Çfarë synon mendimi strategjik i Pekinit?

111

Një ekspert gjeostrategjik kinez na ofron një vështrim panoramik të mendimit strategjik të Pekinit

Narrativa më e rëndësishme e 2019 (dhe e viteve në vazhdim) do të vazhdojë të vërtitet rreth miriadës së ndryshoreve të rrezikshme të lidhura me ngjitjen ekonomike të Kinës, me rilindjen e frikësuesit bërthamor rus dhe me rënien e hegjemonisë globale e Shteteve të Bashkuara. Dy vite më para, përpara fillimit të administratës Trump, kisha hipotezuar sesi kjo lojë e hijeve mund të zhvillohej në Lojën e Re të Madhe në Eurazi. Tani kjo Lojë e Re e Madhe ka ndryshuar marsh; janë Shtetet e Bashkuara kundër partneritetit strategjik ruso – kinez. Grindje diplomatike, tërheqje taktike, duele psikologjikë, ekonomikë, kibernetikë, deri edhe në hapësirën kozmike, të gjitha të mbështjella në histerinë mediatike, do të vazhdojnë të dominojnë ciklin e lajmeve. Përgatituni për kritika të të gjitha llojeve për Kinën autoritare dhe për shoqërimin e saj “malinj” me dordolecin “joliberal” rus, i vendosur që të flakë tej kufijtë e Europës dhe të “trondisë” Lindjen e Mesme. Mendje relativisht të vlefshme, si studiuesi i Shkencave Politike Joseph Nye, do të vazhdojnë të ankohen për faktin se dielli perëndon në “rendin” liberal perëndimor, pa e kuptuar se ajo që kishte qenë në gjendje “ta bënte botën të sigurtë e të qëndrueshme në 70 vitet e fundit” nuk është transformuar në një “konsensus të fortë… në gjendje që ta mbrojë, ta thellojë dhe ta zgjerojë këtë sistem”. Në tërësinë e tij, Jugu Global preferon që të mos jetë dakord, duke theksuar se “rendi” aktual është një krijesë gjysmëartificiale, që praktikisht kënaq vetëm interesat e Shteteve të Bashkuara. Prisni që eksepsionalistët të veprojnë në mënyrë super të nënshtruar, duke i nxitur “aleatët” deridiku ngurrues që të japin një dorë për të “përmbajtur”, në mos frenuar, Kinën dhe për të “kanalizuar” (sikur të mund t’ia kontrollonin) influencën ndërkombëtare në rritje të Pekinit. Të “kanalizosh” Kinën për t’i gjetur vendin e “duhur” në një rend të ri botëror është një punë me kohë të plotë. Çfarë mendon vërtet elita intelektuale kineze për të gjithë këtë?

