Basha për ambasadat: Mos u bëni palë, vlerësoj raportin e Departamentit të Shtetit

94

Kryetari i opozitës Basha ka deklaruar se beteja për zgjedhje të lira është një betejë kundër regjimit dhe se vendi po shkon drejt një pakti kombëtar me të djathtë dhe të majtë bashkë për të ndërtuar një sistem vlerash që do të anëtarësojë vendin në BE. Basha i bëri komentet pas takimit që drejtuesit e opozitës patën me minisrin e Jashtëm çek. Basha tha se i sygjeronte ambasadave të mos bëhen palë me asnjë palë në Shqipëri dhe se palë duhet të jenë vetëm me vlerat e demokracisë. “Vlerësoj raportin e Departamentit të Shtetit që ka të shprehura të gjitha shqetësimet tona”, tha Basha.
Pas përfundimit të një takimi me Ministrin e Jashtëm të Çekisë, kreu i Partisë Demokrtatike Lulzim Basha tha se gjatë bisedës me të kishin ndarë vlerat e përbashkëta europiane të të dy vendeve si dhe sipas tij, kishte gjetur tek ai një bashkëbisedues serioz dhe mbështetës të Shqipërisë drejt integrimit europian.
“Me Ministrin e Jashtëm çek patëm kënaqësinë të ndajmë vlerat europiane.
Për një Shqipëri të çliruar nga interest kriminale. Ne kemi gjetur jo vetëm një bashkëbisedues serioz por edhe një mbështetës të Shqipërisë drejt rrugës së saj integruese në familjen europiane”, deklaroi Basha.
Duke folur për protestën e ditës së nesërme, si dhe qëndrimin e Ambasadës Amerikane lidhur me thirrje për të mos qenë një manifestimi dhunshëm, kreu demokrat tha se ajo do të jetë protesta më masive që është mbajtur ndonjëherë në vend, dhe do të hyjë në histori si protesta që do të hapë dyert e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu Basha ju bëri thirrje ambasadorëve të huaj në vend që të mos jenë palë me partitë politike por kundër dhunimit të demokracisë.

Deklarata e plotë e Bashës
Me ministrin e jashtëm çek patëm mundësi të shpalosim edhe njëherë vlerat evropiane si esenca e betejës tonë. Dhe jam jashtëzakonisht i inkurajuar nga fakti se në betejën për vlerat evropiane, për zgjedhje të lira, për një parlament të shkëputur nga krimi, për një qeveri të çliruar nga krimi i organizuar dhe interesat e oligarkisë, dhe për një Shqipëri të çliruar nga qeverisja kriminale, ne kemi gjetur jo vetëm një bashkëbisedues të vëmendshëm, por edhe një mbështetës të fuqishëm të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.
Rrugëtimi evropian i Shqipërisë pengohet nga korrupsioni galopant, pengohet nga krimi i organizuar, pengohet nga asgjësimi i votës së lirë. Ndaj, përpjekja jonë, jo thjesht për të larguar një regjim të ardhur në pushtet përmes paktit me krimin, por për të çliruar votën e lirë dhe për të bërë një pakt kombëtar me të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathtë, ku vlerat thelbësore të demokracisë, të ekonomisë, të lirisë, të mos i cënojë më dot askush dhe askush më të mos jetë në gjendje të kapë institucionet dhe t’i shërbejë krimit dhe oligarkisë. Se ky pakt kombëtar ka nisur tashmë rrugëtimin, jo vetëm përmes protestave dhe aksionit qytetar, por edhe përmes përfshirjes dhe gjithëpërfshirjes së elitës intelektuale, siç ishte rasti i djeshëm, ku pata kënaqësinë të ndaj mendimet me elitën e artit dhe të kulturës shqiptare, por edhe të sipërmarrjes, të studentëve, të rinisë, të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Zoti Basha, ambasada amerikane u ka kërkuar sot të të lini pjesën tjetër të deputetëve të punojnë dhe të mos ketë akte dhune.
Basha: Asnjëherë nuk komentoj deklaratat e ambasadave, por mqse më pyesni një sygjerim e kam.
Nuk i kërkoj të jenë palë me asnjë person në Shqipëri, me asnjë parti politike, por i kërkoj të jenë palë për vlerat me të cilat vendet e tyre qëndrojnë, vlerat e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës, të luftës kundër shitblerjes së votës. Probleme të cilat i shprehu qartë edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit para ditësh.
Protesta e nesërme do të jetë një tjetër rast për shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ngritur zërin.
Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që e vetmja mënyrë për të garantuar ndarjen e së keqes, është protesta.
Këtë e tregoi protesta e Teatrit, këtë e tregoi protesta e banorëve të Unazës, këtë e tregoi protesta e Studentëve, këtë e tregoi protesta e 16 Shkurtit dhe protestat e tjera që pasuan, këtë do e tregojë ehe protesta e së nesërmes, për të cilën kam bindjen dhe informacionin se do të hyjë në histori si një nga protestat më të mëdha, një nga bashkimet më të mëdha të qytetarëve, për të ndalur të keqen dhe për të hapur derën e mbyllur të Europës.
Bashkë do ta hapi, dhe duke hapur këtë derë, përmes vlerave europiane do të rikthejmë mundësitë dhe shanset për liri, për mirëqenie dhe për zhvillim për çdo shqiptar.