Dil jashtë!

394

Hamit TAKA

“Dil jashtë! Dil jashtë! Dil jashtë!” Për të satën herë keyeministri i vendit, Edi Rama, e ka përdorur këtë shprehje ndaj të rinjve shkollarë gjatë muajve dhjetor e janar! “Dil jashtë!” i kishte thënë më parë, si paralajmërim për studentët, një vajze në takim me nxënësit ekselentë të shkollave të mesme, sepse ajo kishte thënë me zë të lartë diçka që nuk i i kishte ardhur për hosh Kryeminiistrit, gjë që e realizuan shoqëruesit e tij. “Dil jashtë!” u tha studentëve sa e sa here kur bënte sikur dialogonte nëpër fakultete.Së fundi kryeministri i tha “Dil jashtë!” studentes së gazetarisë, Klodiana Agaj, e cila u përplas me të teksa ishte duke u zhvilluar një takim për prezantimin e Paktit për Universitetin, sepse ajo i tha që studentët protestues nuk ishin në sallë pasi nuk ishin lajmëruar dhe pjesëmarrësit në atë takim ishin shumica freshistë. As një mësues i rreptë e gjaknxehtë i shkollës së mesme s’do ta kishte përdorur kaq shumë gjatë një viti shkollor shprehjen “Dil jashtë!”. Dhe ishin shumica vajza, se të ishin djem do të“Dil jashtë!” kishin përfunduar në burg.
“Dil jashtë!” u tha kryeministri edhe gjysmës së ministrave të qeverisë së tij. “Dil jashtë!” u tha gjatë qeverisjes së tij treqind mijë të rinjve, që e lanë të detyruar nënën Shqipëri për pak mirëqënie nëpër botë. “Dil jashtë!” ka qënë refreni i Edi Ramës gjatë gjithë qeverisjes së tij gjashtë vjeçare ndaj kujtdo që mendon ndryshe nga ai, që nuk i bindet ose më saktë nuk u nënshtrohet verbërisht vendimeve të tij.
Te shprehja: “Dil jashtë!” Gjejmë mishërimin më të aqrtë e më flagrant të karakterit të dhunshëm të keryeministrit tonë dhe tregues se arroganca e tij po shkon në limitet e papranueshmërisë për sistemin demokratik dhe për një popull të qytetëruar. Por me studentët, siç e thotë populli, Ramës i ngeci sharra në gozhdë. Me ata nuk i eci as arroganca, as humori, as gjuha sarkastike dhe as shfaqjet groteske të të fortit. Me sharmin rinor, me moskokëçarjen nga forca e pushtetit, me kundërpërgjigjet e qeta, me ligjërimet e shpenguara e humorin popullor studentët ia zvogëluan udhëheqësit grotesk jo vetëm përmasat e prijësit legjendar, të krahasuar nga servilët e tij me Skënderbeun, por edhe përmasat fizike.

Ai dukej shumë i vogël para studentëve vlonjatë, ku mendonte se do të gjente një azil qetësie dhe admirimi, të cilët i dolën para me thirrjet në kor: “Turp! Turp! Turp!”, e kundërshtuan në sallën e pseudodialogut fars, e thumbuan dhe dolën nga takimi, duke e prekur në nervin më të dobët të tij, krenarinë e admirimin për veten.
I rrethuar nga një realitet me shumë prova shëmtuese: nga dështimi i propagandës mashtruese e dhunuese; nga shfryrjet dëshpëruese të zemëratës së precipituar në gjashtë vite, që u kurorëzua me protestat e studentëve; nga qesëndisjet e pafundme dhe sharjet e papërmbajtura dot nga kultura dhe etika nëpër rrjetet sociale; shkurt nga tramundana e pakënaqësisë gjithëpërfshirëse, Rama ndjen një nokdaun të lemerishëm të Rilindjes utopike. Kjo e ka bërë shumë nervoz dhe të shfaqet para publikut me shpërthime sa diletanteske aq edhe anormale. Konfliktualiteti i verbër me Presidentin e Republikës , opozitën, pedagogët, shoqërinë civile e gjithë faktorët me ndikim politik në vend janë jo vetëm simtoma të një prepotence dhe arrogance ekstreme të Ramës, por edhe të një shpirti të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, bile për të nuk ekziston dhe nuk duhet të ekzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. Çështja madhore është se kryeministri ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Për të është e domosdoshme ruajtja e territorit ku egërsisht ku askush nuk lejohet të hyjë në pjesë pa qenë militant i përunjur e i bindur i tufës së tij partiake.
Shfaqja arrogante dhe prepotente e kryeministrit tregoi falsitetin e tij nëpër shfaqjet para turmave të fshatarëve të thirrur nëpër lëndina apo simpatizantëve socialiatë nëpër salla e mikrosheshe të qyteteve apo nëpër shtëpitë e ndonjë varfanjaku, duke grënë drekën e porositur e të kontrolluar, ku, me një aktrim të dobët e të shplarë, bën humoristin e shakaxhiun popullor.

Udhëheqësit apo drejtuesit prepotentë përdorin forcën për të detyruar ose për të shtrënguar të tjerët të bëjnë ashtu si thotë ai, shpërdorojnë pushtetin për të bërë ashtu siç do ai, pa marrë mendimin e të tjerëve ose pa u këshilluar me masat punonjëse. Ata e quajnë veten më të fuqishëm e më të pushtetshëm se të tjerët. Në psikologji arroganca konsiderohet se është një formë e egocentrizmit të rëndë. Në shkencën mjekësore shpjegohet si çrregullimi narcisistik i personalitetit (ÇNP), në të cilin një person është tepër i preokupuar me përshtatshmërinë, pushtetin, prestigjin dhe pamjen personale, i paaftë mendërisht për të parë dëmet shkatërruese që janë duke shkaktuar për veten e tyre dhe shpesh për të tjerët.
Njerëzit me çrregullim narcisistik të personalitetit karakterizohen nga ndjenja të ekzagjeruara të rëndësisë së vetvetes. Ata kanë një ndjenjë të meritimit dhe demonstrojnë madhështi në besimin dhe sjelljen e tyre, kanë një nevojë të fortë për admirim, por nuk janë të ndjeshëm ndaj ndjenjave dhe nevojave të të tjerëve.
Arroganca dhe prepotenca, si veti të sjelljes së vrazhdë, fyese e përbuzëse e disa njerëzve në shoqëri ka shqetësuar që në Lashtësi korifejtë e mendimit njerëzor, duke evidentuar edhe shenjat, veçoritë psiqike, sjelljen e pasojat. Pitagora, që rreth vitit 520 para erës sonë, kur do të themelonte shkollën e famshme në Krotone me 3000 nxënës, futi disa testime, me qëllim që të aktivizonte te nxënësit intelektin, për të patur opinionet e tyre dhe aftësinë etike, për të kontrolluar prirjet egoiste, qetësinë dhe vetëkontrollin. Gjatë fjalimit(provimit ose testimit) të nxënësit, audienca e ngacmonte me mënyra të ndryshme. Ky ishte një testim me të cilin kandidati mund të kontrollonte defektin e Arrogancës. Edhe në librat e shenjta arroganca trajtohet me vëmendje dhe forcë. Bibla: «Kur njeriu është arrogant, shkakton vetëm grindje, por mençuria është me ata që këshillohen së bashku». Kurani: “Kushdo që pretendon se vetëm ai ka të vërtetën, duhet të jetë mendjengushtë dhe arrogant”.