Një ide e caktuar e Bashkimit Europian

85

Një bashkëbisedim me Ulysse Lojkine, Baptiste RogeR-Lacan e Gilles Gressani

I themeluar në École Normale Superieure të Parisit në vitin 2017, Groupe d’études géopolitiques (Geg) është një think – tank novator që mbledh më shumë se 100 hulumtues, hulumtuese dhe gazetarë të rinj. Duke filluar nga metodat e propzuara prej gjeopolitikës franceze, Groupe d’études géopolitiques kërkon që ta konceptojë Europën si një tërësi në thelb gjeopolitike, duke vënë në pikëpyetje veçantinë e modelit të shtetit kombëtar dhe të atij paskombëtar. Pyetja kryesore që ngrihet në GEG është se cila shkallë do ta ilustronte më mirë konceptin e Europës. Për ta pasuruar dhe zbutur reflektimin e tij, GEG-u propozon një cikël konferencash ndërkombëtare (e quajtur «Një ide e caktuar e Europës») të ritransmetuara në streaming në më shumë se 10 qytete, një revistë (Le Grand Continent), një 3 mujore në letër dhe një newsletter e përjavshme (Letra e së Dielës). Veç kësaj, do të lançohet shpejt “Letra e së Hënës”, një newsletter e përjavshme me pagesë që do ta paraqesë gjërat thelbësore të evolucioneve gjeopolitike botërore me një analizë të shkurtër prej 50 lajmesh të lokalizuara në një hartë interactive të botës.

Historikisht, Franca mbështetet mbi vlera që i konsideron universale. Nga këtu buron një mision universal. Është ende kështu? Dhe nëse po, në çfarë konsiston një mision i tillë?
Lojkine Teoria e Republikës e Rousseau praktikisht mbështetet mbi konceptin e vullnetit universal (ose të përgjithshëm). Nga ana tjetër, ekziston një tendencë e caktuar e universales për t’u eksportuar. Ose, më shumë, ekzistojnë tendenca të caktuara të njerëzve, të etur për ekspansion, që i drejtohen justifikimit universalist. Në historinë franceze, dy momentet që e ilustrojnë më mirë një dinamikë të tillë janë fillimisht luftërat revolucionare e napoleoniane, më pas kolonizimi. Në ditët e sotme, pavarësisht se kontrolli francez në Afrikë vazhdon të ruajë një rëndësi të caktuar, konsistenca e ideologjike e tij duket në fakt se është venitur, duke ia lënë vendin ujërave të akullta të kalkulimit egoist. Edhe në historinë e Francës metropolitane asistojmë në një përdorim politik të universalizmit, ka mundësi po aq i rrezikshëm, anipse i një natyre krejtësisht tjetër. Bëhet fjalë për instrumentalizimin e universalizmit laik me qëllim që të mbrojë agresivisht tiparet tona të veçanta kulturore, themele të vetë universalizmit, kundër vecantive të myslimanëve, të para si farëra të një partikolarizmi të dhunshëm.
Roger – Lacan Kjo pyetje ngre paradoksin e vlerave të famshme universale. Duke afirmuar ekzistencën e tyre, pa pyetur as edhe se në çfarë konsistojnë, preket problemi i misionit të tyre, sot vështirë i individualizueshëm. Praktikisht, të shoqëruara me novatorizmin politik e 1789, këto vlera kanë dhënë argumentat për themelimin e thuajse të gjitha regjimeve që kanë pasuar nga Revolucioni e më pas, që kanë justifikuar aventurizmat ushtarake dhe koloniale. Franca dhe ushtria e saj pretendonin se përhapnin një ideal, filozofik e juridik, të emancipimit të popujve. Diskutim në vetvete efikas (të paktën në fillim), por që rrallë është pasuar nga ndonjë efekt.

