Protesto!

102

Haris VONGLI

Patetizmi do të ishte i pavend nëse nesër, në orën 11:00, do të dilnit në protestë thjesht për të denigruar një figurë të caktuar politike. Patetizmi do të ishte gjithashtu i pavend, nëse thjesht me militantizëm, do të bënit hyjnore një forcë politike apo Perëndi figura të ndryshme politike.
Patetizmi do të ishte krejt i pavend edhe nëse do të kapeshit prej “fyti” me të tjerët nëpër kafene apo edhe me veten në shtëpi, për gjithë pakënaqësitë, sepse laku në fyt na është vënë të gjithëve gjithsesi, pa dallim partiak, krahinor, fetar, arsimor, kontributesh, njerëzor, etj dhe për këtë duhet reaguar pa patetizma.
Duhet reaguar me forcën e mendjes dhe shpirtit. Askush nuk mund t’ua pres rrugën atyre që duan të kërkojnë të drejtat e tyre të cilat dhunohen përditë e më shumë. Kudo të kthehesh e përpëlitesh, nuk merr përgjigje, por përplasesh me një mur që dhemb, të ftohtë e shurdh, që bën edhe burrin të qajë, kur në shtëpi s’ka as bukë të hajë.
Nesër, më 16 shkurt, lind nevoja tërësisht legjitime dhe vullneti i padiskutueshëm i lirë i shqiptarëve për të protestuar, në mënyrë qytetare, kundër kësaj keqqeverisjeje dhe fenomeneve nga më tronditëset e depresionueset që po prekin shqiptarët përditë, nga shporta ushqimore bazë, rritja e çmimeve, taksave, dritave, ujit (pa rritje rrogash), heqja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, kriminalizmit të deri instantave më të larta administrative e qeverisëse, oligarkisë në rritje, e deri ke barazia, mbrojtja e dinjitetit e siguria e jetës.
Patetizmi do të ishte i pavend për të ulëritur, për t’u sharë, e madje edhe për të heshtur.
Është shkatërrimtare heshtja në kushtet ku ndodhet vendi ynë sot, streha e të moshuarve të stërmunduar, e të rinjve të pashpresë që i largohen vendit përditë dhe fëmijëve për të cilët garancia e së ardhmes është aspak e sigurtë dhe e shëndetshme. Është shumë herë më e thjeshtë se kaq. Duhet thjesht të reagojmë për të çarmatosur këtë sistem politik, ekonomik, shoqëror, etj. Është e thjeshtë, të gjithë ne duhet të bëjmë diçka, për ta bërë këtë vend sa më të jetueshëm dhe sa më të sigurtë. Çdo lloj propagande tjetër është një thirrje e dëshpëruar dhe frikë e arrogancës të pa fre të pushtetit më autoritar të ashtuquajturës demokraci në vend në këto 29 vjetë pluralizëm dhe ëndrrës europiane. Është në fakt patetike, në kushtet ku oligarkët po ndiejnë erën turfulluese të sovranit.
Ne kemi nevojë për drejtësi. #protesto #16shkurt #freedom #democracy