Dosja korruptive e Xhafës, a po shantazhon Rama ish-ministrin që të mos flasë ?

87

Arben SHAHINI
Në një emision special media pranë qeverisë Top Channel ka sulmuar Fatmir Xhafën. Emisoni që ka zgjatur rreth 60 minuta ka filluar dhe është mbyllur me emrin e ish-ministrit të Brendshëm dhe rolin e tij në politikë duke i kujtuar kohën kur ai ishte hetues në Krujë duke vazhduar me karrierën e tij politike si deputet dhe më pas si ministër.
Të gjitha ato sulme të Top Channel janë bërë ndaj Fatmir Xhafës kur ishte ministër dhe atëhere ky televizon heshti, në një kohë që e sulmon tani që Fatmir Xhafa nuk është më ministër dhe ka një distancim nga politika e ditës?
Përgjigjja e kësja pyetje do të ishte më e qartë nëse do të kuptohej se kush fshihej pas porositësit për këtë sulm ndaj Xhafës si dhe përfituesit. Duket se kemi të bëjmë me një hakmarrje të pastër ndaj Xhafës. Emisioni jepte detaje se si Rama e kishte dëbuar Xhafën nga zyra, se si Xhafa kishte “tradhëtuar” shtëpinë socialiste me arrestimet e zyrtarëve të lartë të saj dhe e mbyllte emisionin me fjalinë se Xhafa ishte treguar mosmirënjohës ndaj Ramës që e kishte bërë ministër.
Ndërsa porositësi i goditjes ndaj Xhafës duket i qartë, ajo që është e paqartë është se përse është gjetur ky moment për të bërë një emision special ndaj Xhafës? Kjo lidhet me dy faktorë. I pari ka të bëjë me zhvillimet e brendshme në PS dhe faktori i dytë lidhet me ato të hetimeve ndërkombëtare për zyrtarë të lartë në PS. Se cili është roli i Xhafës kjo mund të hamendësohet nga grupimet që janë krijuar në PS si dhe nga avancimi i disa dosjeve të hetimeve nga shërbimet partnere. Ajo që duket qartë ëstë se Rama nuk është i qetë.
Sulmi ndaj Xhafës kishte një qëlli të vetëm dhe ky është shantazhimi i ish-ministrit të Brendshëm për të mos folur. Emisioni citonte burime zyrtare të qeverisë në lidhje me një dosje korrupsioni të Xhafës gjatë kohës që ai ishte ministër si dhe ndërtimin e një pallati në Pogradec. Po përse duhet shantazhuar Xhafa pikërisht tani, disa muaj pas largimit si ministër dhe çfarë po luhet pas skenës së dukshme të politikës së ditës në qeveri dhe PS kjo pritet që të zbardhet, por ajo që është e qartë është se lufta mes klaneve në PS është pikën kulminante ku palët kanë nxjerrë armët.