Domethënë diskutim misionar, që rezulton me shumë një ideal abstrakt sesa një realitet bashkëkohor. Në fakt, për të funksionuar, ku diskutim do të duhet të shoqërohet nga një pozicion ushtarak dhe diplomatik fitimtar. Si për shembull, tashmë të cituara nga Lojkine, luftërat revolucionare, pushtimi napoleonian apo kolonizimi. Por humbjet ushtarake e kanë bërë një diskutim të tillë të pambështetshëm, duke e transformuar Francën në një fuqi të kalibrit të mesëm. Një realitet që është shprehur në diskutimin e «pavarësisë kombëtare» me të cilin Gjenerali de Gaulle ka dalluar midis madhështisë së Francës dhe lumturisë së njerëzimit. Pa një projekt të madh të prirur nga jashtë, «vlerat» që mbështesnin projektin e 1789 dhe të cilat çdo regjim i mëparshëm i ka bërë të vetat janë bërë demode dhe lehtësisht të kontestueshme. Është prej të paktën gjysmëshekullit që Franca, e bindur për fatin e saj të pashmangshëm, kërkon t’i japë vetes një mision.
Gressani Misioni vleror mbi të cilin është themeluar Republika konkretisht ka shërbyer për të përkthyer dhe bërë efikas një rend institucional e gjeopolitik pjesërisht i krijuar tashmë nga Ancien Régime. Atëhere si t’ia bësh, për shembull, që të artikulosh një regjim të ngritur mbi një organizimin racionalizues të rangut (énarques, polytechniciens, normaliens) me formën e subjektivitetit politik universalist të markës russoiane? Në këtë kuptim, Affaire Charlie tregon një prishje të misionit universalist francez, të cilit më pas i shtohen faktorë patërtisht më gjeopolitikë. Shfaqet vështirësia për të integruar në sistemin e krijimit dhe shpërndarjes së rangjeve republikane gjeneratën e tretë e emigrantëve. Dhe pasi përkufizimi i subjektivitetit politik francez, formalisht, është universalist dhe, për nga përkufizimi, tërësisht përfshirës, instrumentat juridikë e politikë për ta përballuar problemin janë të kufizuar. Në këtë kontekst, referimi ndaj misioni republican pushon së konfiguruari opozicionet politike në République, për t’u bërë një ide partizane. Historikisht, kjo dinamikë është shpalosur në kërkimin, pakashumë konfliktual, e një rendi të ri. Sistemi republican ka hasur cikle revolucionarë institucionalë, shpesh përkues me promulgimin e një kushtetute të re formale. Emri i partisë së Macron, La République En Marche!, duket se përkthen me saktësi ndjenjën e kësaj sekuence. Përgjigja, ka mundësi, që të gjendet në vështirësinë për të future në një shkallë gjeografike të veçantë sovranitetin politik francez.

Në botë ka vetëm një fuqi tjetër që i quan universal vlerat dhe misionin e vet: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si e shikoni raportin midis mesianizmit francez dhe atij amerikan?
Lojkine Universalizmi perandorak amerikan ka nisur shumë më vonë se ai francez, por ka zgjatur më shumë dhe mbetet ende shumë i fortë. Sigurisht edhe prej aftësisë së tij për t’u paraqitur shpesh në formë kontrolli më indirekt dhe të fshehur sesa kolonializmi eksplicit. Kjo i ka mundësuar të jetë formalisht i pajtueshëm me parimin e pavarësisë kombëtare, parim që ka gëzuar shumë forcë në botën joperëndimore e shekullit të XX-të, por që sot është në krizë. Praktikisht, të afirmosh pë pranuar kurrfarë diskutimi se të gjithë politikës së jashtem të Trump i mungon një respekt elementar ndaj shteteve të tjera do të thotë që ta anashkalosh të gjithë tensionin e thellë të brendshëm që e përshkon, e shprehur nga tundimi i një ndërhyrjeje brutale në Siri apo në Korenë e Veriut, nga ridmensionimi i NATO-s dhe i traktateve të ndryshme tregëtare. Në këtë kuptim, Shtetet e Bashkuara mund të gjenden në situatën e vetë Francës pas krizës së Suezit të vitit 1956. Ajo që ka bërë të mundur imperializmin amerikan ka mundësi të ketë qenë lidhja me dy entitete të tjera universaliste: kapitalizmin dhe kristianizmin. Kapitalizëm të cilit fillimisht Karl Marx dhe më pas Rosa Luxemburg ia patën kuptuar tendencën thelbësisht ekspansioniste dhe homogjenizuese. Kristianizëm, sidomos në variantin protestant të tij, që ndërlidhet në raportin me universalen. Duke u nisur nga kjo analizë, ngrihen menjëherë dy pyetje: Për sa i përket planit ekonomik, duke filluar nga fundi i alternativës socialiste me pretendim universal, hegjemonia kapitaliste është realisht e pashmangshme? Dhe, në planin fetar, për çfarë motivi kristianizmi duhet të ketë një pozicion të privilegjuar karshi islamit, duke qenë ky i fundit një besim fetar po aq universalist?
Roger – Lacan Diferenca qëndron në origjinën e dy universalizmave: Deklarata e Pavarësisë Amerikane, akt themelues i një shteti dhe i hyrjes së tij në modernizmin politik, dhe përgjigja franceze, 30 vite më vonë, me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut. Ndërsa modernizmi politik francez është karakterizuar qysh nga fillimi nga ambicia universaliste, Shtetet e Bashkuara janë konvertuar në universalizëm vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, një ambicie e tillë nuk është e ndërlidhur me sistemin e tyre të vlerave themeltare, tipari kryesor i të cilit – përpunueshmëria – u ka mundësuar që të kalojnë brenda pak vitesh nga izolacionizmi në universalizëm maksimalisht ndërhyrës.

