Pedagogu në protestë thirrje studentëve: Mos u mashtroni nga premtimet boshe, finalizojini kërkesat!

51

Pedagogu Arben Prendi i universitetit “Luigj Gurakuqi’ është bashkuar me studentët në protestën që po organizohet sot në qytetin e Shkodrës.
Pedagogu e mbështeti protestën dhe sugjeroi që kërkesat të shtoheshin dhe protesta të vazhdonte deri në një marrëveshje me shkrim me shtetin, si e vetmja mënyrë që vendimet të merrnin formë ligjore.
“Solidarizohemi me të gjitha kërkesat tuaja, janë të drejta, legjitime, mos u mashtroni nga premtimet me fjalë boshe, tha Prendi. E drejta e protestës është e drejtë themelore e njeriut.
Mos u frikësoni. Unë do të kisha thënë që të shtoni edhe kërkesa të tjera, sepse tani është momenti që shumica e tyre zgjidhen. Për shembull do të sugjeroja që të hiqet mesatarja, nota 7 që është vendosur nga Ministria e Arsimit pa u konsultuar me universitetin për pranimet e reja, gjë e cila rrezikon mbylljen e disa degëve të universitetit tonë. Mbyllja e universitetit, e disa degëve ka kulmuar me një krizë të madhe në arsimin e lartë shqiptar. Ju jeni pjesa më e kulturuar e shoqërisë shqiptare. Ju keni mundësinë për të prurë ndryshime të rëndësishme për shoqërinë tonë sot.
Vazhdoni protestën tuaj deri në plotësimin e kërkesave që duhet të finalizohen deri në marrëveshje me shkrim. Vetëm marrëveshja me shkrim i jep formë ligjore akteve që do të fitoni ju në ditët e protestës.
Do të kisha dashur që të ishin edhe më shumë kolegë të mi këtu, por me siguri ata ju solidarizohen nga larg. Shtoni kërkesat dhe të jenë të paraqitura me shkrim!