“Edi Rama nuk i shpëton dot këpucës edhe për shumë kohë”!

62

Nga Fatmir GUDA

E zuri apo s’e zuri pak rëndësi ka, ama këpuca e goditi aq fort Edi Ramën sa i hapi udhë qindra mijë këpucëve të tjera të gatshme për t’ju matur ti derdhen kokës ditët dhe javët që vijnë. Dhe nqs do kërkonit të dini sa i dhëmbi kryeministrit ai gjest, mjaft të sillnit nëpërmënd sytë e zgurdulluar të tij pakuptimisht mbi gardistin që ja ndaloi këpucën t’i vinte fytyrës. Gjithkush mund ta ketë lexuar atë vështrim inatçor si gajret që Rama i dha vehtes jo para bodiguardit, por para publikut për ta shpërfillur inatin e këpucës që po i vinte kokës.
Atij akti nuk i hiqet asnjë element që do ta klasifikonte si më guximshmin kryer pikërisht në momentin kur arroganca e kryeministrit pat arritur zenitin e vet, duke bërë njëkohësisht bjerrjen e mitit të pacënueshmërisë së tij. Jo rastësisht fati i autorit të këtij akti, njëlloj si akti i kryer prej tij pothuajse s’përmenden asfare nga frëngjitë mediatike që Edi Rama ka nën kontrroll.
Nuk dihet as fati i asaj këpuce të “arrestuar” e të kthyer në vepër penale nga prokuroria që i thotë “shëndet” çdo “teshëtime” të kryeministrit dhe plaç “teshëtimave” të gjithë atyre, që s’e dheksin kryeministrin. Çdokush që e njeh temperamentin e tij psiqik ka gjithë të drejtën e zotit të shkojë nëpërmënd, se zotri kryeministër dhe mund të ketë bërë urdhër t’ja çonin këpucën të paketuar në zyrë me të cilën do mund të lante mirë “hesapet” duke i bërtitur, ulëritur e përlpasur nëpër mure dhe t’i kërkonte llogari asaj mase prej gome e lëkure, se ku e gjeti guximin t’i vinte kokës…..

Me vezë e salcë e kanë sulmuar “rilindjen” dhe vetë Edi Ramën madje, por sa shumë i ka dhëmbur ajo këpucë e lodhur dhe gjithë baltë e djersë, padyshim që e bën edhe çizmen e Monika Kryemadhit t’i jetë dukur lule. Këpuca, aq më tepër kur të gjuhet nga një qytetar i zakonshëm, thuhet të jetë përçmimi më i rëndë që i bëhet personit që agresohet, sidomos kur ky qëllon të jetë kryeministri i vëndit. Sepse dihet mirë që këpucën s’ja vërviti opozita politike zyrtare , por ja tereziti dora e një qytetari plot mllef dhe urrejtje, pasi që Edi Rama po e dëbon atë nga shpia paçka se në sabah herët u premtoi se edhe Enveri po të ngjallej nga varri shpitë nuk do u prisheshin.
Por ja që gjestet sigurisht që marrin vlerë vetëm atëherë kur kthehen në akte ndaj personave që kanë sikur edhe pjesërisht dinjitet dhe integritet. Thënë kjo, në rastin e Edi Ramës nuk ka pikë rëndësie, me përjashtim të faktit të xhindosjes dhe turfullimit të tij të momentit, pasi deformimi karakterial ia krijon atij “favorin” e të mospërjetuarit si fyerje të këtij akti. Por kjo situatë ama është për të keqen e z.kryeministër, sepse ka për ta lënë atë zbuluar dhe të pambrojtur përballë mllefeve edhe më masive që në mënyrë krejt të papritur mund agravohen dhe konkludohen me pasoja katastrofale më shumë për vëndin se për të personalisht.