Është vetë kjo përpunueshmëri që i ka mundësuar Obama dhe sidomos Trump që t’i apelojnë universalizmit amerikan edhe kur kanë lëvizur në kuptimin izolacionist. Ky ndryshim paradigme duket shumë më pak traumatik për Shtetet e Bashkuara të cilat, në kundërshtim nga Franca, nuuk e përjetojnë si një tërheqje. Kurse në Francë evokimi i mitizuar i së kaluarës nga ana e të gjitha partive politike praktikisht shkaktohet nga trauma e rënies progressive të vendit në skenën ndërkombëtare dhe nga vënia në diskutim nga ana e elitave të saj e ambicieve universaliste. Shumë përtej çdo konsiderate strategjike, është pikërisht kjo ndjenjë deklasimi që është në origjinën e mërisë së francezëve ndaj projektit global amerikan.
Gressani Nga një këndvështrim hapësinor, thuajse të gjithë regjimet politike franceze kanë pasur historikisht një qasje projektimi ndaj pjesës tjetër të botës respektivisht sensit historik të misionit universalist francez. Figurat e mëdha historike – Luigji i XIV-të apo Napoleoni – janë pushtues. Në një kontekst të karakterizuar nga rënia e fuqisë ushtarake franceze, shumë relative në shkallë europiane, por tashmë e spikatur në shkallë botërore, kërkimi i projektimit (rayonnement) mund të gjendet akoma në vëmendjen që shteti, pavarësisht disa kufizimeve të caktuara të bilancit, i rezervon soft power: realizimi i Louvre apo i Sorbonës në Abu Dhabi, 266 selitë diplomatike (vetëm 2 më pak se Kina dhe 7 më pak se Shtetet e Bashkuara), 143 Instituts Français dhe më shumë se 800 selitë e Alliance Française. Krahasimisht Francës, regjimet politike amerikane kanë një qasje projektimi më të vonshme dhe, mbi të gjitha, më pak thelbësore në përkufizimin e misionit të tyre. ka mundësi edhe për shkak të karakterit oqeanik dhe ishullor të kontinentit amerikan, misioni eksepsionalistik i Shteteve të Bashkuara sheh një inversion të ndjenjës së projektimit. 7 rrezet e kurorës të Statujës së Lirisë, nga një për çdo continent, konvergjojnë të tërë mbi tokën amerikane, e thirrur haptazi, si ishull mikpritjeje, për të ruajtur lirinë e botës. Inversion simetrik i kahjes së vekrotir ndoshta mund të shpjegojë volatilitetin gjeopolitik trumpian. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara veprojnë si një hiperfuqi, duke bombarduar për shembull Sirinë më 7 prill të 2017, ama në realitet duken gjithnjë e më shumë si ishull kur refuzojnë të marrin mbi vete përgjegjësinë që duhet ta pasojë një akt kaq të bujshëm. Në anën franceze, ambiciet planetare të Emmanuel Macron («Make the Planet Great Again») futen në vijueshmërinë e rayonnement.

