Dr. Mark Solomon: Largimi i ambasadorit iranian i vonuar, Basha mik i sinqertë i hebrenjve

165

Dr. Mark Solomon është një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike dhe lidhjeve mes hebrenjve dhe shqiptarëve. Në një intervistë për RD, Solomon thotë se largimi i ambasadorit iranian nga Tirana ka qenë i vonuar. Ai thekson se Basha është një mik i sinqertë i popullit dhe shtetit hebre.
-Ju drejtohem si një observues dhe një lexues i i vëmendshëm i zhvillimeve në Shqipëri e Ballkan dhe pyetja e parë që do të doja t’ju bëj është e thjeshtë sa e drejtpërdrejtë: Si e gjeni humorin e shqiptarëve gjatë këtyre ditëve?
Humori i shqiptarëve, sidomos në dy vitet e fundit ka rënë drastikisht. Shqiptarët shpresuan shumë në qeverisjen Rama, por ajo që unë observoj dhe perceptoj është se ata tashmë nuk e fshehin zhgënjimin e tyre. Mungesa e investimeve serioze e prodhuese, të vendit e të huaja,boshllëqet ligjore dhe administrative, korrupsioni i lartë në shumë fusha e hallka administrative, zbrazja e arkës së shtetit, ende të varfër e të pakonsoliduar, për të kënaqur interesat e një grushtitë vogël oligarkësh të lidhur me politikën dhe qeverinë Rama, papunësia e lartë, zbrazja e Shqipërisë nga të rinjtë, shumica e të cilëve nuk shohin perspektivë në këtë vend, krimi i organizuar dhe i paorganizuar, prodhimi, shkëmbimi dhe trafiku, tashmë i sofistikuar, i drogave të ndryshme, në e nëpërmjet territorit të Shqipërisë, polarizimi gjithnjë e më i madh në standartin e jetesës midis shtresës që pasurohet mbi kurrizin e shqiptarëve dhe shumicës së këtij populli fisnik si dhe shumë dukuri të tjera negative, janë plagët më të dukshme të Shqipërisënën qeverisjen Rama. Nuk është e vështirë t’i observosh dhe ca më pak t’i prekësh këto realitete.
-Ju observoni këto aspekte negative ndërsa qeveria mëton se ka kryer një sërë reformash….
Prapa së ashtuquajturave reforma, shoh tendencën për të koncentruar në pak duar, në mos në një dorë të vetme, të gjitha pushtetet dhe sferat më të rëndësishme të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare. Një analizë korrekte e fakteve dhe e mënyrave se si po realizohen këto reforma nuk mund të mos të të çojë në këtë konkluzon. Fasada e reformave po përdoret mirë nga qeverisja Rama dhe nga kryeministri personalisht për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe të huajve që duan një Shqipëri realisht të emancipuar, realisht demokratike, realisht të zhvillueshme sipas modelit perëndimor të shtetit demokratik e ligjor. Shqipëria e Ramës – më lëjoni ta quaj për një moment kështu – realisht po ecën sipas modelit rus, ku pushtetet janë gjithnjë e më të kontrollur nga një njeri i vetëm dhe një grusht oligarkësh që e rrethojnë, me ndryshimin se Putin është në gjendje të kushtëzojë oligarkët e tij, ndërsa Rama është shprehje e interesave të vjetra e të reja të matricave nga të cilat ata lindin si dhe e disa linjave e ndërthurjeve politike rajonale e më gjerë, që kanë kushtëzuar për keq zhvillimin e Shqipërisë, si të asaj komuniste, ashtu edhe të asaj postkomuniste.
Me Ramën në pushtet Shqipëria është rikthyer totalisht në subjekt i politikave dhe forcave që ende arrijnë të mbajnë Ballkanin peng në rrugën e tij tortuoze, por të pashmangshme drejt modelit perëndimor euro-atlantik tëzhvillimit. Kjo duhet të ndryshojë dhe unë vlerësoj se i vetmi lider aktual që mund ta bëjë këtë ndryshim është Lulzim Basha, një politikan me formim solid akademik në Perëndim, tashmë me një eksperiencë të pasur në politikë dhe i papërlyer me oligarkinë dhe krimin e organizuar. Janë këto rekuizitet bazë që çdo perëndimor i thjeshtë dhe çdo forcë politike parlamentare apo qeverisëse në Perëndim do të konsideronte të domosdoshme tek një interlokutor politik e shtetëror në Tiranë.

