Xhepa: Rreziku më i fshehtë dhe më serioz i buxhetit janë PPP-të

87

Nga Selami Xhepa*

Projektligji për buxhetin e shtetit për vitin 2019 dhe perspektiva makrofinanciare 2019-2021, reflekton zgjidhjet shumë të vështira me të cilat përballet qeveria në vitet në vazhdim. Problemi madhor dhe pa zgjidhje është mënyra e realizimit të konsolidimit fiskal: reduktimi i deficitit fiskal vjetor dhe për pasojë i borxhit publik, nën 60% të PBB-së deri në vitin 2021.
Pikërisht ky problem krijon dhe çoroditjen më të madhe pasi, reduktimi i deficitit, pa prekur shpenzimet publike, kërkon rritjen e të ardhurave buxhetore. Në fakt, të ardhurat buxhetore do të bien sërish në kufijtë e 27% të PBB-së. Detyrimi për reduktimin e borxhit publik mund të arrihet në këto kushte nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve qeveritare, të cilat do të jenë edhe më pak se 29% e PBB-së deri në vitin 2021. Kjo është mënyra më e keqe e konsolidimit fiskal.
Konsolidimi duhet të vinte vetëm nga krahu i të ardhurave, në mënyrë që të mundësoheshin rritja e investimeve në sektorët problematikë të vendit, si në arsim e shëndetësi, në sektorët e mirëqenies sociale, përfshirë pensionet, në infrastrukturë, etj. Siç del e qartë nga programi ekonomik, investimet publike në të gjithë sektorët vijnë në rënie. Investimet në arsim dhe shëndetësi do të bien nga nivelet aktuale me gati 1 pikë të PBB-së, po kështu dhe bujqësia dhe sektorët e tjerë. Kjo nënkupton se perspektiva edhe më afatgjatë e vendit nuk është fare interesante.
Buxheti, vetëm për vitin 2019, ka një dimension të qartë elektoral: rritje pagash (me rreth 30 milionë dollarë shtesë buxhetore) dhe ulje taksash, disa prej të cilave mund të jenë pozitive për rritjen ekonomike, por disa të tjera, përveçse nuk kanë efekte pozitive në rritjen ekonomike, kanë efekte të forta negative në të ardhurat buxhetore.

Rreziqet e fshehura
Ndoshta rreziku më serioz që mbetet i fshehtë, por që brenda dy-tre viteve të ardhshme do të shfaqet qartazi dhe brutalisht, është implikimi që sjellin kontratat afatgjata koncesionare dhe Partneritetit Publik-Privat.
Të projektuara në kufijtë e 2 miliardë eurove kontrata për tre vitet në vazhdim, efektivisht borxhi publik do të rritet dhe jo të ulet. Kur themi “të projektuara”, shifrat reale që do të rezultojnë në përfundim të kontratave të lidhura do të jetë shumë më e lartë se kjo shifër.
Problemet me këtë formë prokurimi janë të shumta. Së pari, kostot e projekteve të tilla është provuar nga studime serioze (madje, të organizatave ndërkombëtare që i mbështesin PPP-të, si Banka Botërore dhe EBRD) se janë mjaft më të larta krahasuar me alternativën e realizimit të këtyre projekteve me financim të rregullt buxhetor.
Një statistikë e revistës “Monitor” raportonte se që prej viti 2009 kur kostoja e një kilometër autostradë e tipit A1 ishte vetëm 1 milion euro, në vitin 2017 arriti në 8 milionë euro, ndërsa të buxhetuara në paketën 1 miliard euro, kjo kosto ishte 16 milionë euro! Një rritje me 16 herë vetëm brenda një dekade! Së dyti, edhe pse prokurohen me kosto të tilla, në fund të periudhës së realizimit të veprave, kostot finale do të rezultojnë me të paktën 20-30% më të larta.
Të paktën kjo ka ndodhur në përvojat e vendeve të tjera. Për pasojë, ndikimi i vërtetë i këtyre projekteve me PPP në borxhin publik është krejt i panjohur dhe shifra e 2 miliardë eurove, mund të bëhet ndoshta edhe 2.5 miliardë apo më shumë! Kjo do të kishte pasoja shumë serioze për stabilitetin e financave publike dhe mund ta fuste vendin në një rrugë pa krye! Nëse mandati i qeverisë përfundon në vitin 2021, ky afat nuk duhet konsideruar edhe datë skadence për buxhetin e vendit. /Monitor/
*Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës