Skema e Kryeministrit me kartelë që dyfishon çmimin e energjisë elektrike

206

Revista “Monitor” ka zbuluar skemën se si Kryeministri me kartelë i Shqipërisë mund të bëjë që çmimi i energjisë elektrike të shkojë drejt dyfishimit.
Shkrimi
Nga Nertila Maho
Viti 2019 pritet të ketë disa zhvillime të rëndësishme në sektorin e energjisë, duke nisur nga vijimi i procesit të liberalizimit te grupi 20 kilovolt, te ndarja e OSHEE-së me asistencën e një audituesi të pavarur apo ngritjen dhe fazën e testit për Bursën e Energjisë. Një pjesë e këtyre nismave zvarriten prej vitesh, duke mbetur në letër dhe deklarata. Lidhur me projektet konkrete, pritet të finalizohet një kontratë edhe për nisjen e punës për impiantin fotovolatik të Akërnisë
Në vitin 2015, kur “motorët” për reformën në energji do të ndizeshin nga të gjitha anët, pritshmëritë për një transformim total të sektorit ishin të mëdha. Ashtu mbetën deri në vitin 2017, kur Banka Botërore sinjalizoi për një ngadalësim të reformës, duke nënvizuar se kjo ishte si pasojë e situatës parazgjedhore dhe postzgjedhore. Disa nga masat kryesore të hedhura në letër dhe në modelin e ri të tregut avancuan në praktikë, disa mbetën në letër e të tjera as në letër, as në praktikë, por ende zvarriten nëpër institucione.
Viti 2018 në aspektin e zhvillimeve kryesore në sektorin e energjisë u përkufizua nga disa pika, duke nisur që nga dalja në tregun e liberalizuar e 90 bizneseve, te ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në tre kompani të reja, te centrali fotovoltaik i Akërnisë i prokuruar dhe dhënë me koncesion falë asistencës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por cilat do të jenë zhvillimet kryesore të pritshme për sektorin në vitin aktual. Disa janë vijim i hapave të hedhura më herët, procese në vazhdim e disa, nisma të reja.

Në 2019 vijon ndarja e OSHEE-së, më pas privatizimi tek investitori strategjik
Më 30 mars të vitit 2018, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike regjistroi pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit tre kompani të reja nën vete. I pari ishte Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, shoqëri aksionere me një kapital 3.5 milionë lekë. Në objekt të kompanisë është shpërndarja e energjisë elektrike, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.
Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë, me kapital 3.5 milionë lekë, me objekt blerjen dhe menaxhimin e energjisë dhe operimin në tregun e lirë, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë. Shoqëria e tretë Furnizuesi i Shërbimit Universal me kapital 3.5 milionë lekë dhe që ka në objekt të saj furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në treg të rregulluar të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, ofrimin dhe sigurimin e cilësisë tregtare të shërbimit, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë. Por nga marsi deri në fund të vitit 2018, ndarja e kompanisë ka avancuar me hapa të ngadaltë, duke e lidhur këtë edhe me kompleksitetin e këtij procesi në tërësi.
Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë konfirmoi se në këtë proces, OSHEE do të asistohet nga një kompani konsulentë, ndërkohë që deri më tani, nga Enti Rregullator i Energjisë është bërë vetëm transferimi i licencave me vendime të veçanta, por asnjëra nga kompanitë e reja nuk do të mundet të kryejë aktivitetin sipas licencave. Një vendim i dhjetorit 2018 saktësoi se OSHEE do të vijojë të kryejë veprimtarinë e operimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, furnizimin e energjisë elektrike dhe detyrimin e shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike për një periudhë tranzitore 12- mujore.
Kjo do të thotë që deri në fund të këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të vijojë të kryejë të njëjtat procese, ndërkohë që kompanitë e reja nën të do të konsolidojnë përcaktimin e saktë të strukturave organizative dhe proceseve të menaxhimit të portofolit të energjisë elektrike në përputhje me funksionet dhe veprimtaritë që do të mbulojë secila prej tyre. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizon se ndarja e aseteve do të kërkojë edhe kohën më të madhe për të finalizuar ndarjen e kompanisë së shpërndarjes duke pasur parasysh problematikat në terren.

