Protesta që edhe Rilindjen do ta shpëtojë nga dhimbjet e një modeli që po vdes

96

“Monitor”

Është e kotë të kërkoni udhëheqës të protestës së studentëve këtë dhjetor, megjithëse ka përpjekje për ta përzier me qëllime pushteti. Ata nuk janë frymorë, por nevojë shoqërore për të ndryshuar një model të keq qeverisje që është kthyer në sistem.
Kur nisi protesta, me kërkesa mjaft specifike për të kundërshtuar tarifat e larta të shkollimit, pak e besuan se do të zgjaste, ngaqë dukej e kufizuar brenda auditorëve, ndonëse pakënaqësia doli në rrugë. Ishte dhe mbetet tunduese pyetja, po nesër çfarë do të ndodhë?
Por, po të rikthejmë në kujtesë pankartat që studentët mbajnë në duar, kuptohet lehtë dhe qartë se protesta e tyre lidhet me sistemin. Tarifat janë vetëm një pjellë e keqe e një politike arsimore që gëlon ngjashëm brenda një sistemi të tërë represiv dhe që të ndrydh ashtu si në universitete.
Kjo lëvizje që s’ka udhëheqës duket e ngjashme me ato të Francës nga “jelekët e verdhë” që s’kishin lider, me lëvizjen femërore #Me too, apo edhe me “Pranverën Arabe”. Këto protesta politologët i sintetizojnë si model i ri lëvizjeje shoqërore, pa udhëheqës, që kanë dy arsye të shëndosha për t’u përqafuar: kanë legjitimitet dhe përfaqësojnë shtresa shoqërore që janë të frustruara prej kohësh nga politika.
Me aq sa kemi parë deri tani nga protesta e studentëve shqiptarë, ajo ngjan mjaftueshëm me shembujt e protestave të fundit që përmendëm më sipër, sepse së pari, është legjitime. Prej vitesh, kostoja e shkollimit të studentëve është rritur dhe në raport me cilësinë dhe kushtet e studimit, hendeku është bërë i madh. Nga ana tjetër, edhe kostoja e jetesës së qytetarit – student gjatë viteve të shkollimit është rritur.

Kanë kaluar vite dhe, në vend që fuqia ekonomike e një qytetari shqiptar të përafrohej me të paktën atë të një europiani, distanca ka mbetur një shekull, thotë Eurobarometri. Po e një studenti që ende nuk ka dalë në punë, ku burimi i vetëm fi nanciar mbetet familja apo puna parttime që ha nga orët e studimit?
Një tjetër kosto, e cila po projektohet që në auditorë, lidhet me cilësinë e keqe të mësimdhënies dhe korrupsionin akademik të profesorëve.
Jo më kot, një nga kërkesat më të artikuluara ishte vettingu i stafeve akademike. Të gjitha këto kosto të shkollimit, cilësia e dobët e investimit për shkollim dhe tregu i mbyllur i punës, krijojnë te studentët pasigurinë më të madhe të së ardhmes, ndaj ata shpërthyen në mënyrë legjitime, pasi panë se duke pritur edhe më gjatë se ky tranzicion i gjatë, gjërat nuk mund të ndryshonin.
A përfaqësojnë ata shqetësimin publik, sa për të arritur në përfundimin se protesta e tyre përfaqëson edhe frustrimin dhe përbuzjen sociale që ka krijuar pushteti. Duke qenë pjesë e shoqërisë, ata jetojnë secili me problemet e familjes shqiptare, ku vënë re çdo ditë se me punë nuk ia del dot. Se në këtë vend ka një dallim të thellë mes shtresave, se pasuria nuk ndahet në raport të drejtë dhe ku korrupsioni është mekanizmi më i
fortë i zhvillimit individual dhe jo merita. Pankartat e tyre, pikërisht këtë shprehnin, kur shkruanin me ironi për kurset e gjermanishtes, se nuk kanë para as për pankarta, se çmimet e një krediti kushtojnë aq sa 1 kilogram mish etj.

Në Francë ishin kamionistët, në SHBA ishin femrat. Studentët në Shqipëri janë pjesa më e varfër se të varfrit. Si pjesa më e gjallë dhe ekspresive e çdo familje shqiptare, edhe të rinjtë e kanë më të vështirë të pranojnë kurthin e pamjaftueshmërisë ekonomike të prindërve të tyre dhe pamundësinë e përparimit shoqëror.
Ata po shikojnë që as në forumet e tyre universitare janë të përfaqësuar e jo më në jetën publike.
Nuk kanë pse gjykohen, pse protesta e tyre kalon kufi jtë e universitetit dhe pse duan të kenë qoftë edhe smartphone në duar (i ironizoi kryeministri).
Ata janë brezi që lindi në tranzicion dhe kërkesa e tyre për të kërkuar reformimin e shoqërisë drejt një organizimi të saj, drejt një modeli të qëndrueshëm ku edhe teknologjia e informacionit po i transformon individët.
“Një formë e re e politikës me lëvizje pa lider po zien dhe ne duhet të sigurohemi që, në mënyrë paqësore dhe demokratike, të prodhojmë reforma të thella në të mirë të të gjithëve dhe jo të sjellim kundër reagime të pushtetit. Nëse kjo ndodh, atëherë bëhuni gati” – paralajmëron ish-diplomati i njohur britanik Carne Ross, kur analizonte protesta të tilla në botë si kjo e studentëve shqiptarë, në një shkrim për “The Guardian” të titulluar
“The Leaderless Revolution”.
Dhe, me sa duket, Rilindja duke qenë se ende nuk e pranon këtë, mbetet rruaza e fundit e shtyllës së tranzicionit të keq, të cilët studentët nuk e durojnë dot më dhe që janë duke i bërë një nder, nëse e vdesin këtë model që po vuan nga dhimbjet bashkë me ne.