Rama antimiting kundër opozitës, zbulohet porosia për ministrat…

150

Shtyrja e festimeve të Ditës së Verës në Tiranë, më shumë se për shkak të kushteve të motit, ka një prapaskenë të fortë politike. Një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar që do të mbahet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, dhe që është paralajmëruar të jetë më masivja, e gjitha mazhoranca është në ethe për të treguar se Shqipëria feston.
Kryeministri Rama kërkon që përmes aktiviteteve të shumta që janë programuar nga Bashkia Tiranë për 17 marsin të sfumojë protestën e opozitës që do të mbahet të shtunën. Mësohet se Rama është angazhuar personalisht për të shndërruar këtë ditë në një antimiting të madh kundër opozitës dhe për të zhvlerësuar deri diku kauzën e saj.
Burime të Lapsi.al mësojnë se Rama ka thirrur në një takim disa prej ministrave të tij dhe u ka kërkuar që të organizojnë aktivitete për Ditën e Verës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, madje ata duhet të dalin edhe vetë me familjarët në shesh. Bashkëngjitja e ministrive në aktivitetet e Bashkisë Tiranë bëhet me qëllim për të demonstruar më tepër masivitet dhe pjesëmarrje të lartë. Kështu, disa prej ministrive janë duke përgatitur evente të tyre me rastin e Ditës së Verës.
Kjo përpjekje e kryeministrit për të zhvendosur vëmendjen nga protesta e opozitës nuk ndodh për herë të parë. Edhe në 16 shkurt teksa opozita po protestonte në Tiranë, Edi Rama bëri të njëjtën gjë në Vlorë. Ai mblodhi me autobusë mbështetës dhe punonjës të administratës nga të gjitha bashkitë e jugut, për të treguar nga Sheshi i Flamurit se ai gëzon mbështetje të madhe dhe se opozita nuk është populli, por sipas tij një pakicë e dëshpëruar për pushtet dhe e frikësuar nga reforma në drejtësi. Me ndihmën e Erion Veliajt dhe ministrave të tij të bindur, Edi Rama do të mundohet të bëjë të njëjtën gjë edhe të dielën, por kësaj here në një formë tjetër, duke u kamufluar pas festimeve për Ditën e Verës.