A ekziston akoma çifti franko – gjerman? Nëse po, për çfarë shërben?
Lojkine Çifti franko – gjerman ekziston sot më shumë se kurrë. Deri mund të supozojmë se nëse Mélenchon nuk e ka kaluar në raundin e dytë, kjo sepse vetë ai nuk e donte, pasi jo i pajtueshëm me Merkel. Në të njëjtën mënyrë, në Gjermani, nëse koalicioni midis CDU-së dhe liberalëve të FDP-së nuk është bërë, kjo sepse këta të fundit nuk qenë në favor të çiftëzimit franko – gjerman. E gjitha kjo teksa Mbretëria e Bashkuar del nga Bashkimi Europian dhe Spanja duhet të përballet me përçarjet e brendshme të saj. sot çifti franko – gjerman është në thelb gjerman. Jo sepse pasqyron në mënyrë të veçantë interesat e Gjermanisë, duke parë rolin vendimtar të luajtur nga Macron, por sepse mishëron formën pasdemokratike të ekstremit – qendër që është krijuar në Gjermani me Gerhard Schröder dhe me Koalicionin e Madh. Çifti franko – gjerman është projektimi në planin gjeopolitik i Koalicionit të Madh. I shërben të njëjtit qëllim: të menaxhojë kundërshtitë e brendshme për të shmangur çdo lloj alternative radikale. Dhe, të mos harrojmë, siç e tregon Varoufakis në librin e tij “Adults in the Room”, se mbytja e Tsipras është luajtur në Francë, duke parë që Gjermania nuk do të lëvizte e vetme.
Roger – Lacan Çifti franko – gjerman është një çift vaudeville, në të cilin, me radhë ose njëkohësisht, të partnerët kërkojnë një dashnor apo një maîtresse duke i future nga dera apo nga dritarja: Mbretërinë e Bashkuar, Italinë apo Spanjën, për francezët; Shtetet e Bashkuara apo të ardhurit e rinj të 2004 për disa kancelarë gjermanë. Është një martesë interesi që reziston, pasi pesha demografike e përgjithshme e Francës dhe e Gjermanisë bashkë është prej 150 milion banorësh, pas ekonomitë e tyre kanë një rëndësi të konsiderueshme në Bashkimin Europian dhe për faktin që, simbolikisht, të gjithë pëlqejnë të mendojnë se paqja midis armiqsh shekullorë është e mundur. Kështu që kemi të bëjmë me një çift që qëndron bashkë më shumë prej difektit sesa prej një qëllimi të qartë. Sidomos pas dekadës së kaluar, në të cilën asnjë drejtues francez apo gjerman (është ende shpejt për t’u prononcuar lidhur me Emmanuel Macron) nuk e ka pasur një vizion europian në kuptimin e vërtetë të fjalës. Fundin e ka prekur çifti Merkel – Hollande, absolutisht inekzistent. Evolucioni i çiftit franko – gjerman pengohet nga kulturat dhe nga traditat politike e kundërta e të dy vendeve, nga moskuptimi reciprok, që pavarësisht paqëtimit, ekziston. Përtej faktit që vetë marrëdhënia e tyre, për shkak të zhurmës mediatike që shkakton, pengon çfarëdolloj reflektimi të thellë mbi orientimin e ri për t’i dhënë Bashkimit Europian.

Gressani Përgjigja paksa sempliciste ndaj kësaj pyetjeje do të konsistonte nëparjen tek Macron të fytyrës dhe tek Gjermania të strukturës së pushtetit të ri europian. Në shumë aspekte, presidenti i ri francez përfaqëson partnerin ideal për Gjermaninë. Njohja nga ana e tij e administratës së lartë dhe e sistemit banker shpjegojnë tentativën, e mirëpritur nga gjermanët, e reformimit të shtetit francez. Rrallë shkëmbimet midis dy vendeve kanë qenë kaq të favorshme dhe të frutshme. Sipas Shahin Vallée, Këshilltar Ekonomik i Macron dhe i George Soros, diskutimi i famshëm në Sorbonë ishte në pjesën më të madhe të tij një apel drejtuar gjermanëve që të refuzonin një koalicion joeuropeist. Por, gjatë muajve të ardhshme, jeta e çiftit mund të rezultojë më pak idiliake. Ambicia e thellë politike e Macron do ta çojë në rizgjimin e rivaliteteve themelore me rendin politik dhe gjeopolitik gjerman, pikërisht në shkallë europiane. Është e vështirë të imagjinohet një vazhdim i dashurisë franko – gjermane nëse në zgjedhjet e ardhshme europiane En Marche! do të arrinte të absorbonte një pjesë të forcave të Partisë Popullore Europiane (PPE). Nga ana tjetër, afrimi i Macron me Trump duket se ka një funksion antiMerkel. Gjë që çon në ndarjen e çiftit franko – gjerman. Për shumë arësye, edhe historike, Gjermania ka përfunduar duke i dhënë një formë të veçantë ushtrimit të fuqisë së saj, për ta thënë në një mënyrë paksa sistematike, duke preferuar rregullin dhe të drejtën ndaj politikës. Duke kërkuar që të neutralizojë, në tractate dhe në parametra, një formë dominimi – që siç e shpjegon Thomas Piketty në revistën tonë online “Le Grand Continent” – që në pjesën më të madhe i detyrohet gjeografisë së re ekonomike të Europës Qendrore. Pa një Francë latine dhe mesdhetare, kuptimit europian të marrëdhënies franko – gjermane i mungon diçka.

