Ky regjim do të përmbyset, populli do të marrë fatet në duar të shtunën, s’ka forcë ta ndalë

87

Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Ne do t’i japim fund çdo koncesioni e PPP-je. Oligarkët do t’i zëmë si minj në çark, bashkë me politikanët e korruptuar, që kanë vjedhur nga xhepat tuaj. Lushnja lëngon sërish nën këmbët e bandav, të cilat kanë zaptuar gjithçka. Çdo pasuri e lushnjarëve sot është në dorën e bandave të Lushnjes, e Shytëve dhe e ortakëve të tyre, e atyre që i delegojnë me telefon nga qelitë e burgut.
Ky sistem i kalbur nuk mund të pastrohet. Ky sistem, me një kryeministër, që nuk përfaqëson votën e shqiptarëve, por të bandave, duhet dhe do të përmbyset. Kjo është një javë vendimtare për Shqipërinë.
Ky është modeli i Edi Ramës, i cili akoma hesht për Dritan Dajtin dhe 4 policët e vrarë, sepse ajo është vepër direkt e Ramës. Është detyrë kombëtare që populli i bashkuar të marrë fatet në dorë të shtunën dhe nuk ka forcë që ta ndalojë.
Për të gjithë ata që kërkojnë apo dyshojnë se në fund të këtij procesi do të ketë një tjetër narrëveshje me Edi Ramën u them qartë dhe prerë:Me Edi Ramën, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje.
Çdo institucion, ka humbur legjitimitetin. Çdo institucion, ka humbur moralin. Moralin, sot e kanë vetëm shqiptarët e bashkuar. Kjo është një javë vendimtare për Shqipërinë.
Bashkohuni në sheshin para kryeministrisë me 16 shkurt dhe merrni në dorë fatin tuaj.Askush nuk mund t’ju pengojënë misionin hyjnor! Sëbashku, t’i japim fund, grushtit të shtetit nga kriminelët. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.
Fjala e Kryetarit të PD, Lulzim Basha
Sa herë që vij në qytetin e Lushnjes, sa herë që ndodhem pranë shtëpive, tregjeve apo arave të fermerëve të Myzeqesë, në këto 5 vite kam parë përkeqësimin e përditshëm të gjendjes tuaj ekonomike. Varfëria është ulur këmbëkryq. Varfëria është ulur këmbëkryq për shkak të vjedhjes qeveritare dhe të korrupsionit qeveritar. Lushnja dhe Myzeqeja ia kanë dalë në tre dekada të ndërtojnë mirëqenie dhe punësim, natyrisht me vështirësi, me sfida të shumta, por kurba ka qenë rritëse deri para 5 vitesh, kur u lëshua mbi ju banda kriminale e “Rilindjes”. Rritën çmimin e energjisë dhe morën jetë të pafajshme, këtu në Lushnje.

Nuk i harrojmë mbi 330 kryefamiljarë, që i plasën burgjeve, sepse nuk kishin mundësinë të paguanin faturën e energjisë. Kush prej jush i harron? Kush i harron jetët e humbura në akte dëshpërimi që në ditë të ftohta, në prag të vitit të ri nga baballarë që u futën në burg për një prizë, për një furnelë elektrike. Këto bëri “Rilindja”, këtë bëri Edi Rama, ndërkohë që sot e gjithë ditën, bredhin të lirë ministrat që bënin trafikun e drogës, krekosen, si Saimir Tahiri me shokë, hajdutët që i kanë vjedhur taksat tuaja në 2,9 miliardë euro koncesione, krekosen me paratë tuaja, i kanë bërë vila, i kanë bërë pasuri, i kanë bërë konto bankare sekrete.
Askush nuk e ka shprehur më mirë se rinia, se djemtë dhe vajzat tuaja të reja, kur u ngritën në kryengritjen studentore të dhjetorit: “nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur”. Jo vëllezër e motra, as Lushnja, as Myzeqeja, as Shqipëria nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Me këto miliarda euro një qeveri, e cila mendon për njerëzit, do t’ju shtrinte dorën, në radhë të parë më të pamundurve.
Dhe unë ju jap fjalën, se qeveria që do të vijë me votën e lirë të shqiptarëve, qeveria e Partisë Demokratike dhe e opozitës së bashkuar, gjëja e parë që do të bëjmë, do t’i japim fund çdo koncesioni e PPP-je, nga i pari tek i fundit. Oligarkët do t’i zëmë si minj në çark, bashkë me politikanët e korruptuar, që kanë vjedhur nga xhepat tuaj. Si minj në çark do t’i zërë ligji ata dhe banditët që sot bëjnë ligjin. Nuk do të ketë mëshirë për ta, nuk do të ketë falje për ta, nuk do të ketë paqe për ta, do të ketë vetëm drejtësi dhe dorë të hekurt të ligjit.
Gjithë këto vuajtje të këtij populli nuk i hyjnë në sy Sheikut të Surrelit dhe bandës së tij grabitqare. 19 shkolla janë mbyllur në Lushnje, sepse janë hapur me dhjetëra aktivitete false ekonomike vetëm për të zhvatur paratë e taksapaguesve lushnjarë, sepse janë hapur vende pune edhe njëherë në rrjetin kriminal të drogës dhe trafiqeve, sepse Lushnja, edhe njëherë, lëngon nën këmbët e bandave të Lushnjes, të cilat kanë zaptuar gjithçka, nga tregu i qytetit tek tenderat e qytetit, tek Laguna… Gjithçka, çdo pasuri e lushnjarëve sot është në dorën e bandave të Lushnjes, e Shytëve me shokë e me ortakë, dhe e atyre që i delegojnë me telefon nga qelitë e burgut.