Pjesë nga dosja e Top Channel kundër Xhafës
Fatos Nano, dhe pse Fatmir Xhafaj e tradhëtoi, si një politikan tolerant e rikthen sërish Xhafaj në Partinë Socialiste, duke e vendosur si deputët për qytetin e Pogradecit, në vitin 2001.
Angazhimi në politikë, e ndihmoi Fatmir Xhafaj që të shtonte influencën në qytetin e Pogradecit.
Pallati 10-katësh në lagjen “Rinia”, në qytetin e Pogradecit, godinë kjo më e larta në zonë. Në vijë ajrore, ky pallat ndodhet rreth 100 metër larg bregut të liqenit. Nëse dikush në Pogradec, lë takim përpara këtij pallati, atëherë ai identifikohet fare thjeshtë.
“Thonë pallati i Xhafës. I Xhafës, kështu thonë. Si pallati i Xhafës, Xhafa e ka ndërtuar. Pallati i Xhafës, kaq di unë, Fatmir Xhafa dhe i vëllai…Po, ky pallat quhet pallati i Xhafës”, thonë për Top Story qytetarët.
Emri për të cilin qytetarët flasin, është pikërisht ai i ish-ministrit të Brendshëm në qeverinë “Rama”. Përgjatë, viteve 2001-2009, Xhafaj ka qënë deputet i Pogradecit, vendëlindje kjo e bashkëshortes së tij notere, Mimoza Berberi Xhafaj.
Ky pallat është ndërtuar nga vëllai i bashkëshortes së Xhafajt, zoti Lytfi Berberi. Top Story për herë të parë publikon dokumentat zyratare të lejes së ndërtimit, për kunatin e Fatmir Xhafajt.
Leja është dhënë në vitin 2003, nga kryetarja e Bashkisë së asaj kohe, zonja Mangalena Cane, ndërsa Xhafaj ishte deputet i kësaj zone, një konflikt ky i hapur interesi.
Toka mbi të cilën është ndërtuar pallati ka qënë e bashkëshortes, Mimoza Xhafaj, por prej dekadash aty ishte ngritur një çerdhe. Pra, familja e Xhafajt duhej të kompensohej me një truall tjetër, e barazvlefshme me vlerën e kësaj ekzistueses.
Por për shkak të influencës së tij politike, Xhafaj e nxjerrë godinën ekzistuese nga lista e objekteve me interes publik dhe siguron lejen e ndërtimit për një pallat 10 katësh. Brenda natës çerdhja zhduket nga fadromat.
“Ka qenë toka e vjehrrit, e nuses së Fatmir Xhafës, ajo pastaj e ka përdorur për nevojat e tyre. E shoqja e ka, i kanë të tyret, nuk ka problem fare ky pallat, jemi të rregullt me dokumenta neve”, thonë për Top Story qytetarët.

Lidhjet e fshehta të Fatmir Xhafajt me botën e biznesit
Njohja mes Fatmir Xhafajt dhe Besos së Tajvanit, siç e njohin të gjithë është e hershme. Prej vitesh kanë qarkulluar zërat se Fatmir Xhafaj dhe Besnik Sulaj kanë qënë pronar të kompleksit të pishinave pranë Liqenit Artificial, Aquadrom. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Xhafaj nuk rezulton të ketë qënë aksioner, por fijet të çojnë tek ai. Një nga aksionerët e Aquadrom, Arjan Pelushi, ka në pronësi një firmë ndërtimi të quajtur Leaser Construksion. Kjo firmë ka ndërtuar pallatin e kunatit të Xhafës në Pogradec.
Por miqësia Xhafaj-Sulaj do të forcohej edhe më tepër pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në vitin 2013. Beso i Tajvanit do të përfitonte ARMO-n, sa me ndihmën e bankës së nivelit të dytë por edhe shkeljet e zyrës përmbarimore të Alban Qazimit, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt.
Emri i Besnik Sulajt, del sërish në skenë si personi që siguron lejen për ndërtimin e kompleksit të pallateve pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, në truallin e një lulishteje.
Kjo është leja e ndërtimit e dhënë nga bashkia e Tiranës në 21 Shkurt 2017, me hapësirë 3197 m2, për kompaninë “Arlis-Ndërtim” SHPK, me pronar të vetëm Armand Lilon. Ky i fundit është djali i tezes së bashkëshortes së Fatmir Xhafajt, Mimozës.
Vlen të theksohet fakti se leja e ndërtimit, është firmosur edhe nga dhëndrri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili mban postin e drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës.
Duket se skema tashmë është e zbardhur dhe Fatmir Xhafaj ishte kapur fund e krye nga konflikti i interesit me familjarët e tij. Biznesi rrotullohej tek dy emra, Fatmir Xhafaj dhe Besnik Sulaj.
Kush është vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt, i cili ka përfituar miliarda nga fondet publike
Top Story dokumenton foton e Alban Qazimi, vëllai nga nëna i Fatmir Xhafajt, i cili nuk është lakuar kurrë më parë në media. Ai është aksioner në kompaninë private të Përmbarimit T.M.A, së bashku me Tedi Malavecin. Ky i fundit është kryetar i Dhomës së Përmbaruesve ndërsa në vitin 2005 ka qënë Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror, kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Alban Qazimi ka marrë çertifikatën e përmbaruesit gjyqësor në vitin 2015 dhe provimi në Ministrinë e Drejtësisë administrohej pikërisht nga ortaku i tij Malaveci.
Kompania e tyre T.M.A është krijuar në 24 Janar të 2013-ës vit në të cilin ka kryer gjithsej 10 transaksione nga institucionet publike me vlerë të përgjithshme 2.5 lekë të vjetra. Përfitimet nga kjo kompani nisin kryesisht pas muajit Shtator kur ndodh edhe rotacioni politik.
Brenda 1 viti, kompania e vëllait të Xhafajt, 10 fishon të ardhurat nga fondet publike, në 24 milione lekë. Dhe brenda 3 viteve, 2015-2018, i 70 fishon sërish përfitimet, duke kapur rreth 1.7 miliardë lekë të vjetra.
Pra, nga hiçi në 2013, vëllai i Xhafajt bëhet miliarder. Këtu flasim vetëm për fondet publike, paratë e të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Por kjo kompani e vëllait të Xhafajt, ka sfiduar shpesh herë edhe institucionet shtetërorë.
Rasti është për një procedurë hetimore të ndërmarrë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale ndaj kompanisë T.M.A. Siç citohet edhe në raportin e mbajtur, inspektorët u paraqitën plot katër herë në zyrat e kompanisë, por hasën në kundërshtitë e përfaqësuesve të kompanisë për kryerjen e hetimit.
Të gjendur në pamundësi për të kryer hetimin, caktohet një seancë dëgjimore në ambjentet e Komisionerit, ku përfaqësuerist e T.M.A. Tedi Malaveci dhe Alban Qazimi nuk paraqiten. Në këto kushte, ndaj kompanisë vendoset një gjobë prej 500 mijë lekësh për shmangien e kontrollit, me aktin numër 12, të datës 12 Mars 2018.
Por, çuditërisht, pas një muaji është ky institucion që anulon gjobën e vendosur ndaj kompanisë së vëllait të ministrit Xhafaj. Përmes aktit numër 12 fraksion 1, është Komisineri Besnik Dervishi që rrëzon një akt, që e kishte firmosur po vetë ai një muaj më herët.
Skandali më i madh me kompaninë e vëllait të Xhafajt, T.M.A është ajo për sekuestrimin e aseteve të ARMO-s, që vlen miliona euro.

