Terror policor ndaj studentëve: Na kërcënojnë me jetë, ju nuk e dini çfarë ju bëjmë ne! Derën na e mbyllën me zinxhirë…

56

Mëngjesi i sotëm është shoqëruar me incidente mes studentëve dhe rojeve të sigurisë në Fakultetin e Ekonomisë.
Një nga studentet protestuese ka denoncuar në një prononcim për “OraNews” se dera kryesore e Ekonomikut është mbyllur me zinxhirë për të mos u lejuar futja e studentëve të tjerë brenda.
Deklarata e studentes
Nuk është hera e parë që kemi konflikte të këtij lloji. Kanë qenë provokimet nga ana e rojeve të sigurisë. Dera është e mbyllur zinxhirë. Është hera e parë që ndodh sepse zakonisht e mbyllin vetëm me çelës. Dera është mbyllur për të mos u lejuar asnjë njeri të futet. Ata thonë se kemi marrë urdhra nga lart se dera do të qëndrojë e mbyllur dhe ne të vazhdojmë ngujimin. Kemi provokime. Unë personalisht jam fyer, nuk dua ta përmend fjalën fyese që është përdorur kundrejt meje. Nuk ka pasur përplasje fizike. Studentët janë kërcënuar, iu është thënë: ju nuk na njihni ne, nuk e dini kush jemi ne, nuk e dini çfarë ju bëjmë ne. Ngujimi do vazhdojë. Ne do vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Do bëjmë maksimumin tonë që dera të hapet pasi ka edhe studentë të tjerë nga Ekonomiku që duan të vijnë dhe të na mbështesin, askush nuk ka të drejtë të na ndalojë. Temperturat ishin të ftohta por brenda ka pasur drita. Në ndryshim nga ditët tjera që dritat na i prenë dhe qëndruam me qirinj. Kemi pasur ngrohje”.
Studentët vazhdojnë protestën e tyre në fakultete deri në plotësimin e kërkesave. Studentët e Fakultetit të Arkiteturës dhe Inxhinierisë së Ndërtimit janë ngujuar sot në fakultet.
Sipas burimeve rojet e shkollës nuk po lejojnë që tu bashkohen edhe studentë të tjerë.
Rektori i UT ka dalë në deklaratë për vazhdimin e mësimit por studentët nuk e njohin si vendim pasi kërkesat e tyre nuk janë plotësuar.