Basha në Elbasan: Më 16 shkurt është finalja, në burg do të shkojnë të gjithë qeveritarët e korruptuar

45

Kreu i PD, Lulzim Basha ishte pasditen e sotme në Elbasan, ku ka zhvilluar takime të shumta me qytetarët. Gjatë takimeve, Basha është shprehur se është mbushur kupa dhe disa do të përfundojnë në burg.
‘Ne jemi përpjekur ta zgjidhim krizën duke e pastruar të keqen nga koka, kemi propozuar vettingun e politikanëve, ligjin Antimafia kundër oligarkëve dhe korrupsionit, por Edi Rama i ka hedhur poshtë, me dhunën e kartonave që nuk përfaqësojnë interesin tuaj.
Edi Rama dhe krimi i organizuar që e ka sjellë në pushtet, nuk mbron xhepat tuaj, por ata mbrojnë xhepat e Sejdinëve dhe Gjushërve, banditëve dhe politikanëve me të cilët është ulur në atë karrige.
Në Europë, kur qeveria kapet duke vjedhur, kur qeveria kapet duke u bërë njish me krimin e organizuar, nuk ikën populli, ikën qeveria, ikën kryeministri dhe kjo është mënyra e vetme e zgjidhjes së kësaj krize.
Kupa është mbushur dhe kupa po derdhet, në burg do të shkojnë nga i pari tek i fundit të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe ata që kanë futur duart në xhepat tuaj, si minj në çark do t’i zëmë më 16 shkurt, do t’i çojmë para ligjit, përpara drejtësisë’, është shprehur kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë ditës së sotme në Elbasan.
Basha tha se më 16 shkurt është i gjithë populli kundër një grushti njerëzish.
“Siç më tha ai zotëria atje, kjo është finalja. Me 16 shkurt është finalja, është i gjithë populli kundër një grushti njerëzish. Të gjithë! Janë të gjithë bashkë, kundër një grushti njerëzish”, theksoi kreu i PD.

Ka arritur aty ku nuk mban më!
Gjatë turit të takimeve në qytetin e Elbasanit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar ndër të tjerë edhe me tregtarë të këtij qyteti. Ai është përballur me ankesat e tyre duke i ftuar në protestën e 16 Shkurtit në Tiranë, e cila sipas kryeopozitarit ka këtë domethënie “të nderojë punëtorin e jo vjedhjen”.
Basha premtoi nga Elbasani se kur forca që ai drejton të vijë në pushtet do të ulen taksat, do të ulet çmimi i energjiseë elektrike, do të ndalohen abuzimet dhe ulje e çmimit të karburanteve. “Kam një vit pa drita. Këta komunistë. Këta fytyra të poshtra. S’kam lënë derë pa trokitur”, u ankua një prej tregtarëve.
“Kështu janë të gjithë. Siç i kanë duart të ashpra nga metalurgjiku, nga puna e fortë, kështu është bërë edhe shpirti i elbasanllinjve. Të shtunën do të bëhemi bashkë dhe nuk do të të lëmë vetëm”, deklaroi Basha.
Ndërsa një tjetër tregtar u ankua lidhur me uljen e forcës blerëse: “Jemi shumë dobët. Kam shitur apo s’kam shitur 2-3 bluza sot. Që në 8 vijmë dhe ikim në shtatë të darkës, burrë e grua të dy. Kam 7 vjet që e kam hapur, erdha nga Greqia. Ka rënë fuqia blerëse. 100m poshtë i kanë mbyllur dy dyqane”.
“1500 biznese janë mbyllur në 2018 në bashkinë e Elbasanit. Është katastrofë, kështu nuk mund të vazhdohet më. Ka arritur aty ku nuk mban më. Duhët ta ndryshojmë. Ju e keni në dorë. Kjo është domethënia e 16 shkurt. Të nderojmë punëtorin jo vjedhjen. Bashkimi i shqiptarëve për të marrë në dorë fatet tuaja. Do të sjellim normalitet me uljen e taksave, uljen e çmimit të energjisë, ndalimi nga abuzimi me tatimorët me pullën në vitrinë, uljen e çmimit të karburantit. Edhe një rrugë qe e gjetën gati, tunelin, nuk e mbaruan. Lekë vodhën, 80 milionë lek dhe s’kanë vazhduar investimin.Ju ftoj të gjithë me 16 shkurt në Tiranë!”, u shpreh Basha.