Ndarja funksionale e OSHEE duket se është në plan të parë të qeverisë, po të kemi parasysh që në një dokument të fundit është nënvizuar mundësia e kalimit të shpërndarjes tek një investitor strategjik. Pasi kompanitë e reja të kenë nënshkruar marrëveshjet përfundimtare dhe operacionale duke përfshirë, por jo kufizuar në, ndarjen e aseteve, shpërndarjen e pagesave të prapambetura dhe borxhet mes kompanive të ardhshme do të vijohet pikërisht me privatizimin.
“Do të përmbajë edhe një strategji për ofertën publike, potencialisht që do të çonte në një privatizim të plotë të kompanisë furnizuese, me një investitor strategjik që lehtësonte zbatimin e transformimit në një kompani biznesi private dhe konkurruese dhe një ofertë të pjesshme për publikun shqiptar për një pjesë minoritare të kompanisë DSO (operatori i sistemit të transmetimit), me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, duke ruajtur kontrollin mbi biznesin e rregulluar”, – thuhet në planin e qeverisë.
Liberalizimi, në mes të vitit pritet dalja e grupit të dytë të bizneseve në tregun e lirë
Në janar të vitit të kaluar, të paktën 90 biznese u lajmëruan se do të dilnin në tregun e lirë për të siguruar të vetëm energjinë. Këto të fundit ishin të lidhura në tension 35 kilovolt dhe sipas ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” do të shënonin hapin e parë kyç drejt liberalizimit.
Procesi është parashikuar të shtrihet deri tek bizneset e lidhura në tension 0.4 kilovolt, por lidhur me këta të fundit, gjasat për një ndryshim janë të mëdha, duke qenë se kontingjenti që përfshihet në këtë kategori është i gjerë.
Instalimi i sistemeve matëse dhe infrastrukturës së nevojshme për grupin 0.4 kilovolt do të kërkonte financim të konsiderueshëm çka vë në pikëpyetje fizibilitetin e tij si projekt. Kjo situatë është parashtruar për diskutim aktualisht më gjerë sesa Shqipëria, kryesisht në Ballkanin Perëndimor dhe duket se pas një studimi do të vendoset edhe deri në çfarë pragu do të shtrihet liberalizimi. Aktualisht, sipas ligjit në fuqi, pas bizneseve të lidhura në 35 kilovolt, dalja në tregun e lirë do të shtrihet tek ato në 20 kilovolt, 10 dhe 6 kilovolt dhe në fund edhe 0.4 kilovolt. Sipas të dhënave zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, janë në total 1100 subjekte, të cilët janë të lidhur në tension 20 kilovolt dhe që do të jenë të detyruar të blejnë energjinë nga furnizues privatë.

Sigurisht edhe kësaj kategorie do t’i lihet një afat dyvjeçar tranzitor për furnizimin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, me çmime tregu nëse ata nuk gjejnë dot një tjetër alternativë. Aktualisht për këtë grup është duke u përgatitur një fazë konsultimi dhe informimi në mënyrë që bizneset të mos gjenden të papërgatitura kur të bëhet shkëputja nga tregu i rregulluar. Sipas hapave që janë ndjekur, Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë pret që në mes të këtij viti të bëhet edhe dalja e parë e konsumatorëve të lidhur në 20 kilovolt në tregun e lirë.
Fillimisht do të jenë 350 konsumatorët kryesorë, për të cilët ka përfunduar instalimi i matësve dhe pajisjeve të tjera dhe që kanë më shumë mundësi për të gjetur një furnizues. Këtij grupi do t’i jepet një afat dyvjeçar tranzitor për t’u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit me çmime tregu. Kjo njësi e OSHEE prokuron energjinë për këtë kategori në mënyrë të bashkuar dhe më pas e kalon pranë Entit Rregullator të Energjisë, për të marrë një tarifë finale që i faturohet biznesit.
Në rastin e konsumatorëve 35 kilovolt, stepja e bizneseve ka qenë më e madhe, ndërkohë që për 20 kilovoltëshin, ministria pret që procesi të ecë më shpesh, për shkak të informimit, faktit që bizneset janë konsumatorë më të mëdhenj dhe mund të zgjojnë interesin e furnizuesve ose mund të grupohen sepse në pozicion gjeografik janë të shtrirë kryesisht përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Furnizuesit pro liberalizimit: Rregullore më të qarta për të parandaluar borxhet
Furnizuesit shprehen pozitivë për procesin e liberalizimit duke e konsideruar dinamikën e këtij hapi si kyçe edhe në rritjen e tregut në tërësi. Të pyetur nga “Monitor”, përfaqësues të kompanive kryesore furnizuese në vend thanë se Shqipëria duhet të shkojë drejt liberalizimit, por ky duhet të një jetë një proces që bëhet me maturi, duke balancuar përfitimin që ka sektori dhe biznesi në vetvete. Sipas tyre, ende bizneseve shqiptare u mungon njohuria me zhvillimet e tregut, parashikueshmëria për konsumin e shumë elemente të tjera që në finale bëjnë që të ketë “ngërçe”. Një nga pikat që ata vlerësojnë si të rëndësishme dhe që duhet të reflektohet siç duhet në rregullore është korrektesa në pagesa.

“Marrëdhënia me pagesat duhet të jetë më e saktë. Këtë e gjejmë të prekur në ligj dhe ajo që ne mendojmë se ka nevojë për përmirësim është saktësimi më i mirë në rregullore, që të mos ketë hapësira që shfrytëzohen dhe krijojnë probleme me detyrime të papaguara. Duhet të saktësohet pjesa e kalimit nga një furnizues te tjetri me kushtin që të bëhet në kohë shlyerja e detyrimeve. Për shembull, një biznes ka sot një X furnizues dhe ka marrëdhënie kontraktuale me të.
Pas një muaji, ndryshon furnizues dhe ndërkohë lë pa paguar faturën te furnizuesi i mëparshëm. Kjo duhet të eliminohet si praktikë dhe biznesi duhet të jetë i vetëdijshëm që, nëse nuk paguan, do t’i ndërpritet energjia pavarësisht se me cilin furnizues ka marrëdhënien sot. Kjo do t’i bëjë të gjitha hallkat më të përgjegjshme”, shprehen furnizuesit. Ata nënvizojnë se efekti i Bursës së Energjisë, edhe pse nuk pritet të jetë i menjëhershëm, do të jetë në funksion të rritjes së konkurrencës dhe në momentin që do të maturohet, do të ketë vetëm ndikim pozitiv.
Bursa e Energjisë shtyhet pafund, testet nisin në 2019, në funksion në 2020
Bursa e Energjisë prej vitesh mbetet një nga projektet më të lakuara në sektorin e energjisë, por deri më tani konkretizimi i saj nuk ka shkuar më shumë se hartimi i disa dokumenteve, ndërkohë që ende të tjerë mbeten të pamiratuar.
Banka Botërore, në një raport të fundit të saj ku vlerësonte programin e Rimëkëmbjes së Energjisë Elektrike, theksonte se Bursa Shqiptare e Energjisë dhe Tregu Shqiptar i Balancimit do të ngrihen në vitin 2020 për t’u bërë funksionale. Aktualisht pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është hartuar forma finale e vendimit që saktëson pjesën e bursës, e konsultuar me OST-në dhe konsulentët tekniko-ligjorë, përfshi edhe palën nga Kosova.
Kjo pritet të miratohet më pas në Këshillin e Ministrave. Hallka e radhës do të jetë ngritja e një Komisioni të Posaçëm që do të përcaktojë edhe kriteret, procedurën, rregulloren për organizimin e procedurave përzgjedhëse të aksionerëve.
Fillimisht pritshmëria ishte që të gjitha këto procese të mbylleshin në vitin 2018, por kjo nuk ndodhi ndaj konkretizimi mendohet se do të jetë në muajt e parë të këtij viti. Në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e bursës është menduar që të ketë një fazë testimi që pritet të zgjasë 3-6 muaj, ku do të kryhen transaksione reale, do të raportohet gjithçka, sikur të jetë reale, por në fakt do të jetë test. Sipas të gjitha gjasave, nëse gjithçka shkon mirë, bursa pritet të jetë efektive brenda qershorit të vitit të ardhshëm. Duhet pasur parasysh se KESH dhe OSHEE, si kompani publike që operojnë në tregun e rregulluar, nuk mund të listohen të dyja.
Sipas të dhënave të raportuara nga Operatori i Tregut, që është nën varësi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe që do të jetë përgjegjës për bursën, janë aktet ligjore ato që vendosin për sasinë që do të tregtohet nga këto kompani në bursë vit pas viti.