Ndërkombëtarët i kanë nxjerrë kartonin e kuq Ramës

104

Ditët e para kur erdhi në pushtet në vitin 2013, kryeministri u shpreh se: “Kam ardhur për të bërë shtet dhe jo për të mbajtur pushtet”… Po ky postulat u kthye shpejt në një fluskë të madhe, shpërthimi i së cilës zbuloi se në grupin e tij parlamentar dhe në krye të bashkive solli personazhe me të shkuar dhe të tashme kriminale, të akuzuar e dënuar për përdhunim, trafik prostitucioni, trafik droge dhe vjedhje.
Ky lloj kontingjenti, i përzgjedhur prej tij, ishte një minierë e vërtetë në sigurimin e votave, nëpërmjet presionit, blerjeve apo manipulimeve. Shteti dhe pushteti në duart e Ramës dukshëm anoi nga mbajtja e pushtetit me çdo mjet. Pikërisht këto personazhe iu ofruan në “tepsi” qeverisjen Edi Ramës, ndërsa si haraç kërkonin edhe ata thelën e madhe të fondeve publike dhe aferave të tjera.
Koncepti shtet ra mbi shpinën e qytetarëve që në ditët e para të Ramës Kryeministër kur nisi raprezalja në shkëputjen e energjisë dhe burgjet u mbipopulluar me qytetarë të cilët nuk kishin mundësi të paguanin tarifat e shtrenjtuara, sëpata e “forcës së ligjit” kapi edhe fshatarë që ndërtonin pa leje një avlli, ndërronin tjergullat e shtëpisë apo rikonstruktonin kasollet e bagëtive.
Dhe ai mburrej me këtë pjesë. Por ndërsa qytetarit pa përkrahje i tundte prangat, oligarkut, politikanit të pushtetit, biznesmenit që të doroviste i jepte privilegje në ndërtime kullash, konçensione qindra milionë euro dhe ofrimin e pronës publike për interesa personale. Kjo qe metoda standarde në ndjekjen e politikës së brendshme, ndërsa kursin tentoi ta ndryshonte disi me ndërkombëtarët.

Në fillim i pëlqente ta quanin “lider global”, pati disa takime të rëndësishme me kancelarin Angela Merkel dhe vizita domethënëse në vende të Europës dhe SHBA-së. Edhe pse me skepticizëm, liderët europianë i dhanë një mundësi dhe mbështetje që të ndryshonte vendit dhe Shqipëria të kishte demokraci.
Sot Rama është totalisht i izoluar. Në Europë nuk shkel më si politikan që jep shpresë, përkundrazi në çdo takim edhe pse rend pas më të mëdhenjve refuzohet, shmanget dhe i lënë të kuptojë se është i padëshiruar. Si për të forcuar braktisjen që i kanë bërë liderët e huaj, vjen edhe deklarata e fortë e ministrit të Merkel një ditë para protestës së opozitës.
“Nëse doni të hapni negociatat me BE stop blerjes së votave në zgjedhjet lokale: qeveria e partia e saj ta dëshmojë këtë ndaj opozitës”, kështu u shpreh Christian Schmidt, Raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman një ditë para protestës së opozitës.
Sipas tij, “qeveria të merret me kapobandat e jo me peshqit e vegjël. Ajo të respektojë parlamentin dhe pavarësinë e gjyqësorit”. Mjafton kjo deklaratë e pastër, pa kamuflazh diplomatik për të kuptuar se shqetësimet e ndërkombëtarëve për Edi Ramën janë në tre shtylla kryesore: Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe ndershme, lidhjet e politikës me krimin e korrupsionin dhe ndikimi në sistemin e drejtësisë.
Rama ka humbur edhe “sipmatinë” e përfaqësuesve të absadava të huaja në vend, veçanërisht të SHBA dhe BE-së. Kryeministrit i mungon ajo “përkedhelje politike” dhe jo vetëm, që shpesh merrte nga ish-ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin. Përkrah nuk ka më as ish-Ambasadorin Amerikan Donald Lu, që ende vijonte të besonte se kryeministri Rama ishte pro reformës në drejtësi.

“Boldnews.al”