Kurrë luftë në dy fronte
Një udhërrëfyes unik në llojin e tij mund të na e japë Zhang Wenmu, ekspert i Strategjisë për Sigurinë Kombëtare dhe Profesor pranë Qendrës së Studimeve Strategjike në Universitetin e Aeronautikës dhe Astronautikës të Pekinit, që ka shkruar një shkrim të gjatë të botuar në gushtin e vitit 2017 në revistën kineze Taipingyan Xuebao (Gazeta e Paqësorit). “Gjeopolitika” mund edhe të jetë një shpikje anglosaksone, ka mundësi nga ana e Sër Halford Mackinder, por është studiuar në Kinë për shekuj si, për shembull, “avantazh gjeografik” (xingsheng) apo “gjeografi historike” (lishi dili). Wenmu na fut në konceptin e gjeopolitikës si filozofi mbi majën e një thike, por kjo ka të bëjë parasëgjithash me filozofinë, jo me thikën. Nëqoftëse duam të përdorim thikën, duhet ta përdorim filozofinë për të njohur limitet e forcës tonë. Quajei si ekuivalentin kinez me kudhrën e filozofimit të Nietzsche. Si analist gjeopolitik, Wenmu nuk ka sesi të mos na e kujtojë se emblema e Perandorisë Romake apo e asaj Britanike, “përçaj dhe sundo”, është një taktikë e mirënjohur në Kinë. Për shembull, në fillimin e vitit 1972, Kryetari Mao ishte shprehur i gatshëm ta priste Richard Nixon. Më vonë, në korrik, Mao kishte bërë të njohur motivin e vërtetë: “Duhet përfituar nga konflikti midis dy forcave: kjo është politika jonë. Por duhet të afrohemi me njërën prej tyre dhe jo të luftojmë në dy fronte”. Po u referohej kontrasteve midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.
Wenmu dëfrehet vërtet kur shikon sesi gjeopolitika perëndimore zakonisht i interpreton gjërat në mënyrë të gabuar. Nënvizon sesi Halford Mackinder, anglezi i konsideruar si një prej etërve themelues të gjeostrategjisë, “kishte kontribuar në Luftën e Dytë Botërore dhe në rënien e mëpasme të Perandorisë Britanike”, duke nënvizuar se Mackinder kishte ndërruar jetë vetëm 5 muaj përpara skizmës midis Indisë dhe Pakistanit më 1947. Shkatërron teorinë e George Kennan lidhur me Luftën e Ftohtë, “që buron drejtpërsëdrejti nga teoritë e Mackinder”, dhe na bën të shikojmë sesi i kishte çuar Shtetet e Bashkuara të luftojnë në Kore e në Vietnam, “duke e përshpejtuar rënien e tyre”. Deri Zbigniew Brzezinski, ish Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, “e kishte parë rënien e Perandorisë Amerikane”, pak përpara vdekjes së tij, që ka ndodhur kohët e fundit, në majin e 2017. “Në këtë moment, Kina dhe Rusia i kishin dhënë jetë një bashkëpunimi strategjik gjithnjë e më të ngushtë e më të pathyeshëm”. Wenmu është pozitivisht i kënaqur. “Sikur Brzezinski të ishte akoma gjallë, mendoj se do ta juptonte “humbjen e madhe” të botës perëndimore, të kundërtën e asaj që kishte teorizuar”.

Pse Tibeti është i rëndësishëm
Në mënyrë të parashikueshme, gjeopolitika kineze është e vëmendshme ndaj tensioneve midis fuqive detare dhe atyre tokësore. Wenmu nënvizon sesi në Oqeanin Indian Perandoria Britanike ka mund të ushtrojë një fuqi më të madhe detare sesa amerikanët, “pasi vinte nga një continent analog (oqeanik). Dhe, si dominuese e deteve, Mbretëria e Bashkuara përfaqësonte edhe një kërcënim për Perandorinë Ruse, që (anasjelltas) ishte një fuqi tokësore”. Wenmu citon edhe “Influencën e fuqisë detare ndaj historisë” e Alfred Mahan, që flet për influencat reciproke midis kontrollit të deteve dhe atij të zonave kontinentale. Por, më pas, shton: “Mahan nuk e ka studiuar këtë relacion në nivel global… Mbi bazën e prioriteteve të Shteteve të Bashkuara, është përqëndruar sidomos mbi detet e largëta”. Në mënyrë të veçantë, Wenmu nënvizon sesi Oqeani Paqësor është “kalimi i detyruar i Rrugës Detare të Mëndafshit”. Edhe pse Kina “i ka zhvilluar kapacitetet e veta detare shumë më vonë, gëzon një avantazh gjeografik karshi Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara”. Dhe me këtë na çon në çështjen thelbësore të Tibetit. Një prej pikave kyçe të Wenmu është mënyra me të cilën “rrafshnalta tibetiane i mundëson Republikës Popullore aksesin ndaj resurseve, respektivisht të Oqeanit Paqësor në lindje dhe të Oqeanit Indian në perëndim. Nëqoftëse nga rrafshnalta shikojmë bazën amerikane e Diego Garcia [në qendër të Oqeanit Indian] nuk mund të kemi dyshime mbi avantazhin natyror të gjeopolitikës kineze”. Implikimi është që Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara duhet të “konsumojnë një sasi të madhe resursesh për të përshkuar oqeanet dhe të kolonizojnë një zinxhir ishujsh”.
Wenmu tregon sesi gjeografia e rrafshnaltës tibetiane “lidh në mënyrë natyrale rajonin tibetian me fuqinë dominuese në ultësirat qendrore kineze”, ndërsa “nuk e lidh me vendet e nënkontinentit aziatik jugor”. Për pasojë, Tibeti duhet të konsiderohet si një “pjesë natyrale e Kinës”. Kina, që mbështetet nga pllaka kontinentale, “e kontrollon gjatë gjatësisë së brigjeve të saj” dhe “posedon teknologjinë për sulme raketore me rreze të mesme dhe të gjatë”, që i garantojnë virtualisht një “kapacitet të madh reagimi në të dy oqeanet”, me një “forcë detare realtivisht të fuqishme”. Sipas Wenmu, është kështu që Kina është në gjendje të kompensojë, “deri në një pikë të caktuar”, hendekun teknologjik që e ndan me Perëndimin. Pika më e diskutueshme e Wenmu është se “avantazhi të cilin e gëzon vetëm Kina, të jetë e lidhur me tregjet e të dy oqeaneve, bën të bjerë miti i fuqisë detare perëndimore i epokës bashkëkohore dhe fut një vision revolucionar; Republika Popullore është një vend që, për nga natyra e saj, posedon kualifikimin e fuqisë detare”. Duhet të mendojmë se “zhvillimi industrial i kishte mundësuar Perëndimit që të lundronte drejt Oqeanit Indian”, ndërsa Kina “ka ardhur më këmbë”.