Në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Mallakastër ka pasur 54 prona të regjistruara në emër të ARMO Sha. Për këto prona ka pasur shtatë procedura përmbarimore. Në kodin e procedurës civile përcaktohet radha e kreditorëve preferencialë që janë: në fillim shlyerja e pagave të punonjësve, e më pas, autoritetet fiskale, kompanitë publike, bankat e në fund palët e treta të lidhura me kompaninë.
Por çuditërisht prioritet ka marrë një urdhër ekzekutimi të iniciuar nga shoqëria përmbarimore T.M.A për kreditorin për një bankë të nivelit të dytë, që ishte e fundit në listë.
Blerja nga kjo bankë e nivelit të dytë, të aseteve që ajo kishte nxjerrë në ankand për të ekzekutuar kolateralin ndaj ARMO-s ka ngjallur dyshime në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka urdhëruar një hetim administrativ për procedurat e tjetërsimit të këtyre pronave.
Në fund të hetimit anëtari i grupit të inspektimit Arlind Arapi është larguar nga detyra nga ana e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e konsideruar edhe kjo si një prej njerëzve të afërt të Fatmir Xhafajt në Partinë Socialiste.
E gjithë procedura e jashtëligjme e ankandit e zhvilluar nga kompania e përmbarimit T.M.A., ekspozon Shqipërinë ndaj një rreziku të mundshëm për padi në arbitrazh ndërkombëtar.
Ajo që e bën më të dyshimtë gjithë këtë abuzim lidhet me kompaninë e cila merr në shfrytëzim ARMO-n pas tjetërsimit të pronave. Bëhet fjalë për IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY ose shkurt e njohur si IRTC. Kjo kompani, është krijuar në Qershor të 2016-ës, në periudhën kur përmbaruesi T.M.A. kishte nisur lëvizjet për tjetërsimin e pronave të ARMO-s.

