Peniani refuzon kërkesat e SHBA për çnuklearizim

79

Koreja e Veriut thotë se Peniani nuk ka ndërmend t’u bëjë lëshime kërkesave të Uashingtonit dhe se Kim Jong Un do të dalë së shpejti me një deklaratë mbi mundësinë e bisedimeve të mëtejshme.
Njoftimet thonë gjithashtu se Kim Jong Un mund të rishikojë vendimin që i jep fund provave me raketa për më shumë se një vit.
Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Associated Press, zëvendës Ministri i Jashtëm Choe Son Hui, i cili i informoi gazetarët dhe diplomatët në Penian të premten, tha se Uashingtoni humbi një mundësi të artë në samitin e dytë të mbajtur në Hanoi në fund të shkurtit me Presidentin amerikan Donald Trump, ku palët nuk mundën të arrijnë një marrëveshje.
Presidenti Trump tha se ai u largua nga tryeza e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme rreth asaj se çfarë duhet t’i kërkohej Koresë së Veriut që asaj t’i lehtësoheshin sanksionet.
Presidenti Trump tha gjatë një konference shtypi se Peniani kishte kërkuar heqjen e të gjitha sanksioneve në këmbim të vazhdimit të moratoriumit të provave me raketa dhe nxjerrjes jashtë përdorimit të objektit bërthamor në Yongbyon.
Koreja e Veriut thotë se ajo kishte kërkuar vetëm heqjen e pjesshme të sanksioneve.
Sipas agjencisë Associated Press, zëvendës Ministri i Jashtëm Choe Son Hui tha se “marrëdhëniet personale midis dy udhëheqësve të lartë janë ende të mira”.
Në një deklaratë, zyra e presidentit të Koresë së Jugut tha se situata nuk mund të gjykohet vetëm nga komentet e zëvendësministrit koreanoverior. Seuli do të do të bëjë çdo përpjekje që bisedimet mes Koresë së Veriut dhe SHBA të rifillojnë.
Më parë këtë javë, Moon Chung-in, këshilltar i posaçëm i Presidentit të Koresë së Jugut, u tha gazetarëve se shtimi i sanksioneve nuk janë veprimi i duhur, nëse Koreja e Veriut nuk pranon të çnuklearizohet.
Komentet e tij erdhën në përgjigje të një deklarate nga Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton javën e kaluar.