Marrja e Tajvanit
Presidenti mezi priste që të promovonte në çdo rast statusin e Shteteve të Bashkuara si atë rë “kombit në Oqeanin Paqësor”. Imagjinoni Shtetet e Bashkuara përballë përshkrimit të Wenmu: “Paqësori Peërndimor është i lidhur me interesat kombëtare e Republikës Popullore dhe është pika e nisjes së Rrugës së Re Detare të Mëndafshit”. Praktikisht, Kryetari Mao kishte folur për të në vitin e largët 1959: “Një ditë, nuk ka rëndësi kur, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga pjesa tjetër e botës dhe do ta braktisin Paqësorin Perëndimor”. Duke ekstrapoluar nga Mao, Wenmu teorizon një “Det Kinez të Paqësorit Perëndimor” që bashkon Detin e Kinës Jugore, Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Verdhë. “Mund të përdorim formulën “zonë jugore e Detit Kinez të Paqësorit Perëndimor” për të përshkruar atë pjesë që bie nën sovranitetin kinez”.
Kjo të sugjeron një kombinim të forcave kineze në Detin e Kinës Jugore, në Detin e Kinës Lindore dhe në Detin e Verdhë nën një komandë të vetme detare të Paqësorit Perëndimor. Është e lehtë të shikohet se ky synon e gjitha kjo: në ribashkimin me Tajvanin. Në një sistem të kësaj natyre, siç konceptohet nga Wenmu, Tajvani do t’i “kthehej mëmëdheut”, sovraniteti kinez përgjatë gjithë linjës bregdetare të tij “do të legjitimohej” dhe, në të njëjtën kohë, kjo linjë “nuk do të shtrihej në mënyrë të tepruar. Objektivi kryesor i Pekinit është ai i spostimit, në të gjitha aspektet, i “vijës së kontrollit kinez” në lindje të Tajvanit. Kjo pasqyron diskutimin e Presidentit Xi Jinping e fillimit të kësaj jave, në të cilin i referohej, në sensin praktik, Tajvanit si “çmimit të madh”. Wenmu e sheh si një “mjedis”, “në të cilin nëndetëset bërthamore kineze janë në gjendje të kundërsulmojnë, ku mund të ndërtojnë aeroplanmbajtëse dhe nga ku mund të eksportohen, në mënyrë efikase, produktet e realizuara në Kinën kontinentale”.

