Ambientalisti Sazan Guri kundër importit të makinave të vjetra!

145

Nga Elton LASKA

Ministra e Infrastrukturës dhe Energjetikës, ka ndërmarrë një nismë që lejon importimin në Shqipëri të automjeteve më të vjetra se dhjetë vite, në raport me vitin që jemi. Kjo nismë, do të pasohet me një ulje të çmimit të mjeteve të përdorura, që në Shqipëri janë shumë të larta, krahasuar me të ardhurat.
Më 2 dhjetor 2018 hyri në fuqi një vendim i posaçëm, që ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet dhe makinave më të mëdha, me një moshë mbi 15-vjeçare.
Ky vendim i marrë nga ata që me paratë e taksapaguesve shqiptarë lëvizin me makina të prodhuara vitet e fundit, ishte një favorizim i hapur për koncensionarët, pasi brenda pak vitesh, shqiptarët do detyroheshin të merrnin kredi posaçërisht për të blerë një makinë të re pranë këtyre koncensionarëve.
Tregtarët e makinave të përdorura, të painformuar, ashtu si shumica e shqiptarëve dhe të pa organizuar në shoqata biznesi nuk u organizuan për të dalë kundër këtij vendimi, madje dhe qytetarët, të mësuar më abuzimet e këtyre tregtarëve, nuk denjuan t’i mbështesin.
Për ironi të fatit, dje ishte një ambientalist i kalibrit ndërkombëtar Sazan Guri, që bënte thirrje që Ministrja e Infrastrukturës të ketë kujdes më këtë nismë pasi makinat e vjetra, janë ndotësi kryesor në Shqipëri.
Madje, ai e lidhi ndotjen nga automjetet dhe me numrin e lartë të të prekurve nga sëmundjet kancerogjene.
Sazani, padashur, harroi të fliste për cilësinë e karburantit, që është si në vendet e Afrikës, ndonëse shqiptarët e paguajnë, sikur po e blejnë në Danimarkë.
Ky ambientalist i famshëm, që nuk ndihet për faktin se lumenjtë e Shqipërisë po futen në turbina dhe kanalet e ujërave të zeza po lihen hapur, del e na mban leksione se përse qeveria duhet të ndalojë makinat e vjetra.

Sot ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Shqipëri nuk janë automjetet, pasi Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të automjeteve për banorë në Evropë, konkretisht 1 automjet për katër persona.
Pasuritë që zoti bujarisht ia dhuroi kësaj toke, me vendim qeverie po shfrytëzohen barbarisht për pasurimin e disa personave, që kanë ndërtuar Hec-e.
Mjafton të shkosh në Valbonë, për të parë barbarinë që i është bërë natyrë; po të zbresësh më poshtë në Mirditë, është e njëjta panoramë, ndërsa edhe në jug lumenjtë e luginat po burgosen në turbina.
Shqiptarët dhe Shqipëria janë më të humburit nga ky proces, teksa humbasin pasuri të çmuara natyre.
Këta ambientalistë, që sot ankohen për ndotjen e makinave të vjetra, nuk thonë gjysmë fjalë për pyjet, që prej 30 vitesh masakrohen barbarisht e s’ka monatorium që i shpëton.
Ky Sazani, të kalojë ndonjë ditë nga Librazhdi, pasi Lura është shumë larg dhe rruga që të çon në atë perle të natyrës, është si në mesjetë.
Gurorët e Krujës dhe fabrikat e asfaltit në mbarë Shqipërinë, mjaftojnë sa për të ndotur ajrin e gjithë Ballkanit e jo më të këtyre 28 000 km2, që na kanë mbetur si territor.
Këta ambientalistë, që i kemi opinionistë dhe gjithologë, nuk flasin asnjë fjalë për kullat që në Tiranë e qytetet kryesore të vendit, zaptuan çdo hapësirë të gjelbër.
Një pjesë e shoqërisë civile dhe shoqatave për mbrojtjen e mjedisit, janë bërë të dëmshme për vendin, aq sa krimi i organizuar dhe politika e korruptuar.
Njerëz parazitë, që çdo vit marrin miliona euro nga buxheti i shtetit dhe ndërkombëtarët, për të folur për problemet që shqetësojnë këtë vend, brenda pak kohësh kthehen në disa vasalë të politikës dhe oligarkëve.