Protestës së studentëve në Shkodër i bashkohen edhe pedagogët

37

Protesta e studentëve për uljen e tarifave të studimit është shtrirë në të gjitha Universitet Publike të vendit. Protestës së studenteve të Shkodrës i është bashkuar edhe pedagogu i letërsisë, Arben Prendi.
Ai i kërkon studentëve që te mos tërhiqen nga kërkesat e tyre e madje të shtojnë kërkesat.
Pedagogu Prendi sugjeroi që të hiqet mesatarja 7 për regjistrimet e reja sepse rrezikojnë te mbyllen dege të ndryshme si dhe kërkesat e tyre t’i marrim vetëm me shkrim.
Sipas tij nuk është e vërtetë se tarifat janë vendosur nga universitetet siç pretendon ministria.
Protesta e studenteve të Universiteteve Publike është shtrirë në të gjitha universitetet publike në rrethe. Përveç studentëve të Tiranës, protestohet edhe në Shkodër, Elbasan, Korçe, Vlorë dhe Durrës.
Pas bojkotimit të mësimit dhe marshimit në qytetet e tyre, studentët e Durrësit dhe të Elbasanit priten t’i bashkohen studentëve të Tiranës para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Gazetari Senad Nikshiqi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ momente nga protesta e universitetit ‘Luigj Gurakuqi’. “Me ken shkodran tana i ban, edhe tarifat i hedh n’kazan”, është një nga mesazhet që studentët shkodranë i drejtojnë Ministrisë së Arsimit, ndërsa parashtrojnë disa kërkesa. Ata përveç reduktimit të tarifës së studimit, studentët kërkojnë edhe uljen e mesatares për mbrojtjen e diplomës. “Ata sot janë më shumë sesa dje. Ata u mblodhën në orën 9:00, ndërsa pohojnë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Sot ka pasur edhe prindër që i janë bashkuar kësaj proteste”, tha Nikshiqi.