-Kështu, për ju, të ashtuquajturat reforma nuk kanë dhënë efektet që priteshin…
Si mund të pretendosh se ke bërë reforma kur, më duhet të përsëris, vendi shndërrohet në pak vjet qeverisjeje në prodhues dhe distributor të drogës, kur mungojnë investimet e rëndësishme në infrastrukturë dhe prodhim, kur korrupsioni ka arritur shkallë të paparë ndonjëherë më parë, kur të rinjtë lënë masivisht vendin, kur krimi i organizuar shqiptar po konkuiston gjithnjë e më shumë terren si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, kur ekonomia po i çedohet copë pas cope, një grushti oligarkësh të lidhur me segmente të caktuar të qeverisjes Rama. Faktet janë kokëfortë dhe sado që të kamuflojnë e të kamuflohen zyrtarët e Ramës dhe ai vetë me të dhënat grosolane dhe manipulimet statistikore, shqiptarët e ndjejnë mbi kurrizin e tyre efektin negativ, nga njëra anë të reformave-fasadë dhe, nga ana tjetër, të një zhvillimi oligarkik të vendit.
-Si e konsideroni, në këndvështrimin tuaj, politikën e jashtëme të Shqipërisë?
Politika e jashtëme e Shqipërisëështë përgjithësisht e orientuar dhe ndoherë e kushtëzuar nga fakti që vendi është tashmë prej disa vitesh një anëtar i NATOS dhe ka hyrë në një fazë deçizive në relacion me Bashkimin Europian.
Shqipëria nuk ka shfrytëzuar mirënjë sërë kushtesh favorizuese, instrumentash e asetesh që sidomos BE, por edhe vende të tjerë miq i kanë gjenerozisht ofruar për të përshpejtuar reformat serioze e plotësuar kushtet e pranimit në BE. Pavarësisht vetë axhendës së BE-së, qeveria Rama nuk ka ndjekur, në gjykimin tim, një politikë univektoriale, por e ka dizorientuar politikën e jashtëme të Shqipërisë nëpërmjet kontakteve dhe relacioneve të pafrytshme në disa momente deçizive. Disa “flirte” të Shqipërisë në politikën e jashtme nuk e ndihmojnë atë të fokusohet në objektivin madhor të saj, që është pranimi në BE. Unë jam i bindur që kjo humbje energjie dhe kredibiliteti nuk do të verifikohet në një qeveri të ardhshme Basha. Është i njohur qëndrimi i paekuivok europianist dhe euroatlantisti liderit të opozitës demokrate shqiptare.
-Ju keni kontribuar në gjithë këto vite, edhe me disa publikime, në forcimin e lidhjeve midis botës hebraike e asaj shqiptare, por pyetja ime e mëtejshme nuk është e lidhur me aktivitetin tuaj, por me një kuriozitet tonin: me sa dimë, si Rama dhe Basha kanë kontakte të ndryshëm e të rëndësishëm me botën hebraike. Dalloni diferenca midis dy lidërve kryesorë shqiptarë në korrelacion me këtë botë?
Së pari do të doja t’ju preçizoj se lidhjet politike të lidërve të ndryshëm, edhe atyre shqiptarë, në pozitë apo në opozitë qofshin, me botën hebraike perëndimore, janë të mundshme në masën në të cilën ndjehet vetëpërkatësia në atë që quhet sistem vlerash tipik i matricës historiko-kulturale judaiko-kristiane, sistem në të cilin bota hebraike ështëhistorikisht bashkëthemeluese dhe plotësisht e e njehësuar dhe në specifikë shteti hebraik i Izraelit përbën një avampost të këtij sistemi në Lindjen e Mesme e më gjerë.
Kur gjendesh i mirëpritur në zyrën e madhe të kryetarit Basha në selinë qendrore të PD-së nuk mund mos të të bjerë në sy më shumë se një objekt-simbol i botës hebraike si dhe botime mbi historinë e popullit hebre e sidomos mbi Holokaustin,të cilët janë vendosur dukshëm e me kujdes të veçantë në librarinë e madhe pas skrivanisë. Gjatëbisedës së ngrohtë me të, pata rastin të mësoj me shumë kënaqësi lidhjet e tij intime, familjare, si me njerëz të thjeshtë, ashtu edhe me personalitete të spikatur të botës së sotme hebraike. Përpos kësaj, ajo çka është kryesore, qëndron në faktin se PD, më shumë se asnjë parti tjetër nëShqipëri, është një forcë e madhe politike që i dedikon vëmendje të posaçme marrëdhënieve me shtetin e Izraelit dhe botën izraeliane të biznesit. Nuk besoj se zbuloj ndonjë sekret kur mund të them se me PD në pushtet dhe zotin Basha kryeministër marrëdhëniet shqiptaro-izraeliane do të marrin një hov të panjohur më parë dhe se do të ketë ndryshime pozitive substanciale në politikën e jashtme shqiptare ndaj Izraelit.

