Lufta kundër socializmit e Trump edhe në Kubë, Venezuela 6 ditë në errësirë

43

Shtetet e Bashkuara thonë se do të tërheqin këtë javë të gjithë personelin amerikan që mbetet në ambasadën e tyre në Venezuelë, si rezultat i situatës në keqësim në këtë vend të Amerikës Latine. Në janar Departamenti i Shtetit tërhoqi personelin jo të domosdoshëm, disa ditë pasi Presidenti Nicolas Maduro ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin pasi Amerika njohu zotin Juan Guaido si president i përkohshëm.
Uashingtoni e bëri njoftimin për tërheqjen e personelit diplomatik, ndërkohë që Presidenti Nicolas Maduro përsëriti akuzat e tij se pas ndërprerjes së energjisë që vazhdon prej gjashtë ditësh, qëndrojnë Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq është e vështirë të konfirmohen njoftimet që dalin nga Venezuela për vrasje dhe plaçkitje, pasi nuk funksionojnë linjat e komunikimit.
Presidenti Maduro fajëson Shtetet e Bashkuara dhe opozitën për ndërprerjet e energjisë duke i akuzuar për sulm kibernetik në sistemin e një hidrocentrali.

“Strategjia makabre e këtij sulmi ndaj sistemit energjetik është që ta çojë popullin tonë në një gjendje dëshpërimi dhe që t’i ndërsyjë venezuelianët kundër njëri-tjetrit. Por kjo nuk do të ndodhë,” tha Presidenti Maduro.
Udhëheqësi i opozitës dhe president i vetëshpallur i vendit, Juan Guaido thotë se situata aktuale është shkaktuar nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi në qeveri.
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë akuzat se kanë gisht në ndërprerjet e energjisë. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo fajësoi dje Kubën dhe Rusinë për përkrahje ndaj regjimit të Presidentit Maduro.
“Regjimi i Presidentit Maduro dërgon çdo ditë 50 mijë fuçi nafte në Kubë. Kubës i duhet kjo naftë e lirë që të mbajë gjallë ekonominë e saj të dërrmuar socialiste, ndërsa zotit Maduro i duhet ekspertiza kubane për të shtypur kundërshtarët e për të mbajtur pushtetin,” tha zoti Pompeo.
Sekretari i Shtetit shtoi se Rusia, ashtu si Kuba, tregon mospërfillje për shtetin ligjor në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar sanksionet kundër Venezuelës duke përfshirë ndër entitetet nën sanksione edhe një bankë me qendër në Moskë, që është në pronësi të përbashkët të qeverive ruse e venezueliane.

“VOA”