Qendra gravitacionale e Azisë
Një prej argumentave më magjepsës në artikullin e Wenmu është kur tregon sesi ekziston gjithmonë një proporcion i natyrshëm, një lloj “raporti i artë apo hyjnor”, midis 3 fuqive strategjike në Eurazi: Europës, Azisë Qendrore dhe Kinës. Pastaj bën një përmbledhje të shpejtë të ngritjes dhe rënies së perandorive, me “historine që tregon sesi në pjesën kryesore të kontinentit, midis 30 dhe 60 gradëve gjatësie veriore, ka hapësirë vetëm për 2.5 forca strategjike”. Kjo është për të kuptuar se një prej tri hapësirave kryesore duhet të gjendet gjithmonë e copëzuar. Në kohët moderne thuajse nuk ka ndodhur kurrë që një prej tri fuqive “të arrinte të zgjerohej deri në një raport me 1.5”. Në lashtësi, vetëm Perandoria Tang dhe Perandoria Mongole i qenë afruar [këtij raporti]. Perandoria Britanike, Rusia cariste dhe Bashkimi Sovjetik “kishin pushtuar Afganistanin dhe kishin penetruar në Azinë Qendrore, por suksesi, në atë kohë, kishte qenë jetëshkurtër”.
E gjitha kjo i hap rrugën tezës kryesore të Wenmu: “Ligji i prerjes së artë si bazë e pushtetit strategjik në Eurazi na ndihmon që të kuptojmë shkaqet e alternimit midis ngritjes dhe rënies së fuqive në kontinentin aziatik dhe të njohim limitet e ekspansionit të fuqisë kineze në Azinë Qendrore. Të kuptuarit e kësaj është premisa për një diplomaci të matur dhe efikase. Edhe pse e gjitha kjo nuk mund të konsiderohet seriozisht si një udhërrëfyes i “agresionit kinez”, Wenmu nuk mund të rrijë pa e lëshuar një sulm të ashpër ndaj dobishmërisë gjeopolitike perëndimore të Mackinder: “Me imagjinatën e tij gjeniale, Mackinder ka formuluar teorinë e gabuar e “çernierës gjeografike”, pasi nuk e kishte marrë në konsideratë këtë ligj”. Me pak fjalë, Kina është çelësi për ekuilibrin e Eurazisë. “Në Europë, copëzimi e ka origjinën nga qendra; në Azi, gjithçka vërtitet rreth Kinës. Kjo tregon sesi Kina është qendra natyrale gravitacionale e Azisë”.

Ana e fshehtë e Hënës
Është e lehtë të imagjinohet se artikulli i Wenmu mund të provokojë reagime histerike nga ana ë mbështetësve të strategjisë së sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që e konsideron Kinën, bashkë me Rusinë, një “fuqi revizioniste” të rrezikshme. Kinofobët me profesion deri po përhapin idenë se një “Kinë në faliment” mundet që në fund të “shpërthejë” kundër Shteteve të Bashkuara. Ky është një shtrembërim i asaj që Kundëradmirali Luo Yuan ka thënë muajin e kaluar në Shenzhen: “Tani kemi raketa Dong Feng – 21D dhe Dong Feng – 26. Këto kanë detyrën që të mbysin aeroplanmbajtëset. Sulmojmë dhe mbysim një prej aeroplanmbajtëseve të tyre. Le të lëmë që të pësojnë 5000 viktima. Sulmojmë dhe mbysim dy aeroplanmbajtëse, 10000 viktima. Do të shikojmë nëse Shtetet e Bashkuara do të kenë frika apo jo”. Ky është një konstatim faktik, jo kërcënim. Pentagoni e di gjithçka është për t’u ditur lidhur me rrezikun e përfaqësuar nga raketat antiaeroplanmbajtëse.
Pekini nuk do të ndalet tek raketat antiaeroplanmbajtëse, tek riemërtimi i Paqësorit Perëndimor dhe në ribashkimin me Tajvanin. Po projekton koloninë e parë me inteligjencë artificiale (AI) në Tokë, një bazë fundoqeani për operacione nëndetësesh të robotizuara të shkencës dhe mbrojtjes nënujore në Detin e Kinës Jugore. Ulja e sondës hënore “Chang’e 4” në sipërfaqen e fshehtë të Kënës mund të intepretohet edhe si zgjerim maksimal i Belt and Road Initiative (BRI) [Rruga e Re e Mëndafshit]. Këto janë të gjitha pjesë të një mozaiku të madh, i destinuar që të forcojë imazhin e harte të re kinocentrike të botës, tashmë në përdorin të Marinës kineze dhe e botuar më 2013, jo rastësisht viti në të cilin Rrugët e Reja të Mëndafshit janë paraqitur në Astana dhe Xhakarta. Wenmu e përfundon artikullin e tij duke nënvizuar sesi “gjeopolitika kineze duhet të distancohet nga ideja se “nuk mund të hapë gojë pa përmendur Greqinë e lashtë””. Ky është një referim ndaj një diskutimi të famshëm të Mao Ce Dunit të majit 1941, në të cilin Kryetari kishte kritikuar disa marksistë – leninistë që i jepnin më shumë rëndësi historiografisë perëndimore (i të cilës Greqia e lashtë është simboli ekstrem) sesa asaj kineze. Kurthi i Thuqididit? Çfarë kurthi?
(Pepe Escobar për atimes.com)

Përgatiti
ARMIN TIRANA