Koha për të protestuar përpara Kryeministrisë, jo në aeroporte!

165

Elton LASKA

Gjatë këtyre 6 viteve që Shqipëria udhëhiqet nga Edi Rama shqiptarët më shumë se kurrë kanë vendosur të protestojnë në aeroporte në heshtje, duke u larguar dhe më pak kanë zgjedhur sheshet për tu tubuar. Me 16 shkurt Partia Demokratike ka thirrur protestën më të madhe kundër qeverisë, ndaj çdo shqiptar atë ditë duhet të dalë të protestojë edhe për vëllezërit e motrat që vendosën që varfërinë ta luftojnë me emigrim, ose duke kërkuar strehim në azile pasi shteti i tyre nuk u mundëson të sigurojnë as bukën e gojës.
Ky kryeministër që pasi erdhi në pushtet ktheu të vëllanë nga Amerika e quan normale që shqiptarët marrin rrugët e botës nga varfëria, madje edhe tallet kur krahason veten me ta, teksa thotë bunkerin luksoz në Surrel e ka ndërtuar me kursimet në emigrim. Ky i marrë kujton se djersët që dalin nga mungesa e konsumimit “racionit ditor” në pjatë kanë ngjashmëri me djersën e ndershme që derdhin shqiptarët në kantiere ndërtimi, në bizneset e shërbimit dhe fasoneritë në vendet e Evropës.
Shqiptarët duhet të dalin në shesh për shëndetësinë falas që këta shërbëtorë të oligarkëve e kanë mundësuar për vete e për familjet e tyre, pasi nuk harxhojnë asnjë qindarkë nga pagat e kursimet e tyre për tu kuruar në spitalet më të shtrenjta të Evropës, por shfrytëzojnë taksat tona.
Shëndetësia falas e popullit përkthehet shqip në miliona euro për Vilma Nushin, për fasada e tendera korruptive dhe shqiptarë të varfër që vdesin dyerve të spitaleve. Kjo shëndetësi falas këto 6 vite ka sjellë hemorragjinë më të madhe të mjekëve dhe infermierëve që nuk u bënë dot palë me hajdutët pasi për ta bluza e bardhë ka më shumë vlerë se fasadat e lyera që dalin në ERTV çdo javë.

Falë politikave të këtyre shqiptarët për 10 vite do të mbesin pa mjekë, e ashtu sikur janë shkretuar spitalet e rretheve do të shkretohen edhe spitalet e Tiranës. Kur shëndetësinë i’a beson disa hajdutëve ordiner, mos prit të keni rezultate pozitive.
Në 16 shkurt do dalim edhe për t’ju treguar studentëve se nuk janë vetëm në betjen për një arsim më të mirë, se i gjithë populli është me ta dhe shuplaka që i dhanë qeverisë si dhuratë fundviti shumë shpejtë do të kthehet në një grusht të fuqishëm që do ta shembë këtë kastë politikanësh që me paratë e shqiptarëve shtojnë pasuritë e oligarkëve. Arsimi është një e drejtë që shteti shqiptar nuk mund t’ia mohojë askujt, e aq më pak kur me paratë e taksapaguesve tanë paguhen bursa jashtë vendit për fëmijët e nipërit e mbesat e politikanëve.
Sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë pasi qeveria e majtë mandatin për të qeverisur këtë vend po e shfrytëzon për skllavërimin e shtetasve të saj. Shqiptarët sot paguajnë me shtrenjtë ushqimet, dritat, ujin, karburantin, kanë më shumë taksa, pra shpenzimet i kemi si të vendeve evropiane dhe pagat e pensionet si të vendeve afrikane. Më 16 shkurt protestojmë për të gjithë ato familje shqiptare që jo pak netë ulen në gjumë pa u ushqyer, për ato fëmijë që nuk gëzuan festat e fundvitit si bashkëmoshatarët e tyre me dhurata dhe festa.
Ne me 16 shkurt duhet të dalin në shesh edhe kundër kapjes së medias, të cilat po na servirin atë ç’ka pushteti i ofron ashtu si në kohën e diktaturës më synimin e vetëm mbajtjen e pushtetit mbi skllavërimin e shqiptarëve. Për të rreshtuar arsyet se përse ne të djathtë e të majtë nga jugu në veri duhet të protestojmë karshi kësaj qeverie janë të pafundme, e nuk do mjaftonte një natë e gjatë dimri, por dua t’iu bëj apel që me 16 shkurt të dalim në protestë për Shqipërinë…