Banorët e Unazës së Re me hunj në dorë: Shtëpitë nuk i lëshojmë, le të afrohen po t’ua mbajë!

105

Banorët e Unazës së Re kanë dalë në protestës sot në ditën e 70 të saj “të armatosur” me hunj e shkopinj.
Sipas banorëve, kjo “zgjedhje” është një mënyrë demonstrimi rezistence nga ana e tyre, ndaj tentativës për prishjen e banesave të tyre.
“Ata që do të afrohen te shtëpitë tona, nuk do të gjejnë të mira”, paralajmëroi njëri prej banorëve, ndërsa shpjegoi “armatosjen”.
Një nga protestuesit teksa iu drejtua kryeprokurores së Përkohshme të Përgjithshme, Arta Markut, tha se policia e ka dhunuar në banesë së bashku me nënën e tij.
“Unaza e Bashkuar ka për të fituar. Sot është dita e 70 që ne protestojmë dhe ne nuk ndalemi nga asnjë lloj gjëje, se ky është një projekt korruptiv që ka tentuar të vjedhë 18 milion euro. I them Arta Markut në vend që të më çojë mua letra, të vërë para drejtësisë këta persona. Unë nuk kam vjedhur 18 milion euro. Ka ardhur policia në shtëpi, më ka dhunuar nënën dhe mua”, u shpreh një nga protestuesit.
Në mbështetje të banorëve ishte edhe deputeti i PD, Klevis Balliu, i cili deklaroi se shtëpitë e banorëve nuk do të prishen. Ai hodhi akuza ndaj Policisë së Shtetit dhe kryeministrit Rama, ndërsa paralajmëroi këtë të fundit se nëse do të preken banorët e kësaj zonë, do të jetë kryeministri i pari që do të mbajë përgjegjësi.

“Më thoshin se policia nuk vjen këtu për të ruajtur protestuesit, pasi thotë se nuk kanë dijeni se ka qytetarë që protestojnë 5-6. Nuk ka ngelur njeri që nuk e ka marrë vesh se këtu ka protestë. Të vetmit që nuk e dinë janë policët, ky është një turp. Kam një mesazh të vetëm për Ramën dhe policinë. Nëse iu vjen gërvishtja më e vogël këtyre banorëve, përgjegjësi do të jesh vetëm Rama. Ti do të mbash përgjegjësi dhe do të përgjigjesh para gjykatës.
Ne sot kemi përballë jo vetëm një qeveri, por një grusht hajdutësh. Ata nuk njohin gjë tjetër, por dhunën dhe forcën. Këtij projekti i ka dalë boja nga Shqipëria deri në Amerikë.
Sot ne duhet të jemi të bashkuar më shumë se kurrë që të mbështesim njëri-tjetrin në këto kohë të vështira. Ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Ky njeri kërkon sot të bëjë ri-tenderim me disa gara fiktive. Shtëpia juaj nuk do të prishet, sepse keni në mbështetje të gjithë opozitën dhe të gjithë qytetarët. Ne do të jemi këtu me ju deri në pikën e fundit”, tha Balliu.