Lufta e klaneve në Partinë Socialiste dhe roli i Fatmir Xhafajt
Ish-deputeti Kastriot Islami, e ka quajtur Fatmir Xhafajn një vegël të Partisë së Punës për shkak të angazhimeve të tij në sistemin e drejtësisë gjatë komunizmit.
“Është një personazh, është një vegël e PPSH që Rama e ka përdorur me efikastitet deri në minutën e fundit”, tha Islami.
Por, mbështetja nga Rama duket se e kishte një kufi. Disa ditë pasi policia prangosi dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka, gjatë operacioneve ndaj 4 grupeve kriminale, krejt papritur kryeministri Edi Rama njofton në rrjetet sociale dorëheqjen e Xhafajt.
“Thuhet se është detyruar të largohet për shkak, këtyre konjulturave që janë vendosur nga lufta e grupeve, bandave të Rilindjes”, tha Islami.
“Nuk besoj se ka qenë përplasje e hapur, por rruga që mori Xhafaj po shkonte drejt goditjes së atyre kokave të mëdha që quhen Padrino siç është rasti Dako apo siç është rasti i kryetarit të bashkisë së Elbasanit”, tha analisti Dritan Hila.
Tensioni u rrit më tej pas aksionit ndaj grupit të Avdylajve nga Shijaku. Njësoj si me Tahirin, edhe me kësaj here u shpërndan në media disa përgjime që implikonin Vangjush Dakon në pazare të votave me njërin prej pjestarëve të bandës së Avdylajve.
“Qasja e pakompromis që po bënte zoti Xhafaj edhe mund ta ketë trembur zotin Rama për goditjen ndaj kokave të larta të PS dhe e ka shtyrë tletë themi një presion që e ka shtyrë Xhafën në dorëheqje”, tha Hila.
Këto përgjime qëndronin prej më shumë se 1 viti në zyrën e Prokurorisë, por dolën pikërisht në momentin kur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama ishin intesifikuar. Dukej si një luftë e brendshme mes klanesh, mes Xhafajt dhe Tahirit.

“Sot janë interesa të ngushta të grupeve që i lidh interesi i çastit por të jeni të sigurt që asnjë nuk është kundër zotit Rama, asnjë nuk guxon të dalë kundër udhëheqësit absolute dhe komandantit supreme që ua pret kokat”, tha Marko Bello.
“Ka dhe një gjë tjetër që kur hyn në një parti nuk i bën dot të gjitha siç i bëje përpara. Diskutojmë ne me njëri-tjetrin dhe thotë unë jam njeri i lirë. Jo, s’je njeri i lirë. Je njeri i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë, po s’je i lirë të dalësh atje dhe t’i gjuash shtëpisë ku jemi bashkë se s’ka kuptim”, thotë Rama.
Pikërisht për këtë arsye vjen largimi i papritur i Xhafajt si Ministër i Brendshëm. Ai i kishte dërguar kryeministrit Rama një letër dorëheqje pa asnjë motivacion. Këtë letër, Rama e ka përcjellë numri 2 i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
Dy ditë para se Rama të njoftonte publikisht largimin e Xhafajt, zhvillohet një takim ku ishte i pranishëm edhe Ruçi. Top Story mëson nga burime konfidenciale se aty Xhafaj i ka shprehur pakënaqësi Ramës duke pretenduar se nuk ka pasur mbështetjen e duhur të qeverisë.
Në ato momente, Rama ka ngritur tonet duke e shkarkuar në vend dhe duke e nxjerrë nga zyra. Në këtë debat nuk ka mundur të ndërhyjë as Gramoz Ruçi, i cili thuhet se e kishte bërë ai Xhafajn Ministër të Brendshëm.
Analisti Baton Haxhiu, i njohur për afrimitetin me kryeministrin Edi Rama, duket se lë pak dyshime mbi pyetjen nëse Xhafaj u largua apo e larguan. Në studion e “Open” ai zbulon se Xhafaj u shkarkua.
“Për shkak të sondazheve, që kërkonin që 76% e njerëzve në Shqipëri, i kryer dy javë më herët, kanë kërkuar që Xhafaj duhet të ikë. Dhe kjo është arsyeja që një kryeministër, kur njerëzit kërkojnë largimin e një njeriu, ai detyrohet dhe i thotë që opinioni publik nuk do”, deklaroi Baton Haxhiu.