Lufta e vërtetë e Trump nis në Mars

146

Një model i ri i tregtisë botërore po bëhet më i qartë, po ashtu siç po bëhen edhe kostot e tij
Kur Amerika mori një kthesë proteksioniste në politikën e saj rreth dy vjet më parë, shqetësimet që krijoi ishin të shumta, kryesisht në lidhje me atë se mjerimi i viteve 1930 do të kthehej sërish, shkruan The Economist.
Por sot, ato parashikime ogurzeza duken të gabuara. Është e vërtetë që Kina po ngadalësohet dhe po aq e vërtetë është edhe që firmat perëndimore të ekspozuara ndaj Kinës, si në rastin e kompanisë Apple po marrin një goditje. Por gjatë vitit 2018, rritja globale ishte e mirë, papunësia ra dhe fitimet u rritën.
Në nëntor, Presidenti Donald Trump nënshkroi një pakt tregtar me Meksikën dhe Kanadanë. Nëse bisedimet e muajit të ardhshëm do të mundësonin edhe nënshkrimin e një marrëveshje tjetër me Xi Jinping, tregjet e çliruara do të arrinin në përfundimin se lufta tregtare ka të bëjë thjesht me një teatër politik dhe jo me shpërthimin e një lufte të vërtetë tregtare. Por pretendimi është i gabuar. Tensionet e sotme tregtare po nxjerrin më shumë në pah një ndryshim që ka ndodhur prej krizës financiare të 2008-‘09.
Investimet ndërkufitare, tregtia, kreditë bankare dhe zinxhirët e furnizimit janë zvogëluar apo kanë qenë në stanjacion në raport me PBB-në botërore. Globalizimi i ka dhënë rrugë një epoke të re, ngadalësimit të tij. Epoka e artë e globalizimit, në vitet 1990-2010, ishte diçka për t’u vëzhguar. Tregtia shënoi rritje, ndërkohë që kostoja e zhvendosjes së mallrave në anije dhe aeroplanë ra, kostot e telefonatave u bënë më të lira, tarifat u ulën dhe sistemi financiar u liberalizua. Aktiviteti ndërkombëtar po lulëzonte, firma të ndryshme po krijoheshin anembanë botës, investitorët po rriteshin në numër dhe blerjet e konsumatorëve në supermarkete ku zgjedhjet e produkteve ishin të larmishme po rriteshin.
Ngadalësimi i globalizimit nga shpejtësia e dritës në ritmin e një kërmilli në dekadën e fundit ka ndodhur për disa arsye. Kostoja e lëvizjes së mallrave ka ndaluar rënien. Firmat shumëkombëshe kanë arritur në përfundimin se shtrirja globale shoqërohet me kosto të larta dhe me një konkurrencë të madhe të rivalëve vendas.

Aktiviteti është duke u zhvendosur drejt shërbimeve, të cilat janë më të vështira për t’u shitur përtej kufijve: gërshërët mund të eksportohen në kontejnerë rreth 6 metra të lartë ndërsa parukierët jo.
Industrisë së prodhimit kinez i është rritur vetëbesimi, prandaj sipas saj ajo ka nevojë të importojë një nivel më të ulët produktesh.
Ky është pikërisht edhe sfondi i brishtë i luftës tregtare të z. Trump. Tarifat priten të marrin vëmendjen më të madhe. Nëse Amerika do të rrisë detyrimet ndaj Kinës në muajin mars, ashtu edhe siç ajo ka kërcënuar më parë, norma mesatare e tarifave për të gjitha importet amerikane do të rritet në 3.4%, më e larta e 40 viteve të fundit. (Shumica e firmave planifikojnë të kalojnë koston tek konsumatorët.)
Edhe pse jo aq i dukshëm, por po aq i dëmshëm, është edhe fakti se rregullat e tregtisë po rishkruhen në mbarë botën. Parimi se investitorët dhe firmat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë pavarësisht kombësisë së tyre është hedhur poshtë dhe dëshmi për një fakt të tillë mund të gjejmë në shtete të ndryshme të botës. Rivaliteti gjeopolitik është duke influencuar industrinë e teknologjisë, e cila përbën rreth 20% të tregjeve të aksioneve botërore.
Sistemet tatimore tani po i nënshtrohen gjithnjë e më shumë me qëllimeve patriotike. Për shembull në Amerikë, ato po ndikojnë në nxitjen e firmave për të riatdhesuar kapitalin, ndërsa në Europë për të targetuar Silicon Valley. Amerika dhe BE-ja kanë regjime të reja për miratimin e investimeve të huaja, ndërkohë që Kina, pavarësisht kërcënimeve ndaj saj, nuk ka ndër mend t’u mundësojë firmave të huaja zhvillimin e një loje sipas rregullave të barabarta. Amerika e ka marrë fuqinë e saj nga drejtimi i sistemit të pagesave në botë në dollarë, duke ndëshkuar në këtë mënyrë edhe firmat e huaja të tilla si Huaëei.
Madje edhe fusha si kontabiliteti dhe antitrustet janë duke u fragmentarizuar. Tregtia po vuan ndërsa firmat përdorin inventarët që kishin rezervuar në pritje të tarifave më të larta.

