Basha viziton ish-kampin e internimit në Tepelenë, i mbijetuari rrëfen tmerrin!

103

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka vizituar ish-kampin e internimit të Tepelenës. ‘Ciceroni’ i tij në këtë muze tragjik është bërë Simon Mirakaj, lindur në 1944 në Shkodër. Familja e tij u internua prej vitit 1945 deri me afrimin e rënies së regjimit. Vetë Mirakaj është rritur në internim, prej të cilit është liruar bashkë me familjen e tij vetëm në vitin 1989.
Simon Miraka tregoi se ka hyrë 4 vjeç në kamp në vitin 1944 dhe ka dalë 9 vjeç nga kampi. Gjatë rrëfimit të tij në praninë e kreut të opozitës dhe disa deputetëve të tjerë të PD, i mbijetuari Simon Miraka u shpreh se, kanë vdekur mbi 1 mijë njerëz të pafajshëm në këtë kamp duke përfshirë, fëmijë, gra e burra.
“Këtu kanë qenë 5 kazerma të bëra nga italianët dhe kjo ka shërbyer si komandë e policisë. Pjesa këtu shërbente si furrë buke, bukë e zeze sterrë. Ndahej dhe bollgur me krimba. Këto shkaktuan edhe epidemi për sëmundje të ndryshme. Ishin 30 fëmijë që vdiqën nga mungesa e ushqimit dhe nga sëmundjet. Unë kam ardhur 4 vjeç dhe kam dalë 9 vjeç. Në 1944 kemi ardhur këtu. Dy fëmijë 8-9 vjeçe kaluan telat për të ngrenë disa mana të kuq përtej gardhit dhe janë lidhur dhe torturuar më pas. Në Tepelenë ishte kamp shfarosjeje. Janë mbi 1 mijë njerëz që kanë vdekur nga ky kamp, fëmijë, burra, gra. Shumë fëmijë të vdekur mbetën pa varr”, tregoi Simon Miraka.

“Këtu ka qënë një çezmë, bëri me dorë Mirakaj. Dy fëmijë që ishin pak më të shkathët, më të mëdhenj, mosha 8-9 vjeç, nga uria kalojnë telat. Kalojnë telat dhe shkojnë të mbledhin ca kokrra të kuqe. Janë ca ferra që lëshojnë kokrra të kuqe. Hanë aty shpejt e shpejt dhe mbushin dhe xhepat. Kur u futën brenda, i pa polici dhe shkoi i kapi të dy.
Të betohem, nuk ka asnjë ekzagjerim: i ka mbajtur lidhur gjithë natën në shtyllë! 8-9 vjeç!
Çezma, ngaqë frynte, iu binte stërkalat e ujit dhe ata qanin. Mirëpo prindërit, e ëma – nëna ime më kishte në krahë, vëllai ishte pak më i madh – ishin brenda telave, ndërsa ata ishin jashtë telave dhe i kishin lidhur; i dëgjonin që qanin, që ulërinin dhe u thoshin: “Mos qani, ja ku jemi këtu…” dhe në mëngjes i kanë zgjidhur. Të dyve u kishte rënë të fikët!
Këtij kampi unë nuk kam qejf t’i vë epitete, as Mat’hauzen, as Aushvic, – vërejti Mirakaj. – Unë them kamp shfarosjeje!’