Rama: “Do të shembim Muzeun dhe Bibliotekën”, reagimi i fortë i Aleancës për Teatrin

90

Kryeministri Rama, gjatë fjalimit të tij kërcënoi se nuk do të linte asnjë godinë historike në këmbë, me qëllimin gjoja të modernizimit të kryeqytetit. Rama përmendi me radhë se do të shembë Muzeun Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare, si edhe Teatrin e Kukullave.

Pas kësaj deklarate ka reaguar dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila e ka cilësuar si një akt urrejtje që Rama po ndërmerr ndaj artit, trashgimisë dhe kulturës në Tiranë dhe në Shqipëri.

Deklarata e plotë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit
‘Sot Kryeministri Edi Rama arriti një nivel të ri urrejtje ndaj trashëgimisë, artit dhe kulturës së Tiranës dhe Shqipërisë. Në fjalimin e mitingut, një spektakël që shqiptarëve u ka kushtuar më shumë se gjysmë milion euro, ai kërcënoi se do të shembte jo vetëm Teatrin Kombëtar, por edhe Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar, si dhe Teatrin e Kukullave e njohur edhe si godina e parlamentit të parë shqiptar.

Si gjithmonë, këto plane ishin të veshura me gënjeshtrën e përhershme për “modernizimin” e qytetit, por kjo nuk është e vërtetë. Zotit Rama nuk i intereson aspak “modernizimi” i qytetit – ka mbi 20 vjet që vonon e pengon zgjerimin normal të Tiranës në pjesën veriore, ku mund dhe duhet të ishin ndërtuar me kohë godina të reja publike! Ka mbi 20 vjet që flet për një qytet të ri policentrik, e ndërkohë vazhdon të betonizojë çdo skutë të mbetur të qytetit ekzistues.

Siç e dimë mirë nga rasti i Teatrit Kombëtar, zoti Rama thjesht kërkon të përfitojë sa më shumë truall të vlefshëm për ndërtuesit pranë tij, mundësisht në zonat qendrore të qytetit.
Për pasurimin e tyre, e për rrjedhojë të vetes, ai nuk ndalet përballë asgjëje. Nuk e ka problem të shkatërrojë çdo lloj godine historike, të krijojë një kaos të frikshëm urban, të shkaktojë humbje të pasurive publike, apo të grabisë truall duke thyer edhe ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është e bindur që ai nuk do guxojë të ndërmarrë asnjë hap kundra Teatrit ashtu siç nuk ka guxuar deri më sot.
Jemi të bindur pasi e kemi të qartë që e drejta është nga ana jonë. Por ne nuk mund të mbrojmë çdo truall dhe godinë të qytetit. Për këtë duhet ndihma dhe kontributi i të gjithëve, qytetarëve, mediave, opozitës, dhe përdoruesve të çdo godine të rrezikuar.

Të gjithë së bashku mund dhe duhet ta ndalojmë këtë genocid urban që po rrezikon të ardhmen e këtij qyteti.
Edi Rama dhe servilët e tij politik do zhduken një ditë nga pushteti, dhe gjasat janë që kjo ditë të jetë shumë më e shpejtë seç e mendon ai.
Por deri sa kjo të ndodhë, deri sa të zhduket njëherë e mirë nga karrigia ku po torturon shqiptarët në mënyrë të përditshme, duhet të sigurohemi që dëmi që po lë pas mund të korrigjohet ende. Në shumë fusha të jetës, ligjet dhe vendimet e marra prej tij do të rrëzohen.

Por grabitjet e truallit dhe betonizimet do të jenë operacione të vështira dhe të kushtueshme për tu riparuar.
Për këtë arsye, qytetarë të Tiranës, ju kërkojmë të jeni ju sot mbrojtësit e të ardhmes së këtij qyteti. Reagoni për veten dhe familjet tuaja.
Opozita duhet të deklarojë qartë dhe haptazi se çdo ndërtues që i afrohet këtyre godinave do mbartë koston për restaurimin e tyre në të ardhmen në gjendjen fillestare dhe se asnjë tjetërsim trualli nuk do të njihet!
Edi Rama nuk mund dhe nuk duhet të jetë njeriu që e shkatërroi përjetësisht Tiranën!’