Njësoj si në Lushnje, anembanë nëpër Shqipëri, populli është i vjedhur. Të vjedhur janë pensionistët. Takova disa prej tyre sot këtu, dhe njësoj si në Lezhë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan, në Durrës e në Tiranë, më treguan realitetin e tmerrshëm, se si marrin nga 100, 110 e deri në 140 mijë lekë pension e i lënë 90 % të lekëve të pensionit për faturën e energjisë, për faturën e ujit, për faturën e ilaçeve dhe s’u mbeten mjaftueshëm para as për të blerë koren e bukës. Shumë prej tyre mbijetojnë me ndihmën dhe thërrimet e fëmijëve, të cilët po kështu janë të papunë, po shumë prej tyre, njësoj si shumë prej qytetarëve të tjerë, dhe fëmijëve të Lushnjes e të Shqipërisë, hanë vetëm një vakt në ditë.
E pra, në këtë gjendje alarmante është sot Lushnja, në një krizë të thellë ekonomike, në një krizë të thellë sociale, në një depresion të thellë psikologjik. Fermerët e Myzeqesë kanë marrë së fundmi dhuratën e fundit nga Banda e Lushnjes dhe kryeministri i bandave, kryeministri i niçeve, i gjushëve dhe i hajdutëve. Skema e tvsh-së që është vendosur për fermerët i vendos ata dhe agro-biznesin shqiptar para dy zgjedhjeve: ose të ulin çmimin e blerjes, pra të ulin fitimin, nëse mund të bëhet fjalë për fitim tek fermerët, ose, përndryshe, të mos blejnë mallrat e prodhimit shqiptar, të mos blejnë frutat, zarzavatet, qumështin, mishin në Shqipëri, por të favorizojnë grosistët që e sjellin atë nga jashtë.
Vetëm mendja më perverse mund ta shpikë këtë sistem, vetëm një njeri që i urren fermerët shqiptarë, që e urren popullin e vet mund të zgjidhte një sistem të tillë. Efekti është i menjëhershëm. Nuk kanë kaluar shumë muaj, qëkur pashë me sytë e mi prodhimet e Myzeqesë të kalbeshin në ara, siç pashë prodhimet e Devollit të hidheshin nëpër kanale dhe, në vend që të merrte masa emergjente, Edi Rama dhe qeveria e tij kanë vendosur t’ia shtrëngojnë edhe më shumë lakun fermerëve. Zero lekë për subvencione, naftën më të shtrenjtë në Evropë, dhe tani me sistemin korruptiv të TVSH-së duan t’i shuajnë fare, t’i përzënë nga Shqipëria. Kjo nuk mund të zgjasë, asnjë ditë më shumë nuk duhet të zgjasë.

Dua këtu, nga ky qytet, në zemër të zonës më pjellore bujqësore të Shqipërisë, t’i garantoj fermerët për planin tonë ekonomik, me mbështetje gjermane dhe evropiane, që do të nisë nga zbatimi që ditën tonë të parë në pushtet. 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për produktet shqiptare, mbështetje me investime për infrastrukturën bujqësore dhe traun e doganës për çdo prodhim të subvencionuar, në mënyrë proporcionale tarifë doganore. Ne do ta ringremë edhe njëherë prodhimin shqiptar, ne do ta ringremë në piedestal djersën e fermerëve shqiptarë. E njëjta gjë do të vlejë edhe sipërmarrjen që punëson dhe krijon vende pune. Ne do t’i japim fund kësaj bande hajdutësh. Ne do ta shembim këë sistem që në fakt janë 10 njerëz që e kanë shndërruar Shqipërinë në një geto, ku ke 2 alternativa, të bëhesh skllav i tyre ose të largohesh në emigracion.

