Çunaku Gent Cakaj dhe plaku Edi Rama!

83

Bardh SPAHIA

Gent Cakaj e ka mendimin të përputhur me moshën e vet biologjike! Leximet e tij që paskëshin mahnitur Edi Ramën, nuk e ndihmuan të bënte një paraqitje përtej modestes në shfaqjen e parë publike. Prioritetet që paraqiti për Ministrinë për Evropën e Punët e Jashtme, ishin të kufizuara në rajon, sepse së pari aq është diapazoni i njohjes së botës e diplomacisë prej tij, e së dyti, se për akrobacitë në rajon është përzgjedhur në atë detyrë. 28vjecari shumë i lexuar, na mahniti me përmendjen e Kryeministrit në cdo tre fjali.
Duket se njerëzve rrotull Ramës u ka dalë një konkurent i fortë në garën për adhurimin e kryeministrit. “I lexuari i madh“ nuk kishte kuptuar një realitet kokëfortë: Shqipëria është një nga 29 vendet e NATO-s, falë edhe aleatit të fuqishëm strategjik, SHBA. Këtë avantazh të pamohueshëm, që bamirësi i tij kryeministër e gjeti gati, po nuk arriti kurrë ta shfryzëtojë për ta përdorur në rritjen e rolit të Shqipërisë, nuk e di, apo e harron me apo pa dashje Gent Cakaj!
Njëlloj si Edi Rama edhe Gent Cakaj e ka vëmendjen në rajon, një këndvështrim i kufizuar i diplomacisë, që sjell rrezikun e krijimit të varësisë nga aktorë rajonalë si Serbia, me synime e interesa të dyshimta! I pari synim, të cilit Rama po i bën shërbim të posacëm, është rishikimi i kufijve me Kosovën, e për këtë i duhet një 28 vjecar nga Kosova, që pranon pa kushte vendimet e sponsorizuesve të tij, pa i filtruar se cfarë pasojash sjellin, së pari për vendlindjen e tij e pastaj për rajonin.
Këto 6 vjet të Ramës kryeministër, Shqipëria i dha e i jep frymëmarrje Serbisë në arenën ndërkombëtare, edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e saj ndaj Kosovës! Asgjë e re pra nga Gent Cakaj! Cunaku do vazhdojë linjën e plakut që adhuron, sepse leximet më të rëndësishme të tij, mesa duket kanë qenë pikërisht fjalimet e Edi Ramës. Ky i fundit, nuk zhgënjen: po bën 6 vjet kryeministër, e shtetin e trajton si kopshtin privat të Surrelit, fituar pa mund e djersë. Ndërsa vetë plaket e thinjet, por mend nuk nxe!