-Por, nëse do të dëgjonim përfaqësuesit apo zëdhënësit e ministrisë së jashtme shqiptare, edhe në këtë moment, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të mira….
Në vështrimin tim, gjatë qeverisë socialiste të Ramës, në marrëdhëniet me Izraelin, janë konservuar disa elementë të matricës politiko-kulturore të periudhës ish komuniste dhe janë shprehur ndikime të forcave të huaja antiizraeliane, çka është shprehur publikisht në disa qëndrime të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të quhen, thjesht, gabime të një ishministri të jashtëm, njëherësh pinjoll i drejtpërdrejtë i një familjeje të konsoliduar komuniste dhe përçues i frymës së hapur antiizraeliane të ndonjë lideri rajonal, por një orientim i caktuar politik i qeverisë Rama. Në opinionin publik izraelian disa qëndrime të Shqipërisë kanë lënë shije të hidhur për inkoherencën e tyre lidhur me ndjenjat e sinqerta të miqësisëdhe mirënjohjes që lidh popullin hebre me popullin shqiptar, Izraelin me Shqipërinë e sotme si dhe kombet reciprokisht. Unë observoj se qeveria izraeliane, ka replikuar në mënyrën e saj ndaj këtyre qëndrimeve inkoherente, duke u kujdesur gjithmonë për vlerat e vërteta miqësore e njerëzore që lidhin hebrenjte, izraelianët, me Shqipërinë e shqiptarët.
Por, Dr. Solomon, nuk i jeni përgjigjur ende pyetjes sime mbi diferencën që ju dalloni midis lidhjeve të Ramës dhe atyre të Bashës me botën hebraike….
Në vështrimin tim (e faktet flasin vetë), do të thoja që diferenca është substanciale: Rama është mik i afërt dhe i deklaruar i manjatit hebreo-amerikan Xhorxh Soros për aktivitetin e të cilit edhe në Izrael ka objeksione të forta, ndërsa Basha është njohës i shkëlqyer dhe mik i sinqertë i popullit hebre dhe i shtetit hebraik të Izraelit.
-Një çështje tjetër e lidhur: kohët e fundit qeveria Rama deklaroi persona non grata ambasadorin e Iranit në Tiranë, akt që u përcoll me vëmendje nga shumë instanca politike dhe media ndërkombëtare. Ky akt patjetër që e solli Tiranën zyrtare në vëmëndjen e botës hebraike dhe të Jeruzalemit zyrtar, duke parë rëndësinë që Izraeli i kushton kërcënimeve që vijnë prej Iranit ajatollahist. Si e keni gjykuar këtë vendim?
Vendimi i qeverisë shqiptare është, natyrisht, për t’u përshëndetur, edhe pse dëbimi i një ambasadori apo një diplomati nuk ndryshon shumë substancën e gjërave në terren. Duhet të dijë opinioni publik shqiptar që ky vendim i qeverisë shqiptare ishte gjithsesi i vonuar, megjithë informacionet e shumta që shërbimet ekselente shqiptare të sigurisë dhe shërbimet e huaja prej vitesh i kanë furnizuar në këto vite qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama personalisht. Kjo do të thotë që midis segmenteve të kësaj qeverie dhe Teheranit ka patur dhe ndoshta vazhdon të ketë një fill të drejtpërdrejtë interesash jo shtetërorë që i kanë kushtëzuar gjërat.