Në kuadër të një mbrojtjeje europiane, a duhet Franca ta ndajë arsenalin e saj bërthamor me Gjermaninë dhe me vendet e tjera të Bashkimit Europian?
Lojkine Është praktikisht e pamundur të imagjinohet që Franca ia transferon arsenalin e saj bërthamor një enti politik pastërtisht europian. Në analogji më çështjen federale, elementi përcaktues duhet të jetë ideimi i një strukturë të caktuar institucionale: kush mund ta shtypë butonin dhe si ta zgjedhësh një person të tillë? Pastaj: ku do të ruheshin testatat bërthamore? Personalisht, nuk do të ndjehesha e siguruar sikur të transferoheshin në Poloninë aktuale, në Hungari apo në vendet balltike, ku asistojmë në rritjen e ndjenjave të forta antiruse. Pavarësisht kësaj, më duket se cështja bërthamore nuk luan ndonjë rol kushedi se çfarë vendimtar për sa i përket mbrojtjes europiane. Praktikisht, bërthamorja duket se është bërë një mjet diplomatik për vendet që nuk e kanë, si Koreja e Veriut apo Irani, që të fitojnë një farë respekti të caktuar ndërkombëtar. Por është edhe e vërtetë se situate mund të ndryshojë sërish.
Roger – Lacan Në momentin aktual, absolutisht jo. Arsenali bërthamor sot, për një Francë mjaft të dobësuar në planin ushtarak dhe diplomatik, përfaqëson të fundin e xhevahireve të saj, arësyen e vetme për të cilën dëgjohet herëpashere ngë fuqitë e mëdha. Në të ardhmen, do të flitet për një çështje jashtëzakonisht marxhinale. Parasëgjithash duhet kuptuar se në çfarë do të konsistonte mbrojtja europiane: socializimin e mjeteve, të trupave, të kërkimit dhe zhvillimit? Aktualisht, Gjermania nuk duket kushedi se çfarë e prirur që të zhvillojë potencialin e saj ushtarak, të paktën jo më shumë nga sa ka bërë nga vitet ’90 e këtej. Pastaj, vendet e tjera europiane nuk kanë as mjetet, as përmasën e mjaftueshme që të mund ta rilançojnë projektin e famshëm të mbrojtjes europiane. Për më tepër, Marrëveshja franko – britanike e Lancaster House, e konfirmuar pavarësisht Brexit, të lënë që të parashikosh një ndjekje të antantës së përzemërt shekullore, me një emër tjetër.
Gressani Doktrina nuclear sharing e NATO-s i jep sot akses Gjermanisë, Italisë, Belgjikës, Vendeve të Ulëta dhe deri edhe Turqisë në një pjesë të arsenalit bërthamor amerikan. Franca dhe Mbretëria e Bashkuara kanë refuzuar gjithmonë që ta ndajnë arsenalin e tyre, shumë më i kufizuar. Nevoja e një ndarjeje të arsenalit bëhet kështu me rëndësi thelbësore vetëm në optikën e krijimit të një mbrojtjeje europiane, por më pak urgjente nga një këndvështrim pastërtisht strategjik. Ky paradoks duhet analizuar. Siç thekson në një intervistë të dhënë për “Grand continent” Drejtori i Qendrës së Analizës dhe Parashikimit Strategjik të Quai d’Orsay, Justin Vaïsse: «NATO ka dhënë një kontribut thelbësor për mbrojtjen e territorit europian dhe, ndërkohë, ka qenë vaksina më e mirë kundër një mbrojtjeje europiane». Edhe në periudhën e paqëndrueshmërisë së NATO-s të shkaktuar nga presidenca Trump, nuk duket e mundur që të zgjidhet ky paradoks pa diskutuar më parë një ripërkufizim më të gjerë të rendit ndërkombëtar dhe një azhurnim të aleancave. Franca mund të jetë në origjinën e kësaj lëvizjeje, falë aftësisë së saj të jashtëzakonshme projektuese dhe ambicjes së çfrenuar të drejtuesve aktualë.