Por ajo që me të vërtetë ka rëndësi janë planet afatgjata të investimeve të firmave, pasi ato fillojnë të ulin ekspozimin e tyre ndaj vendeve dhe industrive me rrezik të lartë gjeopolitik ose që kanë rregulla të paqëndrueshme. Janë shfaqur shenja se po fillon një rregullim i mundshëm.
Investimet kineze në Europë dhe Amerikë ranë me 73% në vitin 2018. Vlera globale e investimeve ndërkufitare nga kompanitë shumëkombëshe ra me rreth 20% në vitin 2018.Bota e re do të funksionojë ndryshe. Ngadalësimi i globalizimit do të çojë në krijimin e lidhjeve më të thella brenda blloqeve rajonale. Zinxhirët e furnizimit në Amerikën e Veriut, Europë dhe Azi po ndihmojnë më shumë vendet që ndodhen afër tyre.
Në Azi dhe Europë, tregtia më e madhe tashmë është ndër-rajonale dhe ajo ka shënuar rritje që prej vitit 2011.
Firmat aziatike regjistruan një numër më të madh shitjesh brenda Azisë sesa në Amerikë, gjatë 2017.
Bashkimi Europian po vendos autoritetin e tij në investimet bankare, teknologjike dhe të huaja. Kina shpreson të arrijë nënshkrimin e një marrëveshje tregtie rajonale gjatë këtij viti, edhe pse firmat e saj të teknologjisë po zgjerohen në Azi. Kompanitë regjistrojnë rreth 30 trilionë investime ndërkufitare, disa prej të cilave mund të kenë nevojë të zhvendosen, të shiten ose edhe të mbyllen.
Fatmirësisht, kjo nuk do të ketë ndikim negativ në standardet e jetesës. Tregjet me madhësi kontinentale janë mjaft të mëdha për t’u zhvilluar. Rreth 1.2 miliardë persona janë nxjerrë nga varfëria ekstreme që prej vitit 1990 dhe nuk ka arsye të mendohet se ky numër do të rritet sërish.
Konsumatorët perëndimorë do të vazhdojnë të gjenerojnë përfitime të mëdha neto nga tregtia. Në disa raste, integrimi më i thellë do të zhvillohet në nivel rajonal sesa në atë global. Megjithatë, ngadalësimi i globalizimit ka dy dizavantazhe kryesore. Së pari, krijon vështirësi të reja.

Në vitet 1990-2010 shumica e vendeve në zhvillim ishin në gjendje të zvogëlonin një pjesë të hendekut me ato të zhvilluara. Ndërsa tani vështirësitë e tyre në drejtim të vendeve më të pasura janë rritur. Ekziston edhe një tension midis një modeli tregtar më rajonal dhe një sistemi financiar global.
Normat e interesit të një numri të madh shtetesh do të ndikohen nga Amerika edhe kur modelet e tyre të tregtisë të jenë shumë pak të lidhura me të, duke shkaktuar turbullira financiare. Mundësitë që Rezerva Federale të shpëtojë të huajt duke vepruar si një huadhënës global, ashtu siç veproi edhe një dekadë më parë, janë shumë të pakta. Disavantazhi i dytë është se ngadalësimi i globalizimit nuk do të zgjidhë problemet që ka krijuar ky i fundit. Automatizimi do të thotë se në Perëndim nuk do të ketë një rilindje të punëtorëve me kollare blu.
Firmat do të punësojnë punëtorë të pakualifikuar në vendet më të lira në çdo rajon. Ndryshimi i klimës, emigrimi dhe zvogëlimi i taksave do të jetë më i vështirë për t’u zgjidhur pa bashkëpunimin global. Ngadalësimi i bilancit do ta ndihmojë Kinën që të sigurojë një hegjemoni rajonale më të shpejtë.
Globalizimi e shndërroi botën një vend më të mirë, pothuajse për të gjithë. Por shumë pak është bërë për të zbutur kostot e saj. Problemet e neglizhuara të botës së integruar tani janë rritur në sytë e publikut deri në pikën ku përfitimet e rendit global mund të harrohen lehtësisht. Megjithatë, zgjidhja më e mirë nuk është një rregullim në të gjitha drejtimet. Ngadalësimi i globalizmit do të jetë më i egër dhe më pak i qëndrueshëm sesa paraardhësi i tij dhe në fund të fundit ajo do të rrisë pakënaqësinë.