Gjermania: Marrëdhëniet me Shqipërinë më të ultat në rajon, probleme me tenderat dhe pronësinë e bizneseve

105

Anëtarët e shoqatave gjermano-shqiptare të ekonomisë kanë ngritur kohët e fundit gjithnjë e më shpesh shqetësimet për një politikë informacioni dhe transparencë të mangët p.sh. në lidhje me tenderët publikë dhe gjithashtu marrëdhënie pronësore të paqarta në objekte potenciale investimi.

Ambasadorja gjermane, Susanne Schütz, thotë se është një detyrë të rëndësishme e qeverisë, të pengojë që ky trend negativ të vazhdojë më tej. Shqipëria duhet të sigurojë kushtet e duhura themelore për investitorët potencialë – si shqiptarë ashtu dhe të huaj, ku më të rëndësishmet janë siguria, transparenca dhe një administratë mirë funksionale, efektive dhe jo e korruptuar.

Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor” se sipërmarrjet gjermane, pra ato potenciale, por edhe investitorët tashmë aktivë në tregun shqiptar, ankohen shpesh për një politikë informacioni dhe transparencë të mangët, p.sh. në lidhje me tenderët publikë dhe gjithashtu, marrëdhënie pronësore të paqarta në objekte potenciale investimi.

Schütz thotë se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë e Gjermanisë janë më të ulëta në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, pasi këto të fundit kanë pasur lidhje më të hershme me shtetin perëndimor. Ajo shton se sektorët kryesorë ku investitorët gjermanë kanë shprehur interes janë turizmi, energjia e gjelbër, por edhe bujqësia dhe sektori i shërbimeve.

-Ndërsa qeveria gjermane mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Shqipëri, marrëdhëniet tregtare nuk janë në nivele aq të larta. Si e shpjegoni nivelin e ulët të marrëdhënieve tregtare?
“Ne jemi krenarë për angazhimin tonë të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës në fushën e politikave për zhvillim. Kjo mbështetje është në të vërtetë e pavarur nga interesa të mundshme të sipërmarrjeve gjermane këtu në Shqipëri. Fluksi ndërkombëtar i mallrave ndikohet nga faktorë të ndryshëm.

Një kriter i rëndësishëm janë sigurisht doganat dhe barriera të tjera tregtare, por edhe faktori i afërsisë gjeografike luan një rol. Është gjithashtu e vërtetë që Shqipëria ndodhet në një konkurrencë globale për marrëdhënie tregtare dhe investime. Për të rritur peshën e tyre në ekonomi, aktorët e tregut nga Gjermania dhe vende të tjera, duhet të binden që Shqipëria është një destinacion tërheqës dhe ofron kushte të drejta.”

-Cilët janë sektorët konkretë ku investitorët gjermanë kanë shprehur interes për të investuar dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të konkretizuar interesin e tyre?
“Shqipëria ka një potencial të madh zhvillimi në shumë sektorë, ku bëjnë pjesë turizmi, sektori i energjisë së gjelbër, por edhe bujqësia dhe sektori i shërbimeve. Në të gjithë sektorët është po aq e rëndësishme të krijohen kushtet e duhura themelore për investitorët potencialë – si shqiptarë ashtu dhe të huaj.

Këtu vlejnë para së gjithash siguria, transparenca dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo e korruptuar. E rëndësishme është që investitorët potencialë nga Gjermania të priten krahëhapur nga pala shqiptare dhe të marrin prej saj një kujdes profesional.”

-Edhe në kahun e investimeve, Gjermania është partneri i dhjetë i Shqipërisë, për sa i përket stokut të investimeve të huaja në fund të tremujorit të tretë të 2018-s. Si e shpjegoni interesin e ulët të investitorëve privatë gjermanë për Shqipërinë? Në një dalje të fundit për shtyp ju deklaruat: “Për fat të keq, shpesh investitorët gjermanë dhe të huaj, të cilët kanë tashmë përvojë në tregun shqiptar, kanë shprehur kohët e fundit dyshime serioze dhe shqetësime të shtuara në lidhje me një mjedis jo ‘fair’ dhe solid në sektorin e ekonomisë në Shqipëri”. Konkretisht për çfarë e kishit fjalën dhe sa ndikon kjo klimë në tërheqjen e investimeve të huaja?

“Sipërmarrjet gjermane, pra ato potenciale, por edhe investitorët tashmë aktivë në tregun shqiptar, ankohen shpesh për një politikë informacioni dhe transparencë të mangët p.sh., në lidhje me tenderët publikë dhe, gjithashtu, marrëdhënie pronësore të paqarta në objekte potenciale investimi.

Mangësia në sjelljen e pagesave në tenderët publikë nuk kontribuon edhe në krijimin e një imazhi të mirë të Shqipërisë si destinacion biznesi. Të gjithë këto probleme janë ngritur kohët e fundit gjithnjë e më shpesh nga anëtarët e shoqatave gjermano-shqiptare të ekonomisë.

Unë e shoh këtë si një detyrë të rëndësishme të qeverisë, të pengojë që ky trend negativ të vazhdojë më tej. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë, të kundërshtojmë këtë përshtypje me shembuj pozitivë dhe të tregojmë që Shqipëria i mirëpret investitorët e huaj.”

-Sa po ndikon situata e fundit politike në klimën për të bërë biznes në vend dhe interesin e sipërmarrësve gjermanë për të investuar në Shqipëri?
“Natyrisht që edhe në mediat gjermane raportohet për situatën e politikës së brendshme në Shqipëri dhe konfrontimet e dhunshme në protestat e organizuara nga partitë opozitare. Investitorë potencialë gjermanë shohin pamje të gurëve fluturues, koktejeve molotov dhe gazit lotues.

Pikërisht, edhe për të mos dëmtuar Shqipërinë si destinacion investimi, mendoj se edhe opozita ka përgjegjësinë të drejtojë diskursin politik në mënyrë paqësore dhe në institucionet e parashikuara në Kushtetutë për këtë, d.m.th para së gjithash në Parlament.

“Monitor”