Manchester United dhe Real Madrid, në garë për “Ronaldon e ri”

87

Manchester Unitedi dhe Real Madridi janë duke e mbikëqyrur mesfushorin sulmues të Benficës, Joao Felix, i cili konsiderohet si “Cristiano Ronaldo i ri”.
Felixi, 19-vjeçar, debutoi për ekipin e parë në gusht dhe u bë lojtari më i ri që ka shënuar gol në derbin e Lisbonës, kur e barazoi rezultatin në fund të ndeshjes kundër Sporting Lisbonës. Në ndeshjen e fundit, ai e shënoi golin e tij të tetë për këtë sezon, transmeton Gazeta Express.
Një burim i afërt me lojtar ka bërë të ditur për ESPN se Real Madridi ka qenë duke e monitoruar zhvillimin e tij, përderisa klube të tjera, si: Manchester Unitedit, Barcelona, Atletico Madridi, Juventusi, Milani, West Hami dhe Dortmundi, kanë qenë gjithashtu të interesuara për të.
Të gjitha këto klube kanë dërguar skautë në Benfica për ta siguruar transferimin e Felixit, mirëpo “Los Blancos” dhe “Djajtë e kuq” janë dy klubet më të interesuara. Klauzola e tij e largimit besohet të jetë 120 milionë euro dhe ai mund të largohet nga klubi portugez këtë verë.
“Unë nuk frikësohem nga shifrat që po përmenden, ose krahasimet që po i dëgjoj në media. Nuk frikësohem as nga interesimi i klubeve më të mëdha në planet. Ndihem i lajkatuar”, tha Felix për Tuttosport javën e kaluar.
“Unë jam profesionist dhe e kam fatin të jem i këshilluar mirë. Babai im ishte profesor i edukatës fizike, ishte trajner i atletikës dhe e njeh botën tonë shumë mirë. Pastaj unë e kam agjentin më të mirë në botë, Jorge Mendesin”.
“Më pëlqejnë ligat e mëdha, si: Spanja, Anglia, Italia dhe Franca. Të gjithë futbollistët më të mirë portugezë luajnë në ligat më të rëndësishme të huaja dhe, natyrisht, edhe unë dua ta bëjë këtë”.
“Do të doja të luaj përkrah Cristiano Ronaldo sepse ai është thjesht më i mrekullueshmi. Një idhull, ikonë botërore, shembull për të gjithë. Të luaj me një bishë si ai do të ma jepte mundësinë të përmirësohesha edhe më shumë”.