Gjatë bisedës së gjatë me Bashën nuk munda të mos observoj shqetësimin e thellë të tij mbi disa aspekte të influencës iraniane në Shqipëri ( e kam fjalën për atë të regjimit iranian)dhe sidomos reperkusioneve që kjo influencë e strukturuar mund të sjellë si në aspektin e sigurisë në Shqipëri, ashtu edhe në disa marrëdhënie ndërkombëtare të saj, veçanërisht me SHBA dhe shtetin e Izraelit. Në këtë temë, e gjej Bashën plotësisht në koherencë me shqetësimin e zotit Berisha i cili vite më parë denoncoi i pari publikisht në Shqipëri regjimin iranian duke e përkufizuar, as më shumë e as më pak, si një regjim i tipit nazist. Gjej Bashën jo vetëm të mirëinformuar mbi këtë temë, por totalisht në sintoni jo vetëm me politikën e SHBA dhe të Izraelit ndaj Iranit të ajatollahëve, por edhe me dëshirën e popullit të emancipuar iranian për të rivendosur lirinë dhe demokracinë në këtë vend të rëndësishëm të Lindjes së Mesme.

-Edhe një pyetje të fundit; ne jemi media dhe punonjës dhe operatorë të medias në Shqipëri të cilëve kryeministri Rama u ka vënë epitete të padenjë për një kryeministër të një vendi që aspiron të bëjë pjesë nëBE. Cila është konsiderata juaj reth qëndrimeve të kryeministrit shqiptar ndaj shumicës së mediave dhe gazetarëve në Shqipëri?
Si person që ka komunikuar disa herë me e nëpërmjet mediave shqiptare e që e ndjek zhvillimin e tyre më duhet të them se shpesh cilësia e informacionit dhe e mesazheve që ato përcjellin si dhe etika e disa syresh lënë për të dëshiruar. Proçesin selektiv në zhvillimin e mediavevetëkoha po e ndihmon tëpastrohet nga nga uji i tepërt si dhe nga pseudoinformacionet që derivojnë nga nivele të ulët koshiencialë dhe profesionalë. Mirëpo nga këtu e gjer në konsiderimin e mediave “kazan” e kushedi çfarë tjetër epiteti o metafore të linguazhit folklorik të Ramës, më duket se nuk është aspak dinjitoze për një personazh politik e sidomos për një kryeministër vendi. Mediat në Shqipëri nuk janë ilegale e përderisa aktiviteti i tyre është i rregulluar e i garantuar nga ligji, mjafton t’i referohesh këtij të fundit për të mbajtur relacione korrekte me mediat, në vend që t’i etiketosh negativisht e t’i përçmosh ato dhe opertorët e veçantë të tyre.
Qëndrimi ndaj mediave është një tregues i qartë i emancipimit politik të një lideri dhe i nivelit koshiencial të tij, përpos i filozofisë nga e cila udhëhiqet dhe i kahjes së zhvillimit që ai pqërpiqet t’i japë shoqërisë dhe vendit. Shpesh qëndrimi i Ramës ndaj mediave më duket i ngjashëm me atë të Erdoganit në Ankara e të Putinit në Moskë. Ashtu si ata, edhe Rama në Tiranë ka shtënë në dorë mediat kryesore e ato qëende mbeten opozitare të tij i denigron dhe i skualifikon sistematikisht. Kjo nuk deponon në favor të tij si lider politik i një vendi që aspiron BE-në e, për fat të keq, është një ndër elementët që penalizon Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
Jam i sigurtë që me Bashën kryeministër do të ndryshojë edhe ky model i relacionit të qeverisjes demokratike me mediat. Me sa kuptova nga biseda me të, ai i konsideron mediat një pasqyrë e jo “kazan” dhe mjafton ky koncept për të kuptuar qëndrimin miqësor të tij ndaj mediave të vendit, të fokalizuar rreth së vërtetës, realitetit dhe synimeve të përbashkëta, edhe kur bëhet fjalë për media kundërshtare.
Është koha që Shqipëria të ndahet njëherë njëherë e mirë nga konceptimet tribale, të stilit Rama të pushtetit, e me Bashën kjo do të ndodhë. Basha është i vetmi lider shqiptar që nuk përdor shprehjen “kur të vijmë ne në pushtet”, por përdor frazën korrekte “kur të vijmë ne demokratët në qeverisje”, shprehje e formimit juridik perëndimor të tij në të cilin vetë fjala “pushtet”, tipike e regjimit komunist, është në vetvete shprehje e abuzimit me detyrën për të qeverisur. Ajo çka, në fakt, ka ndodhur me qeverisjen Rama. Më falni, por nuk kam gjë tjetër për t’i shtuar këtij argumenti.
-Ju faleminderit dhe ju urojmë gjithmonë mirëseardhjen në Tiranë.
Jam unë ai që duhet t’ju falenderoj për mikpritjen tuaj autentike.

Intervistoi Arben SHAHINI