As me kërcënime ndaj gjyqtarëve dhe as me burgosjen e qytetarëve nuk e shpëtoni dot Edi Ramën

72

Ish-deputeti i PD për qarkun e Fierit, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas kërcënimeve të Ramës ndaj gjyqtarit të Fierit që liroi nga burgu tre protestuesit e arrestuar pse protestuan ndaj Ramës para pak ditësh.
“Kërcënimi me vetting i gjyqtarit të Fierit vetëm pse mbrojti interesin e qytetarëve dhe nuk zbatoi urdhrin politik të trafikantëve që drejtojnë Policinë Politike, është provë e qartë sesi Edi Rama shantazhon dhe kontrollon çdo gjyqtar në vend.
Të mjerë!
As me kërcënime ndaj gjyqtarëve që nuk i nënshtrohen presionit tuaj kriminal dhe as me burgosjen politike të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, nuk e shpëtoni dot Edi Ramën.
Fundi i tij dhe qeverisë së tij kriminale është më afër se kurrë. Shihemi në 16 Mars!”, shkruan Alibeaj në një postim në Facebook.
Gjykata e Fierit dha sot masën e sigurisë për 3 personat e arrestuar në Fier gjatë protestës kundër kryeministrit Edi Rama.
Gjykata ka vendosur masën ‘arrest shtëpie’ për Pëllumb Isufaj dhe ‘detyrim paraqitje’ për dy protestuesit e tjerë Enkeled Kafrani dhe Lavdimir Zykaj.
Të arrestuarit akuzoheshin për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.