Ju e dini që, për vite me radhë, ne jemi përpjekur ta pastrojmë këtë shtet kriminal nga brenda sistemit. Me Ligjin e Dekriminalizimit arritëm njëfarë suksesi. Me denoncimet e përditshme, me përballjet, me propozimet e tjera, amendamentet, e kanë bërë veshin e shurdhër. U përpoqëm ta pastronim nga brenda, u përpoqëm ta pastronim nga koka, por sot nuk ka shqiptar që e do veten, familjen dhe vendin e vet që nuk e ka kuptuar se ky sistem i kalbur, që në fakt është sundimi i 10 njerëzve mbi shumicën, është vjedhja e shumicës nga pakica, ky sistem i kalbur nuk mund të pastrohet, ky duhet dhe do të përmbyset. Asgjë nuk e tregon më mirë fytyrën e këtij sistemi se dy afera, nga qindra afera që plasin ditë për ditë. E para, dosja 339. Është maja e ajsbergut dhe vetëm me një dosje, vetëm me pak minuta të zbuluara nga prokuroria, tregohet se si kanë vjedhur votat dhe mandatet në 4 qarqe të Shqipërisë. Kemi në krye një kryeministër, një qeveri e një parlament që nuk përfaqëson votën e shqiptarëve të ndershëm, nuk përfaqëson votën e lushnjarëve, nuk përfaqëson as votën e socialistëve. Këta kanë ardhur në pushtet me bandat, prandaj qeverisin me bandat, këta e lidhën fatin e tyre politik me krimin, prandaj kanë harruar qytetarët.
Dhe ky është modeli që shkakton të zeza dhe skandale çdo ditë. Shkakton skandale si ai që shpërtheu edhe sot, ku një njeri i larguar me ligjin e dekriminalizimit nga policia në vitin 2015, u rikthye, në fillim si komisioner i Rilindjes dhe pastaj si shef policie në Malësi të Madhe dhe ku u tregua qartë se si abuzon me një vajzë 15 vjeçare.
Qytetarët: Turp, turp, turp
Ky është modeli i Edi Ramës, i cili akoma nuk ka gjetur kohën të shqiptojë dy fjalë: Dritan Dajtindhe 4 policët e rënë në krye të detyrës, sepse, ajo që praktikisht është shfajësim i Dritan Dajtit nuk është thjesht dhe vetëm vepër e disa gjyqtarëve të korruptuar, skllevër të Edi Ramës. Ajo është vepër drejtpërdrejt e Edi Ramës. Njësoj si me Dritan Dajtin, ai është i lidhur me të gjithë banditët e tjerë të Shqipërisë. Ai nuk përfaqëson më asnjë vullnet politik, ndaj është detyrë kombëtare që populli i bashkuar të marrë fatet në dorë, ditën e shtunë. Dhe nuk ka forcë që ta ndalojë.
Çdo institucion, ka humbur legjitimitetin. Çdo institucion, ka humbur moralin. Moralin, sot e kanë vetëm shqiptarët e bashkuar.

Në hyrje të qytetit, më kërkuat, që 16 shkurti, të jetë dita e shprehjes së pafrenuar të vullnetit dhe të zërit të qytetarëve.Ju them sot, që nuk ka forcë mbi tokë ta pengojë popullin e bashkuar më 16 shkurt, të flasëi me një zë dhe të veprojë si një trup i vetëm.
Do të doja shumë, që të vija sot, siç kam ardhur me propozime politike dhe institucionale. Por do të ishte e pandershme, po mos të ndaja me ju, siç kam ndarë me bashkëqytetarët tanë kudo, nëpër qytete dhe fshatrat ku kam qënë në këtë tur, që zgjidhjet politike kanë shterruar. Se procesi politik është asgjesuar. Është asgjesuar parlamenti, sepse janë asgjesuar zgjedhjet.Është asgjesuar drejtësia, që duhet ta kishte vënë prapa hekurave, Vangush Dakon, dhe të hetonte në thellësi, për të shkuar tek urdhëruesi I Vangush Dakos. Është asgjesuar drejtësia, e cila edhe në vendin më të korruptuar të botës, sot do të kishte arrestuar, të paktën ministrin e aferës tek Unaza, ku vidhen 20 milion euro për kilometër. 40 milion euro, paratë tuaja, paratë e popullit më të varfër, në vend që të shkojnë për rritjen e pensioneve, në vend që të shkojnë për bukën e vogëlushve të Lushnjes e të gjithë Shqipërisë, zhduken, vidhen. Dhe për t’i vjedhur, janë gati të prishin shtëpitë e 1 mijë familjeve, të cilat kanë qëndruar për më shumë se 100 ditë. Ne kemi qëndruar bashkë me ta, me qendresën e tyre, me qendresën e studentëve.
Nuk ka shqiptar që nuk e kupton, se cila është gjuha e vetme për të larguar këtë të keqe: bashkimi, qendresa, përballja, deri në largimin e saj.
Për të gjithë ata që kërkojnë apo dyshojnë se në fund të këtij procesi, do të ketë një tjetër narrëveshje me Edi Ramën.
Sot, në këtë ditë të parë të kësaj jave historike për Shqipërinë Europiane, dua të jua them qartë dhe prerë:
Me Edi Ramën, nuk ka zhvillim.
Me Edi Ramën, nuk ka punësim.
Me Edi Ramën, nuk ka ligj.
Me Edi Ramën, nuk ka drejtësi.
Me Edi Ramën, nuk ka kujdes për më të pamundurit.
Me Edi Ramën, nuk ka Europë.
Me Edi Ramën, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje.