Cilat janë vektorët e fuqisë franceze?
Lojkine Franca ka hequr dorë nga modeli golist i sovranitetit në vitin 1983, me kthesën rigoriste të Mitterrand në emër të respektimit të rregullave europiane. Qysh atëhere, dy rreshtime ndahen lidhur me strategjinë e fuqisë së Francës. I pari përmbledh ata që mbesin kokëfortësisht të kapur pas modelit të vjetër, nga shumë i konsideruar si demode. Një pozicion residual veçanërisht i prekshëm në Afrikë, sidomos nëse shikohet në përdorimin klasik e grushtit të shtetit, si ai që do të orkestrohej në 2011 në Bregun e Fildishtë. Një vizion i tillë fuqie mbështetet kështu mbi kompleksin klasik ushtarako – industrial. Kurse tjetri kalon në fakt nga Bashkimi Europian dhe, në mënyrë të veçantë nga çifti franko – gjerman. Në këtë projekt Macron duket se luan një rol prej protagonisti. Pavarësisht kësaj, kjo strategji gjeopolitike që paraqitet si konsensuale nuk duket se zgjidh akoma sot as problemet e Europës së Jugut, as ato të Europës Lindore.
Roger – Lacan Vektorët më të dukshëm të politikës së jashtme franceze përbëhen nga diplomacia e saj, e karakterizuar nga një rrjet i jashtëzakonshëm ambasadash dhe nga ulësja e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të lidhura me sistemin e mbrojtjes, megjithëse ky i fundit është brishtëzuar nga shtimi i operacioneve të jashtme. Veç kësaj, mbështetemi mbi një qëndrueshmëri të vërtetë të rrënjosur institucionale, që e bën vendin të administrueshëm, përtej qeverisshmërisë së tij, dhe që kufizon paqartësitë lidhur me fushatat elektorale. Por vektorë të tillë, në realitet, nuk janë në shërbim të asnjë fuqie, duke parë mungesën e një projekti politik dhe gjeopolitik. Të paktën, gjatë Luftës së Ftohtë, fuqia franceze i përdorte mjetet e saj për të shënuar pavarësinë e saj, për më tepër relative, midis dy blloqeve. Por në vijim bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptohet se çfarë do vërtet Franca. E dëshmojnë si obsesioni i politikanëve francezë për modelet e huaja (gjerman, skandinav, anglosakson), ashtu edhe efikasiteti elektoral i çdo diskutimi të prirur ndaj krahasimit midis një të tashmeje të turpshme dhe një të kaluare të lavdishme që elitat tradhëtare e kanë fshirë.
Gressani Vektori përbëhet nga një magnitudë, një drejtim dhe një kahje ndaj një vektori apo një sistemi tjetër vektorësh. Moduli i fuqisë franceze mbetet i rëndësishëm. Ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht, Franca është një fuqi e nivelit të mesëm – të lartë. Megjithatë, si aktor gjeopolitik, Franca është në regresion të qartë kundrejt së kaluarës. E provojnë librat e shumtë të suksesshëm që trajtojnë tema lidhur me dekadencën (Le suicide français, Décadence…). Në gjeopolitikë, kahja e vektorit është më e rëndësishme sesa magnitude e tij. Një fuqi e mesme – e ulët në ekspansion do të ketë pafundësisht më shumë forcë sesa një fuqi e mesme – e lartë në regresion. Ndoshta është për të kërkuar një drejtim pozitiv që tashmë neonacionalizmi francez përkufizohet në pjesën më të madhe në shkallë europiane, si qytetërim i bardhë, Kristian, pjesërisht ksenofob dhe islamofob. Ndoshta është edhe për këtë që Macron, pa shumë konsultime me aleatët, ka deklaruar gjatë udhëtimit të tij kinez se «Europe is back». Vektori i fuqisë franceze duket tashmë se kalon pashmangshmërisht për artikulimin e tij me fuqinë europiane.

Ulysse Lojkine – Filozof dhe ekonomist, aktualisht i impenjuar në studime dhe hulumtime lidhur me Rosa Luxemburg.
Baptiste Roger – Lacan – Doktorant në historinë e së djathtës ektreme në Francë e në Belgjikë. Brenda GEG-ut, Groupe d’Études Géopolitiques, është përgjegjës editorial i “Letra e së Dielës.
Gilles Gressani – President dhe themelues i GEG-ut, Groupe d’Études Géopolitiques. I diplomuar në Institut Français de Géopolitique dhe në École des Hautes Etudes en Sciences Sociales, Visiting në Columbia University të New York.

Përgatiti
ARMIN TIRANA