Nga “Abi Bank” te “Reiffeisen”, ja komisionet e kripura të bankave

176

Karta e debitit është një kartë e cila që të ekzistojë ka si kusht të domosdoshëm hapjen e një llogarie bankare. Gjithashtu, për të bërë blerje me një kartë debiti duhet që shuma e cila do të kryhet të ekzistojë në llogarinë bankare.
Me kartën e kreditit mund të kryhen transaksione pa ekzistuar një shumë në llogari, me kusht që të bëhet pagesa brenda 30 ose 45 ditëve, në varësi të bankës. Për të marrë një kartë krediti nuk duhet vetëm të ekzistojë llogaria por edhe një shumë e caktuar nga bankat e ngrirë tek llogaria ose një kontratë pagese mujore. Në varësi të shumës së ngrirë ose pagës përcaktohet dhe limiti mujor i vlerës së transaksioneve. Gjithashtu, nëse pagesa e transaksionit nuk kryhet brenda afatit të përcaktuar nga banka atëherë fillojnë të aplikohen interesat.
Në vitin 2014, 38.5 përqind e shqiptarëve të rritur kishin një llogari bankare, 24 përqind kishin një kartë debiti dhe vetëm 3.5 përqind posedonin kartë krediti. Në vitin 2016 numri i kartave të kreditit dhe të debitit u rrit me nga 5.5 përqind secila. Pavarësisht se përdorimi i tyre është rritur krahasuar me vitin 2014, norma e rritjes gati është përgjysmuar. Për dy vitet e fundit nuk janë publikuar ende të dhënat dhe jemi ende në pritje që të kuptojmë trendin e përdorimit të kartave të debitit dhe kreditit.
Komisionet për hapjen, mirëmbajtjen dhe mbylljen për kartën e kreditit dhe debitit ndryshojnë për çdo bankë të nivelit të dytë.

Komisionet totale për kartën e kreditit i ka më të larta Banka Amerikane e Investimeve (BAI) me 2902 lekë, pasohet nga Banka
Procredit (BPC) me 2404 lekë, Banka Raiffeisen (BR) me 2038. Tek bankat e tjera vlera totale e paguar për komisionet e hapjes, mirëmbajtjes, mbylljes, etj. është nën 2000 lekë. Banka e Bashkuar e Shqipërisë (BBSH), Banka e Kreditit të Shqipërisë (BKSH) dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare (BNT) i kanë të gjitha këto komisione 0.
Për sa i përket komisioneve që kanë të bëjnë me kartën e debitit, vlerën totale më të lartë e ka Banka Amerikane e Investimeve me 3275 lekë, pasohet Banka Raiffeisen me 2805 lekë, Banka Alpha Albania (BA) me 2457 lekë, Banka Procredit dhe Banka Union (BU) me 2203 dhe 2204 lekë, Banka Tirana (BT) me 2155 lekë, Banka Intesa San Paolo (BIS) me 2005 lekë. Bankat e tjera e kanë vlerën totale të komisioneve nën 2000 lekë dhe vetëm Banka e Kreditit të Shqipërisë e ka 0.
Në rast të mos shlyerjes së shumës së tërhequr brenda afatit të përcaktuar nga Banka, interesi penalizues më i lartë është për Bankën e Parë të Investimeve (BPI) me 42%, pas saj vjen Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Union me 36%. Banka Intesa San Paolo është e katërta në radhë me 35% dhe pas saj është Banka Raiffeisen me 33%. Banka Alpha Albania, Banka Societe Generale Albania (BSG) dhe Banka Tirana kanë interesin penalizues në nivelin 10%. Banka Amerikane e Investimeve, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Banka e Kreditit të Shqipërisë, Banka Procredit, dhe Banka Veneto (VB) e kanë interesin penalizues nën nivelin 10 % ose 0%.

“Korrupsioni.al”