Flet studentja e dhunuar: Padrejtësi! Protesta është paqësore, kemi mbështetjen e të gjithë pedagogëve

66

Emisioni “Kjo Javë” ka zhvilluar një lidhje me skype me studentët e ngujuar brenda Fakultetit Juridik, ku iu janë bashkuar edhe ata të Shkencave të Natyrës. Një nga studentet e ngujuar rrëfeu episodin e dhunës nga policia përgjatë ditës së djeshme, ndërsa e cilësoi si një padrejtësi për faktin se protesta është paqësore.
“Atëherë edhe ditën e sotme ngujimi ka vijuar në Fakultetin e Drejtësisë. Këtu kemi qenë të mbledhur shumë studentë dhe sapo bëmë mbledhje të të gjithë fakulteteve. Ditën e djeshme policia ndërhyri në ambjentet e Fakultetit dhe në ato momente patëm një episod dhune. Unë jam një nga studentët që u dhunua.
Studentët janë dhunuar padrejtësisht se ne po bëjmë një protestë paqësore. Po presim të na vijnë akoma më shumë studentët nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Ne së bashku, pedagogë dhe studentë kërkojmë një arsim më të mirë. Bibliotekat janë shumë të varfëra, ne kemi mbështetjen e të gjithë pedagogëve.
Atëherë disa nga shokët dhe shoqet tona janë ngujuar për shkak të borës.
Presim të na bashkohen më shumë studentë dhe ditën hënë presim të vazhdojmë bojkotin. Kemi bërë votime. Sipas votimeve shumica është për bojkot, ndaj edhe ne vazhdojmë ngujimin. Edhe ata studentë që janë në shtëpi e mbështesin ngujimin. Ilir Koni shprehu se studentët kanë të drejtë.
Policët nuk mund të na dhunojnë për një kauzë që është e drejtë. Unë jam me mesatare mbi 9 dhe unë normalisht si çdo studente do kem nevojë për të patur një provim të mbartur”, u shpreh ajo.

Zërit të saj iu bashkua edhe një nga studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, i cili vuri në dukje se edhe në Fakultetin e tij ka një bojkot total të mësimit.
“Ne ditën e djeshme i jemi bashkuar Fakultetit Juridik sepse shokëve tanë po i ushtrohej presion nga forcat e sigurisë. Universiteti është publik, është i shqiptarëve dhe ne kërkojmë vetëm të drejtat tona. Unë mund të them se nga FSHN nga 7600 studentë, 50 po vijojnë mësimin. Doja t’ju thosha të gjithë atyre studentëve që thonë se tarifa është përgjysmuar”, u shpreh ai.
Një nga studentët e ngujuar brenda Fakultetit Ekonomik tha se do të vazhdojnë me ngujimin pavarësisht dhunës dhe presionit psikologjik brenda auditoreve të fakultetit.
“Një pjesë e tyre kanë pjesëtarët e familjes në administratën shtetëore. Një pjesë e tyre kanë marrë kërcënime për heqje nga puna. Ndërsa pjesa sesi e kalojmë natën nuk është se kemi kushte optimale. Ne vazhdojmë të qëndrojmë, pavarësisht dhunës dhe presionit nga ata policë që paguhen nga taksat tonë”, u shpreh një nga studentët.
-Çfarë mendoni se mund të bëni? Çfarë organizimi keni menduar?
Vazhdojmë në fakultetin tonë dhe do vazhdohet edhe në fakultetet e tjera. Policët duhet të jenë njerëz që të na mbrojnë neve jo të cënojnë të drejtat e individit. Ata janë njerëzit që duhet të zbatojnë ligjin dhe nuk duhet të cenojnë të drejtat tona. Përdorim çdo mënyrë tjetër për të jetuar, praktikisht edhe mund ta thuash jemi në grevë urie. Ngrohja nuk ka qenë asnjëherë edhe kur kemi patur mësim dhe jo më tani. Nuk ka qenë ngrohja, por ka patur momente kur kanë ikur dritat dhe bisedimet i kemi bërë me qirinj.