George H. W. Bush, një homazh për atë brez politikanësh të papërsëritshëm

85

Nga Erl KODRA

Në gusht të vitit 1991 gjendesha në Gjermani, në një qytet të vogël afër Nürnberg. Unë duhet të udhëtoja medeomos deri në qytet, kur marr vesh se udhëtimi me tren ishte i pamundur; të gjitha linjat në Gjermaninë e sapobashkuar atë ditë ishin pezulluar. Pas disa përpjekjeve, bashkë me tim vëlla dhe një mikun e tij u nisëm për Nürnberg me makinë. Në disa vende autostrada kalonte paralel me rrugën e hekurt. Trenat transportonin tanke dhe trupa amerikane, kamiona të rëndë dhe armë të të gjitha llojeve. Gjermania dhe Evropa ndodhej nën panik; në Bashkimin Sovjetik komunistët fanatikë kishin kryer grusht shteti kundër Mikhail Gorbachev. Në Gjermaninë Lindore gjendeshin akoma rreth 200.000 trupa sovjetike të armatosura rëndë, të cilat duhet të largoheshin sipas një plani – kalendarë, miratuar mes të dy vendeve.
Atë ditë të gjitha televizionet gjermane transmetonin pandërprerje lajmet që vinin nga Moska, ndërkohë, në qytezën tonë, sheshi kryesor po mbushej me njerëz. Grumbuj qytetarësh ndiznin qirinjë dhe luteshin rreth portretit të Mikhail Gorbachev. Një frikë që unë nuk e kuptoja mirë kishte pushtuar krejt qytetin.
Në lajmet që televizionet gjermane transmetonin papushim, flitej se ka mundësi që Z. Gorbachev ka humbur kontrollin mbi të ashtuquajturën “Valixhja e Zezë”. Gazeta New York Times e datës 24 Gusht 1991 shkruan se:
“Zyrtarët e Administratës Bush kërkuan sot të hedhin poshtë njoftimet se Presidenti Michail S. Gorbachev kishte humbur kontrollin e forcave bërthamore sovjetike gjatë grushtit të shtetit kësaj jave, por ata shprehën shqetësime rreth stabilitetit afatgjatë të arsenalit bërthamor të Moskës.
Pentagoni dhe agjencitë e inteligjencës të Shteteve të Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë një raport të Washington Post që citoi Vladimir Lysenko, një ligjvënës rus.

Raporti tha se z. Lysenko pohoi se kur ai dhe ligjvënësit e tjerë u takuan me zotin Gorbaçov të mërkurën, kreu sovjetik shprehu mosbesim tek zyrtarët e K.G.B. dhe se ata kishin marrë valixhen presidenciale që mbante kodet me urdhrat për përdorimin e armëve bërthamore”.
Presidenti George H. W. Bush dënon ashpër aktin grushtit të shtetit në Bashkimin Sovjetik. New York Times, mes të tjerash shkruan se:
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër grushtin e shtetit që përmbysi Presidentin Michail S. Gorbachev. Presidenti Bush bëri një kërkesë të hapur për rivendosjen e pushtetit të zotit Gorbaçov dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë legjitimitetin e qeverisë së re sovjetike të vetëshpallur.
Deklerata e fortë vjen pas një dite konsultimi me udhëheqës të tjerë të aleancës perëndimore dhe një përpjekje të bashkërenduar për të shtypur “udhëheqjen e re sovjetike”. Ai e dënoi grushtin e shtetit si një “përpjekje e paligjshme” që “anashkalon ligjin sovjetik dhe vullnetin e popujve sovjetikë”.
Ato ishin kohë të tjera, ku punët e botës perëndimore gjendeshin në duar të sigurta; të burrështetasve të njëmendtë dhe serioz. George W. H. Bush i cili pasoi një President si Ronald Reagan, Helmut Kohl në Gjermani, François Mitterrand në Francë, ndërsa në Britaninë e Madhe madhështia e Margaret Thatcher nuk do të zhdukej kurrë.
E shkrova këto rradhë si një homazh për atë brez politikanësh të papërsëritshëm, që i dhanë njerëzimit aq shumë në të drejtat njerëzore, në ekonomi dhe politikë, në teknologji dhe zhvillim. Me sigur pa Ronald Reagan, pa George W. H. Bush, pa Margaret Thatcher, Helmut Kohl dhe François Mitterrand, bota do të ishte shumë më e keqe se ç’është sot.
Liderat e sotshëm ngjajnë me gagarela krahasuar me gjigandët e viteve 80. Politika me tre fjali në Twitter ose facebook është vertetë komike dhe tragjike njëkohësisht; kur mendon se një twitter qesharak ose i hackuar, shkakton një luftë tregtare, e me gjasë edhe luftë reale.
Rest in peace, Mr President George W. H. Bush!