Trump takim me udhëheqësit demokratë të Kongresit, qeveria ende e mbyllur

139

Në Uashington, bisedimet për rihapjen e qeverisë hynë përsëri në rrugë pa krye të mërkurën, pas një takimi që Presidenti Donald Trump pati në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit demokratë të Kongresit.
Në një koment në Twitter, Presidenti i quajti “një humbje e plotë kohe” bisedimet me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësin e demokratëve të Senatit, Chuck Schumer.
Ai tha se dy demokratët i ishin përgjigjur me një “jo” kur ai i kishte pyetur nëse ishin gati të financonin një barrierë kufitare brenda një muaji, nëse ai binte dakord t’i jepte fund mbylljes së qeverisë.
Senatori Schumer tha se Presidenti ishte larguar papritur nga salla e takimit dhe e quajti këtë diçka “vërtet për të ardhur keq.”
Për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy palëve për fondet e sigurisë kufitare, një e katërta e qeverisë federale ka mbetur e mbyllur që nga 22 dhjetori.
Presidenti Trump thotë se u takon demokratëve “të kalojnë ligjin për buxhetin dhe të rihapin qeverinë”. Nga ana e tyre demokratët ngulin këmbë se mbyllja e qeverisë po vazhdon vetëm për shkak se presidenti Trump refuzon të heqë dorë nga kërkesa prej 5.7 miliardë dollarësh për një mur në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Të mërkurën Presidenti Trump tha se republikanët janë “krejtësisht të bashkuar” në çështjen e ndërtimit të murit kufitar, ndonëse disa ligjvënës republikan kanë shprehur shqetësim për mbylljen e pjesshme të qeverisë.
Pas një takimi në selinë e Kongresit me republikanët e Senatit, Presidenti tha se nuk pati “asnjë diskutim tjetër përveç solidaritetit”.
Ai po shqyrton idenë për shpalljen e një deklarate kombëtare të emergjencës për të anashkaluar Kongresin dhe për të siguruar fondet e ndërtimit të murit jugor. Ai tha se mund ta bëjë këtë nëse nuk arrin të sigurojë një marrëveshje me demokratët.
Ndërkohë, si pasojë e mbylljes së pjesshme të qeverisë, rreth 800 mijë punonjës federalë janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi ose të punojnë pa pagesë.