektimit dhe marrjes së masave janë të dobëta dhe kërkojnë përmirësim të ndjeshëm në monitorim dhe detektim”.

Borxhi publik sipas KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se përqendrimi i borxhit publik drejt huamarrjes së huaj ka sjellë rritjen ekspozimit ndaj riskut të normave të interesit.

“Menaxhimi i likuiditetit paraqitet me dobësi të theksuara i bazuar në një metodologji që ofron informacion të limituar dhe jo të konsoliduar nëpërmjet institucioneve kryesore shpenzuese dhe arkëtuese. Koordinimi ndërmjet strukturave të borxhit dhe likuiditetit është i dobët, duke u përqendruar vetëm tek monitorimi i pagesave sesa një menaxhim i mirëfilltë i flukseve hyrëse dhe dalëse” thuhet në raport.

Ashtu si edhe një vit më parë KLSH tërheq vëmendjen për mënyrën sesi bëhet llogaritja e borxhit publik dhe mos përfshirja e disa elementëve që nëse do të integroheshin do të nxirrnin një shifër të re të borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. /Monitor/