Marrëveshja jonë, është me shqiptarët. Unë e di që, kur shikoni njëri-tjetrin, këtu në këtë shesh, ju e dini se ndani shumë më shumë se hallin me njëri-tjetrin. E kam parë këto dy javë, sesi shqiptarët janë bashkuar sërish. Sesi përçarja, përmes propagandës tinzare të Edi Ramës, nuk funksionon më. E pra, dijeni mirë se nuk jeni të bashkuar vetëm në halle. Jeni të bashkuar edhe për të ardhmen, tuajën, të fëmijëve tuaj, të rinisë shqiptare, të studentëve shqiptarë.
Kjo e ardhme, merr formë, me planin tonë për të hapur derën e bllokuar të Shqipërisë drejt Europës. Në Europë, nuk shkohet me mashtrime, me hilera. Në Europë, shkohet me të vërteta dhe me vlera.

Prioriteti numër një, imi dhe i Partisë Demokratike, është: punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve. Dhe ne do të bëjmë të mundur, përmes mundësisë, përmes lirisë për çdo shqiptar, ndezjen e motorrëve të ekonomisë. Punësimin me paga dhe kushte dinjitoze dhe dhënien fund padrejtësive të kësaj bande kriminale.
Por, ne kemi nevojë që së pari, të zhbllokojmë proceset politike. Ne kemi nevojë, të kthejmë Kushtetutën, ligjin dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
Dhe kjo është arsyeja, që sëbashku, ta çelim atë derën e mbyllur të Europës për tre vite dhe mos ta humbasim prapë shansin, që sëbashkua ta çelim derën e mundësive për gjithësecilin prej jush. Që paratë e taksave tuaja, mos të bëhen rrush e kumbulla dhe luks për një grusht njerëzish, por të rrisim pensionet, të rikthejmë ndihmen ekonomike aty ku është e nevojshme. Të investojmë për shkollat tona, të mundësojmë që të mos mbetet bir dhe bijë lushnjari, pa universitet, për shkak të kushteve ekonomike. Dhe pastaj t’i mundësojmë punësim, me një ekonomi që zhvillohet.
Për të gjitha këto, na duhet të bashkohemi, jo thjesht dhe vetëm rreth halleve, por të bashkohemi rreth zgjidhjes.
Jepini dorën njëri-tjetrit, bashkohuni të gjithë si sot, ejani dhe derdhuni në sheshin para kryeministrisë me 16 shkurt dhe merrni në dorë, fatin tuaj.
Askush nuk mund t’ju pengojë.Askush nuk do t’ju pengojë, në misionin hyjnor, që është vetëm i popullit.
Sëbashku, t’i japim fund, grushtit të shtetit nga kriminelët.
Sëbashku, të rikthejmë mundësinë, lirinë dhe mirëqenien për çdo shqiptar.
Sëbashku, ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Në krahun tonë, janë të gjitha ata që duan përparimin e Shqipërisë. Të gjithë ata që janë ngopur me gënjeshtrat dhe mashtrimet e Edi Ramës. Të gjithë ata që e kanë kuptuar më në fund, pas shumë betejash tona e të opozitës, se kanë të bëjnë jo thjesht dhe vetëm me një të marrë, por me një hajdut, me një mashtrues të paskrupullt, i cili ka destabilizuar ekonominë, po zbraz Shqipërinë nga emigracioni i paligjshëm.
I ka dorëzuar qeverisjen krimit dhe tani do të destabilizojë rajonin, me lojrat e tij për coptimin e Kosovës.Ndaj, ky është momenti, zonja e zotërinj.Ky është momenti fatlum i çdo shoqërie dhe i çdo populli europian.
Është në dorën tuaj, do ta ulni kokën para të keqes apo do ta mposhtni të keqen, të gjithë të bashkuar me datën 16-të në Tiranë.
Ju ftoj, të gjithëve sëbashku, lushnjarë dhe lushnjare, banorë të Divjakës dhe të Myzeqesë, punëtorë, fërmerë, intelektualë, në veçanti jutë rinj e të reja,derdhuni në Tiranë, t’i japim fund të keqes me 16 shkurt.
Zoti e bekoftë Lushnjen!
Zoti e bekoftë Myzeqenë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë