Skandali i ri me tenderin e Unazës së Madhe, Rama nuk ndalet së vjedhuri

150

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur në 13 dhjetor garën për të njëjtin segment të unazës së madhe. Por rihapja e garës, pasohet me të tjera shkelje dhe abuzime të rënda. Në shpalljen e parë njësia e prokurimit publik kishte vendosur kritere ligjore që ishin haptazi në shkelje të ligjit.
Një nga këto kritere është kërkesa për kapacitete e mjeteve dhe makinerive që operatorët duhet të disponojnë për të marr pjesë në këtë procedurë. Lidhur me këtë kërkesë rezulton se makineritë e kërkuara nuk janë në raport me zërat e punimeve që parashikohen të kryhen. Këtë e tregojnë qartë edhe tabela e mëposhtme.
Në pikën 13 për mjetet e punës kërkohet një autovinç me kapacitet mbi 450 ton. Por sipas subjekteve që kërkojnë të marrin pjesë në garë në preventivin e punimeve tek zëri i punës thuhet se nga ana teknike për të tërhequr trarë me gjatësi 34 metra linear që do të përdoren për projektin do të mjaftonte një autovinç me një kapacitet deri në 210 ton. Këtu lindin edhe dyshimet e operatorëve për një garë sipas tyre jo transparente. Burime nga drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor thonë se në vendin tonë një mjet i tonazhit me kapacitet 450 ton nuk gjendet.

Sipas po të njëjtave burime mjeti më i rëndë që ka hyrë në doganat shqiptare është vetëm 10 ton por që nuk dihet kapaciteti mbajtës i tij pasi dogana regjistron vetëm peshën e mjetit dhe jo kapacitetin. Ky kriter thonë operatorët jo vetëm vështirëson pjesëmarrjen në garë por duket që në fillim se përcakton dhe fituesin e garës.
Kërkesa e prokurimeve për një mjet me kapacitet 450 ton duket absurde pasi sipas ekspertëve tërheqja e trarëve prej 34 metra linearësh që do të përdoren për lotin e parë të unazës së madhe mund të realizohet edhe me një vinç me një kapacitet maksimumi deri në 210 ton.
Atëherë lindin pyetjet se cila është arsyeja e kërkesës për vinça të tonazhit më të rëndë sesa nevoja për realizimin e veprave të artit në lotin e parë të Unazës së madhe nga pallati me shigjeta deri te rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja?
Pse njësia e prokurimit vendos kritere diskriminuese të cilat dëmtojnë konkurrencën dhe pengojnë operatoret ekonomik të interesuar të marrin pjesë në garë?