Sulm racist në një xhami në Zelandën e Re, 49 të vrarë

104

Sulmet në dy xhami plot me besimtarë, që po merrnin pjesë në lutjet e së premtes, lanë pas vetes 49 të vrarë në atë që kryeministrja e Zelandës së Re, e cilësoi “një nga ditët më të errëta” të vendit.
Autoritetet arrestuan katër persona dhe çaktivizuan mjete shpërthyese të vendosura në një sulm racist të organizuar kujdesshëm.
Policia tha se një person është akuzuar për vrasjet në sulme dhe pritet të dalë para gjyqit të shtunën.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se sulmet në qytetin Christchurch paraqesin “një akt të pashembullt dhe të jashtëzakonshëm të dhunës”, ndërsa tha se shumë nga viktimat janë emigrantë dhe refugjatë.
Përveç të vrarëve, tha ajo, 48 veta janë trajtuar për shkak të plagëve nga armët e zjarrit dhe më shumë se 20 prej tyre kanë pësuar plagë të rënda.
“Qartazi që kjo mund të përshkruhet vetëm si sulm terrorist”, tha kryeministrja Arden.
Policia arrestoi tre burra dhe një grua pas të shtënave që tronditën kombin pesë milionësh.
Autoritetet nuk zbuluan se kush është arrestuar, por thanë se asnjëri nuk ishte nën mbikëqyrje.
Një burrë që mori përgjegjësinë, la një manifest prej 74 faqesh kundër emigrantëve, në të cilin shpjegon se kush është dhe cilat janë arsyet e sulmit. Ai tha për veten se është një racist australian 28 vjeçar. Televizioni New Zealand (TVNZ) e identifikoi si Brenton Tarrant nga qyteti Grafton i New South Walesit në Australi.
Kryeministri australian, Scott Morrison, konfirmoi se një nga të arrestuarit është nga Australia. Duke theksuar se australianët janë pjesë e familjes së njëjtë me banorët e Zelandës së Re, “jemi në dhimbje, të tronditur, të zemëruar dhe qëndrojmë dukë dënuar absolutisht sulmin që u krye nga një ekstremist, një terrorist i djathtë”, tha ai.

Komisionari i policisë, Mike Bush, tha se nuk ka njohuri për të dyshuar të tjerë, por policia nuk është tërësisht e sigurt.
Sulmi më vdekje prurës u krye ne xhaminë Masjid Al Noor, në qendër të qytetit Christchurch.
Një video që besohet të jetë transmetuar drejtpërdrejtë nga sulmuesi, tregon hollësi tmerruese të sulmit. Personi i armatosur qëlloi për më shumë se dy minuta me breshëri mbi besimtarët duke qëlluar madje edhe mbi ata që tashmë kishin rënë përtokë.
Sulmi i dytë u krye mbi xhaminë Masjid në Linwood.
Sulmuesi Brenton Tarrant në manifestin e tij mes tjerash thekson se zgjodhi Zelandën e Re për shkak të vendndodhjes së saj, për të treguar se edhe pjesët më të largëta të botës nuk janë të lira nga “imigracioni masiv”.
Sulmet masive në Zelandën e Re janë jashtëzakonisht të rralla. Më vdekjeprurësi në historinë bashkëkohore ndodhi në qytetin e vogël të Aramoanës në vitin 1990, kur David Grey vrau 13 njerëz pas një mosmarrëveshjeje me një fqinj.